Bulevard news*
Arkeologu ka denoncuar zdhukjen nga muzeu arkeologjik i objekteve ilire; degradimin e kërkimeve, grabitjen dhe dhunimin e pasurisë antike dhe shkatërrimin e qëllimtë të qytetërimit të zbuluar gjatë ekspeditave. Krim urban-arkeologjik e ka cilësuar Tartari atë që po ndodh me mbulimin dhe groposjen e përjetshme të arkeologjisë.
Arkeologët vëzhgojnë me shumë shqetësim tjetërsimin e qytetit të Durrësit, qytet me pasuri shumë të madhe arkeologjike. Një pjesë e tyre kanë vendosur të qëndrojnë të heshtur, të tjerë të përgjojnë e të presin një tjetër klimë, ndërsa fare pak prej tyre kanë vendosur të përballen me realitetin tragjik. Në kategorinë e arkeologëve dhe intelektulëve që protestojnë hapur ndaj rrënimit të pasurisë arkeologjike dhe të pasurisë bregdetare është Prof. Dr. Fatos Tartari. Janë dhjetra artikuj dhe një sërë diskutimesh të tij në aktivitete të rëndësishme kushtuar pasurisë arkeologjike në Shqipëri, takime të cilat janë shfrytëzuar nga Prof. Dr. Tartari si mundësi për të thyer heshtjen e shtetit përballë krimit urban- arkeologjik dhe turizimit bregdetar në Durrës. Ai e ka cilësuar me pasoja të rënda dhe të pariparueshme situatën kaotike të ndërtimeve në Durrës, ndërtime të bëra në një pjesë të madhe mbi një kulturë mijëravjeçare që fle nën tokë. Tartari ka shkuar edhe më tej duke dalë në anë të arkeologes dhe studiueses Sara Santora nga Universiteti Parmas në Itali e cila, sipas Tartarit, ka deklaruar se Amfiteatri Durrësit, monument arkeologjik me vlera evropiane dhe botërore është tranformuar në një pikë grumbullimi mbeturinash. Profesor Tartari është pjesmarrës në ekspeditat më të rëndësishme arkeologjike shqiptare të zhvilluara në Durrës, Fier, Sarandë , Kavajë, Shkodër, Tropojë etj. Sipas vëzhgimit të tij, Durrësi ka rënë viktimë e degradimit të plotë dhe groposjes së qytetërimit ilir për shkak të interesave të ngushta. Pa shpresë, pa të nesërme dhe pa të ardhme e ka klasifikuar jetën e qytetarëve në Durrës pas shkatërrimit të qëllimtë të pasurisë arkeologjike dhe rrënimit dashakeqës e të projektuar të bregdetit. Profesori i ka bërë apel të gjitha strukturave të shtetit shqiptar të ndalojnë sa më parë degradimin e mëtejshëm të pasurisë së madhe arkeologjike në Durrës.
