Ballina Ekonomia Rriten pagat për punonjësit e policisë, sa u shkon nga polici i...

Rriten pagat për punonjësit e policisë, sa u shkon nga polici i thjeshtë te ai me gradë madhore

83
0

Buxheti i vitit 2026 ka parashikuar rritje të pagave për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit.

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, në një postim në rrjetet sociale njofton se pagat bazë dhe shtesat për kushte pune dhe ushqim do të rriten nga inspektorët e thjeshtë deri te drejtuesit e lartë.

Për inspektorët e thjeshtë me pagë 80,500 lekë do të ketë rritje prej 4,025 lekësh. Grada nënkomisar me pagë 95,500 lekë do të ketë rritje prej 5,500 lekësh; grada komisar, nga 105,000 lekë, do të ketë rritje me 5,600 lekë.

Kryekomisarët e Policisë së Shtetit, nga 115,500 lekë, do të kenë rritje me 5,325 lekë. Rritje do të kenë edhe gradat drejtuese me 10,950 lekë, dhe grada drejtues i parë me pagë 145,500 lekë do të ketë rritje me 11,325 lekë.

Për ministren e Brendshme, ky vendim është pjesë e angazhimit të qeverisë për të përmirësuar kushtet e punës dhe motivimin e punonjësve të rendit.

“Një vendim i merituar për gratë dhe burrat që çdo ditë mbrojnë sigurinë, jetën dhe rendin publik. Kjo rritje është një investim në profesionistët që qëndrojnë në shërbim të qytetarëve, me përkushtim, integritet dhe sacrifice”, tha ministrja Koçiu.

Ministrja ka njoftuar edhe pagat mesatare sipas gradave, për punonjësit me një vjetërsi mesatare prej 15 vjetësh. Me shtesat për ushqim dhe kushtet e punës, paga mesatare për inspektor të thjeshtë shkon në 100 mijë lekë, për nënkomisar 116 mijë lekë, për komisar arrin në 125,600 lekë.

Ndërsa gradat më të larta: kryekomisar arrin në 135,075 lekë, drejtues në 156,450 lekë dhe drejtues i parë në 171,575 lekë.