Ballina Kulturë Letërsia nuk është klikim, as televizor

Letërsia nuk është klikim, as televizor

67
0

Nga Namir Lapardhaja 

(Kujtesë në prag të Panairit të Librit)

1.

Në autobiografinë e tij ‘Joseph Anton’, Selman Ruzhdi bën një rrëfim të rrugëtimit si shkrimtar, duke përshkruar të gjitha peripecitë e tij derisa bëhet një autor i njohur dhe i pranuar në qarqet letrare dhe kulturore. Ndonëse ai kishte shkruar disa romane përpara ‘Vargjeve satanike’, ato ishin pritur ftohtë dhe pa ndonjë entuzazëm, ndërsa është pikërisht zhurma dhe debati i madh që hapi kjo vepër, ajo që bëri të ktheheshin sytë nga një autor krejt i rëndomtë deri në atë kohë. Nuk po dua të mohojë veprën e tij, por dua të them se ishin arsye jashtë letrare ato që e kthyen vëmendjen tek ai. Sot, të gjithë e lidhin emrin e tij me ‘Vargjet satanike’, por askush nuk e di, fjala bie, që ai është autor i një romani të mrekullueshëm siç është “Psherëtima e fundit e Arapit”. Mirëpo, kjo vepër është krejt tjetër dhe nuk ka prodhuar zhurmë dhe debate, sepse eën natyrshëm, duke u ndërtuar mbi një rrëfim të thellë dhe të ndjeshëm, ku mitet, feja dhe njeriu bashkëjetojnë si fije të një pëlhure të madhe dhe nuk krijojnë përplasje dhe konflikte.

2.

Që në zanafillën e saj, letërsia nuk shkakton përçarje mes njerëzve. ‘Iliada’ e Homerit, që është themeli i letërsisë evropiane, është madhështore jo sepse ul një palë dhe ngre palën tjetër, por sepse ndërtohet mbi rrëfimin e paanshëm. Homeri i përshkruan grekët dhe trojanët me të njëjtin dinjitet dhe madhështi njerëzore: Akili është hero i zemërimit, Hektori hero i detyrës; të dy janë të përkohshëm, të brishtë, por të ndritur në fisnikërinë e tragjedisë së tyre. Edhe kur Homeri përshkruan vrasjen e Hektorit, zemra e poemës është në dhimbjen e Priamit, plakut që shkon në tenda të armikut për të kërkuar trupin e të birit. Letërsia e madhe nuk krijon konflikt, por i rrëfen konfliktet për të treguar udhën e gjetur apo të pagjetur, të lënë përgjysmë apo edhe të përfunduar, sepse letërsia ka mbijetuar duke kërkuar njeriun, jo duke e përçmuar atë.

3.

Fatkeqësisht në ditët tona, dhe ky nuk është vetëm problem shqiptar, një vepër e mirë artistike nuk është e tillë si pasojë e ‘letrares’, por si pasojë e reklamës, e klikimeve apo e televizinit. Një shkrimtar nuk vlerësohet për materien që sjell, por për ‘provokimin’ që bëhet pjesë e debatit ditor.

E githa kjo ndodh sepse jetojmë në epokën e spektaklit dhe të ‘zhurmës’, ku çdo ide duhet të shpërthejë për të ekzistuar, ndërkohë që edhe letërsia ka rënë pre e kësaj gjëje. Guy Debord e quante këtë realitet “shoqëria e spektaklit”, ku vlera matet jo nga thellësia, por nga dukshmëria. Sot, në vend që një libër të kërkojë lexuesin me qetësi, është lexuesi që ndjek librin që bën më shumë bujë. Një temë e ndjeshme, siç është feja, seksualiteti, identiteti, mund të kthehet lehtësisht në magnet për debatet mediatike. Kështu që letërsia shndërrohet në një produkt që shitet përmes reklamës, jo për vlerat letrare dhe artistike që mbart.

Ky është një kurth që dashje pa dashje biem të gjithë. Shkrimtari niset nga presima për të shkruar atë të trazon, ndërsa lexuesi niset nga ajo që dëgjon në televizion dhe tundohet, kështu që libri i mirë mbetet në heshtje, ndërsa ai i zhurmshëm përhapet si limonadë verore. Ashtu siç thoshte Umberto Eco, “lexuesit e sotëm janë më të shumtë, por më pak të thellë; ata duan ngacmim, jo përvojë.” Në këtë rrëmujë, letërsia e mirë humbet, sepse s’të lë zhurma e marketingut.

4.

Letërsia mund të provokojë në emër të gjetjes së vetes dhe nuk ka arritur të mbijetojë mes njerëzve kur ka pasur për qëllim të zhbëjë identitetin e tjetrit, sidomos kur ka të bëjë me tema të tilla si besimi dhe shpirtërorja. Ajo duhet të tërheqë vëmendjen vetëm për një arsye: letraren. Duhet të ngjallë kureshtje për bukurinë e frazës, për ritmin e mendimit, për thellësinë e figurës, jo për provokimin që vjen nga kanone jashtëletrare.

Letërsia e mirë nuk provokon ndjenja të komuniteteve të aktuara, por ajo i kultivon ato nëpërmjet artit letrar. Letërsia e mirë nuk ngjall mllef, por shije. Ajo i jep lexuesit kënaqësinë e ndjenjave të pastra, jo të trazuara nga zemërimi apo blasfemia. Në kohët moderne, kur provokimi shpesh shitet si kurajë dhe përdhosja si liri, letërsia e madhe duhet të kujtojë se detyra e saj është të lidhë, jo të ndajë. Sepse për sa kohë do të ketë besim, do të ketë ndjenja që duhen respektuar; dhe për sa kohë do të ketë njeri, do të ketë nevojë për ndjeshmëri.

Letërsia e mirë është si një fener që ndriçon, por nuk verbon. Ajo nuk trondit për të bërë zhurmë, por ekziston për të dhuruar kënaqësi. Është arti i atyre që dinë se fjala e bukur mund të lëvizë shpirtin më fort se çdo provokim. Dhe vetëm ajo letërsi që di të kënaqë ndjenjat, pa i fyer ato, mbetet e pavdekshme.