Në vitin 2026, karburantet në Shqipëri pritet të shënojnë një tjetër rritje çmimi, si pasojë e dy ndryshimeve fiskale të përfshira në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.
Sipas relacionit të projektbuxhetit, qeveria parashikon indeksimin e akcizës me 1.5% që nga janari 2026, si dhe rritjen e taksës së karbonit nga 3 lekë/kg në 4.5 lekë/kg duke filluar nga korriku 2026. Të dyja këto masa do të reflektohen drejtpërdrejt në çmimin final të naftës dhe benzinës që paguajnë qytetarët, si edhe bizneset.
Efektet fiskale: +667 milionë lekë të ardhura shtesë nga politikat ekzistuese
Në analizën e të ardhurave për buxhetin 2026, Ministria e Financave thekson se efektet e politikave të mëparshme fiskale do të sjellin rreth 667 milionë lekë të ardhura shtesë në buxhet. Një pjesë e këtyre të ardhurave lidhen me indeksimin periodik të akcizës sipas ligjit aktual, i cili çdo dy vjet rrit nivelin e akcizës (me përjashtim të cigareve) me 1.5%, për të kompensuar efektet e inflacionit.
Nga ana tjetër, kalendari i rritjes së taksës së karbonit — një masë e vendosur disa vite më parë për të nxitur politika më të gjelbra dhe për të frenuar ndotjen — do të vijojë të zbatohet në korrik 2026. Vetëm ky ndryshim pritet të sjellë 84 milionë lekë të ardhura shtesë, prej të cilave 70 milionë nga taksa e karbonit dhe 14 milionë nga TVSH në import.
Dy goditje për konsumatorët: janar dhe korrik 2026
Në terma praktikë, këto ndryshime do të reflektohen në dy valë rritjesh të çmimeve të karburanteve gjatë vitit 2026.
Faza e parë, që hyn në fuqi në janar, lidhet me rritjen e akcizës me 1.5%, ndërsa faza e dytë, që nis në korrik, do të sjellë një rritje të mëtejshme si pasojë e shtimit të taksës së karbonit me 1.5 lekë për kilogram.
Në të dyja rastet, barra fiskale do të përkthehet në një çmim më të lartë për konsumatorin, duke rritur kostot e transportit, të prodhimit dhe të mallrave bazë.
Shqipëria, ndër vendet me çmimin më të lartë të karburanteve në botë
Sipas renditjeve ndërkombëtare të publikuara gjatë vitit 2025, Shqipëria renditet ndër vendet me çmimin më të lartë të karburanteve në botë, por me një nivel shumë të ulët të të ardhurave për frymë.
Kjo diferencë vjen kryesisht nga ngarkesa e lartë fiskale, pasi mbi 60% e çmimit të një litri naftë përbëhet nga taksat, akciza dhe TVSH. Ndërkohë, nëse miratohet drafti për kontributet për fondin e rezervës, çmimet pritet të rriten më tej.
Efekt zinxhir në ekonomi
Rritja e çmimeve të karburanteve pritet të ketë efekte zinxhir në ekonomi, pasi energjia dhe transporti ndikojnë drejtpërdrejt në koston e pothuajse çdo produkti dhe shërbimi.
Një rritje e tillë në mes të vitit, përveç asaj të janarit, do të shtojë presionin inflacionist në sektorë kyç si ushqimi, logjistika dhe ndërtimi.
Në thelb, ndonëse projektbuxheti 2026 parashikon më shumë të ardhura për shtetin, efekti i menjëhershëm do të ndihet në xhepat e qytetarëve dhe në kostot e jetesës, duke e bërë vitin e ardhshëm një tjetër vit sfidues për konsumatorët shqiptarë në raport me çmimet e karburanteve. /ekofin.al







