Diella mesa duket nuk është krijesa e vetme virtuale ne vend, ajo ka edhe binjaken e saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Për herë të parë KQZ po teston inteligjencën artificiale në bashkinë e Tepelenës, por ajo është ende herët për të zëvendësuar numëruesit e partive.
“Në procesin e numërimit, krahas asaj që parashikon kodi zgjedhor, do të aplikojmë numërim edhe me AI. Ky informacion do të jetë publik në kohë reale. Rezultatet do të krahasohen, si në mënyrë manuale, ashtu edhe nëpërmjet AI. Me siguri, në mbyllje të procesit, do të komunikojmë më shumë në lidhje me këtë aspekt”- u shpreh Celibashi.
Komisioneri Ilirjan Celibashi sqaroi se krijesa e tij virtuale do të testohet vetëm në numërimin e votave dhe nuk do të ndikojë në rezultat pasi rezultati zyrtar në këtë bashki do të dalë përmes numërimit manual
“Në çdo tavolinë kemi të instaluar kamera, që regjistrojnë të gjithë procesin e numërimit. Fletët vendosen mbi tavolinë, filmohen. Të gjitha këto filmime nëpërmjet një programi kompjuterik që bazohet në AI do të bëjë leximin automatik sistemi, kamera të fletës së votimit. Do ta kuptojë ky sistem duke përdorur AI se për kë është votuar. Rezultati vjen automatikisht në KQZ, pa pritur të bëhet tabulimi i rezultatit nga anëtarët e tryezës së votimit.”
Ky test nuk është vetëm për KQZ por është për numëruesit e partive politike, nëse ata gabojnë, Inteligjenca Artificiale do t’i zbulojë dhe do t’i zëvendësojë në të ardhmen.







