Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim subjektin tregtar “Buzi Store”, i akuzuar për veprën penale “Fshehje e të ardhurave”, kryer në bashkëpunim me ekonomistin e kompanisë.
Prokuroria njofton se, nga hetimet e zhvilluara, kompania dyshohet se ka shmangur rreth 3,7 milionë euro të ardhura, duke i fshehur nga autoritetet tatimore. Hetimet janë zhvilluar për disa muaj me metoda speciale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, dhe kanë çuar në zbulimin e një skeme të gjerë evazioni fiskal.
Gjatë operacionit hetimor janë ushtruar kontrolle në 8 adresa të lidhura me subjektin “Buzi Store” dhe me shoqërinë e fiskalizimit përkatëse. Gjatë kontrolleve u sekuestruan njësi kompjuterike, telefona celularë, tableta, si dhe vlera monetare prej 8 milionë lekësh, të cilat nuk ishin të justifikuara me dokumentacion ligjor.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, nga provat e mbledhura, rezulton se kompania përdorte një sistem kompjuterik të paautorizuar për monitorimin dhe lëshimin e faturave tatimore përmes platformës së palicencuar “store.dyqanimen.com”. Ky sistem lejonte lëshimin e faturave të falsifikuara me mangësi në elementët e kërkuar nga ligji tatimor, të pafiskalizuara dhe me vlera të ndryshme nga ato reale.
Në disa raste, “Buzi Store” lëshonte fatura me vlera më të larta për klientët, ndërsa deklaronte shumë më të vogla për qëllime tatimore, duke shmangur në këtë mënyrë pagesën e detyrimeve tatimore ndaj shtetit.
Prokuroria e Tiranës ka bërë me dije se çështja tashmë i është kaluar gjykatës kompetente për shqyrtim në themel.







