Ballina Ekonomia Biznesi e pret me shqetësim rritjen e pagës minimal: Puna është mall,...

Biznesi e pret me shqetësim rritjen e pagës minimal: Puna është mall, ka kosto, çmimin e saj s’e përcakton shteti

77
0

Nga janari i viti të ardhshëm, paga minimale rritet në 500 euro nga 400 euro që është aktualisht.

Synohet që rritja e radhës të jetë në 2028 për të arritur në fund të mandatit në 700 euro në muaj.

Komuniteti i biznesit e kundërshton këtë rritje të pagës me ligj. Sipas tyre buxheti i pagave dhe sigurimeve do të rritet me 25% gjatë vitit të ardhshëm dhe kjo nuk është një kosto e vogël.

Gjergj Leqejza sipërmarrës në sektorin fason thotë se shteti nuk mund të të ndërhyjë në një marrëdhënie punëmarrës-punëdhënës.

“Puna është mall. Çdo mall ka një kosto dhe këtë kosto nuk mund ta vendosë qeveria. Rritja e pagave bazohet në produktivitet. Biznesi është i pari që është i interesuar që të rriten pagat për punonjësit, pasi kjo ndikon direkt në eficiencë dhe stimulim më të lartë. Por rritja e pagës me ligj ka më shumë efekt negativ në aktivitetin ekonomik”, tha Leqejza gjatë një interviste për emisionin “E-ZONE” në Vizon Plus.

Por qeveria ka vendosur që për nëntë muaj të kompensojë kostot e rritura për bizneset, duke subvencionuar vetëm pjesën që paguan punëdhënësi, konkretisht, 15% sigurimet shoqërore dhe 1.7% sigurimet shëndetësore.

“Nuk më duket serioze kjo skemë e propozuar. Është një mënyrë për të shpërdoruar paratë. Biznesi ose e përballon, ose nuk e përballon një rritje të tillë të kostove. Kompensimi me nëntë muaj nuk është zgjidhje është thjesht një zgjatje e agonisë për ato kompani që nuk e përballojnë dot këtë kosto të shtuar në buxhetin e tyre”, tha Leqejza.

Biznesi thotë se rritja e pagave duhet të vijë si pasojë e një mjedisi ekonomik më stimulues dhe më favorizues për sipërmarrjen. Por një rritje e pagës me ligj ka gjasa të nxisë më tej informalitetin, të paktën këtë tregojnë studimet.