Anëtari i zgjedhur i Gjykatës Kushtetuese, Asim Vokshi, ka reaguar ashpër pas një publikimi të Top Channel, të cilin e cilëson “fake news” dhe të motivuar nga interesa të paligjshme që synojnë të njollosin procesin e tij të përzgjedhjes.
Në reagimin e tij publik, Vokshi shkruan:
“Fake news si ky nuk kisha parë ndonjëherë. Siç duket paska interesa të forta të paligjshme që duan të njollosin procedurën dhe produktin ligjor që prodhoi gara për zgjedhjen nga Gjykata e Lartë të një anëtari të Gjykatës Kushtetuese.”
Ai thekson se ka heshtur deri tani, pasi ka besuar dhe beson ende tek procedurat ligjore, por sipas tij, ajo që është publikuar “jo vetëm që përbën një ‘lajm’ fals, haluçinant dhe përbaltës, por edhe nxjerr në pah interesat malinje që i janë kundërvënë këtij procesi korrekt”.
Vokshi shprehet se përbuz me neveri shpifjet dhe do të ndjekë çdo procedurë ligjore për t’i hedhur poshtë ato:
“Ideja se shpif e shpif se diçka mbetet është e vjetër sa vetë jeta, por i përbuz me neveri këto shpifje dhe u siguroj se do ndjek çdo procedurë ligjore për të zhdukur këto diarrea shpifjesh, që më trishton së tepërmi ta shoh të derdhet në një televizion kombëtar, për të cilin kisha besimin deri më sot, që do kishte të paktën minimumin e etikës gazetareske, para se të hidhte në mejhane të tilla shpifje përbaltëse.”
Në fund të reagimit, gjyqtari i zgjedhur i Gjykatës Kushtetuese shprehet:
“Më vjen vërtet keq që shkoi puna deri këtu…”
Reagimi i Vokshit vjen pas një raportimi të Top Channel që ngrinte dyshime mbi procedurat e ndjekura për zgjedhjen e tij në Gjykatën Kushtetuese.







