Christopher Hill dëshmon në mbrojtje të Hashim Thaçit në Hagë. Hill tha se kontakti i tij i parë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ndodhi në verën e vitit 1998 në Tiranë të Shqipërisë.
“Derisa po punoja me stafin tim dhe të tjerë, duhej të gjenim një zyrtar apo grup zyrtarësh së UÇK-së me të cilët mund të flisnim lidhur me UÇK-në. Duhet të shtoj se kam punuar për një kohë në këtë drejtim pa pasur sukses dhe arritëm në përfundim se nuk kishte një udhëheqje të tillë. Pra, këtu bëhej fjalë për një grup njerëz në nivel vendor, që ishte përshkrim shumë më i saktë i asaj me të cilën po merreshim ne”, tha Hill.
Ai shtoi se në Tiranë takoi “dikë që na e kishin përshkruar si kreun e UÇK-së”. “Unë dhe kolegët e mi erdhëm në përfundim se ai vepron brenda kësaj lëvizje, por nuk mund të flasë në emër të UÇK-së. NE vazhduam punën për të gjetur njerëz që mund të flisnim si përgjegjës për këtë. Shkuam në verë dhe vjeshtë të ’98-ës në Likoc”, tregoi Hill.
Hill tha se nuk i kujtohej emri i personit të parë nga UÇK-ja me të cilin ishte takuar, por i kërkoi avokatit që e merrte në pyetje për ta thënë ndonjë emër. Avokati e pyeti nëse ishte Xhavit Haliti, dhe Hill i tha se “po”.
Hill: Gelbard e quajti UÇK-në “terroriste”, sikur i dha sinjal sulmit serb në familjen Jashari
I pyetur nga mbrojtja nëse ambasadori Gelbard i ishte referuar UÇK -së si organizatë “terroriste”, Hill tha “po”. Hill shpjegoi se Gelbard ishte bazuar në përvojën e tij në Amerikën Latine kur e cilësoi të tillë UÇK-në. “Pati shumë kritika për deklaratën e Gelbard se UÇK-ja ishte organizatë terroriste, dhe kishte fjalë se kjo e kishte shpejtuar këtë ngjarje, pra sulmin në familjen Jashari. Gelbard sikurse kishte dhënë dritën jeshile që kjo të ndodhte. Besoj se nuk ka provë për një gjë të tillë, por ajo është diskutuar, nëse i dërguari amerikan e quan UÇK-në terroriste, sikur u jep sinjal serbëve të lëviznin kundër tyre”, tha Hill.
Hill shtoi se Gelbard, më pas, mori qëndrim shumë më të ashpër ndaj serbëve, pasi ndodhi ngjarja në Prekaz, dhe përfshiu bisedë të ashpër me Millosheviqin”. “Millisheviqi më pas deklaroi se ai nuk donte të takohej më me Gelbard. Gjithë çështja në maj filloi me fjalimin apo komentet e Gelbardit nga përvojat e mëhershme”, tha Hill. Hill tha se Shtetet e Bashkuara kanë mekanizëm për ta shpallur terroriste një organizatë të huaj dhe se, sipas tij, ato nuk e kanë cilësuar të tillë UÇK-në.
Hill: Ishte e vështirë të gjeje njerëz në UÇK që flisnin me autoritet
Hill shpjegoi gjatë dëshmisë se ka qenë e vështirë të gjendeshin njerëz në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës të cilët mund të flisnin me autoritet për çështjen e Kosovës. “Robert Gelbard, i cili kishte mbajtur pozitën që e mora unë pas tij, ai kishte pasur takime me shqiptarë të Kosovës në Zvicër dhe ai kishte dëgjuar se ata ishin udhëheqës të UÇK-së. Por, nuk kishte prova që ata ishin udhëheqës të saj”, tha Hill.
Hill: Isha skeptik për takimin Rugova-Millosheviq në Beograd
Hill tha se SHBA-ja e nxiti Ibrahim Rugovën të takohej me Sllobodan Millosheviqin në Beograd më 1998.
“Kur ambasadori [Richard] Holbrooke shkoi në Prishtinë, unë isha me të, dhe u ulëm me presidentin Rugova. Edhe pse nuk e kishim diskutuar këtë paraprakisht, ambasadori Holbrooke tha se ishte ide e mirë nëse Rugova do ta takonte Millosheviqin në Beograd, sepse mendonte se ky takim do të zgjidhte shumë probleme”.
“Unë isha shumë skeptik”, tha Hill. I pyetur nëse takimi mes Rugovës dhe Millosheviqit kishte ndikim në imazhin që kishte Rugova te shqiptarët e Kosovës, Hill theksoi:
“Mendoj se e dëmtoi Rugovën, sepse njerëzit në Kosovë nuk mund t’i ndihmonte. Unë kisha rezerva se takimi mund të ndihmonte. Ai ishte shumë i shqetësuar, por nuk donte që në takimin e parë me Holbrooke të gjendej në një situatë ku refuzonte”, shpjegoi Hill./REL