Nisja drejt kërkimeve shkencore
Arkeologjia në Durrës njeh shumë emra të nderuar të cilët kanë pasur aftësitë shkencore, përgatitjen metodike dhe vullnetin e kulturën intelektuale për t’iu përkushtuar nxjerrjes në dritë të pasurisë dhe trashëgimisë së madhe arkeologjike të nëntokës së Durrësit. Njëri prej tyre është edhe Prof. Dr. Fatos Tartari, emri të cilit del në dhjetra seminare, kumtesa, referate, biseda, ekipe kërkimore- arkeologjike, botime periodike, monografi etj. Tartari, si dhe shumë bashkëmoshatarë të tij studentë, patën fatin të marrin leksione nga emra të shquar të shkencës të cilët ishin arsimuar në universitetet më të njohura Perëndimore në fillimin e shekullit 20. Arkeologu e studiuesi Fatos Tartari, i përket brezit të studentëve të cilët morën leksione gjuhësore nga pedagogët e mëdhenj Eqerem Çabej, Shaban Demoraj, Mahir Domi, Anastas Dodi; në Historia nga Aleks Buda, Kristo Frashëri, Shyqyri Ballvora, Kristaq Prifti, Thoma Murzaka…; në Letërsi nga Myzafer Xhaxhiu, Skënder Luarasi, Nasho Jorgaqi; në Latinisht Henrik laçaj, Stefan Prifti; në Arkeologji Selim Islami dhe Etnografi nga Oksana Budina. Tartari kujton se të njëjtin fat e patën shumë të rinj, mjaft prej të cilëve sot kanë bërë emër në shkenca e disiplina të ndryshme dhe konkretisht Selami Pulaha, Myzafer Korkuti, Damian Komata, Apostol Pango, Skënder Lila, Emil Lafe, Rinush Idrizi, Adriatik Kallulli të cilët çuan më tej punën kërkimore dhe shkencore në gjuhësi, letërsi, arkeologji etj. Me të përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, emërohet mësues në një shkollë të mesme në Lezhe dhe dy vite më pas transferohet në Golem të Kavajës. Arsimit në mënyrë të drejtpërdrejtë i kushtoi rininë e parë duke shërbyer për 8 vite, ndërsa në vitin 1970 i përvishet punës kërkimore e studimore duke u bërë një nga emrat më aktiv në fushën e arkeologjisë. Fillimisht zgjidhet si punonjës shkencor pranë muzeut arkeologjik në Durrës dhe në fare pak kohë shfaqet në shtypin e kohës, sallat e konferencave dhe tryezat bashkëbiseduese si lektor me përgjegjësi dhe njohuri të plota shkencore në arkeologji. Kumtesat, bisedat, referatet, një pjesë e të cilave janë mbajtur në forume të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare e renditën ndër studiuesit më të zellshëm. Karriera e tij e pasur i ka dhënë mundësi të përfitojë edhe tituj e grada, duke nisur nga “Kandidat i Shencave”, “Doktor i Shkencave” për të kapur majën me tutullin “Profesor” të gjitha në saj të botimeve dhe monografive me karakter të plotë kërkimor-shkencor.
Bashkëpunimi
Prof. Dr. Fatos Tartari të parin bashkëpunim, të cilin këmbëngul të thotë e rithotë disa herë, e pati me V. Toçin, arkeologun e madh, i cili zbuloi Amfiteatrin e Durrësit. Tartari ka pohuar se Toçi pati meritën të mbledhë rreth vetes artistë, restauratorë e fotografë me intuitë. Në kujtimet e tij ai mban mend se si muzeu arkeologjik në Durrës në saj të Toçit u kthye në një institut kërkimor duke e bërë Durrësin zërin më të fuqishëm në fushën e arkeologjisë. Falë kësaj pune këmbëngulëse dhe përzgjedhjes së elementëve u realizua edhe zbulimi 30 monumenteve unikale. Konkretisht Prof. Dr. Fatos Tartari përqendrohet tek zbulimi shumë i vlerësuar i Amfiteatrit; mozaikut Bukuroshja e Durrësit; mozaiku bardh e zi me figurina marine; kompleksi banjove publike; rrjeti unikal në Ballkan i kanaleve nëntokësore higjeno-sanitare; muret me sistemin e fortifikimeve; rrënojat me mozaik e afreske të Bazilikës tek pallati sportit; Katedralja e qendrës së qytetit në themelet e prefekturës së sotme; Bazilika në Arapaj etj. Mjeshtri i madh i kërkimeve dhe autori dhjetra ekspeditave pohon se gërmimet kryeheshin në grup, me specialistë për mozaikët, qeramikën, metalin…. Kjo mundësoi edhe vendosjen nën pushtet të plotë të kontrollit të ndërtimeve urbane në qytet. Tartari kujton se në grupin e punës ka qenë fotografi Agim Kavaja, restaurator e skicograf Nelo Lukaçi, Qazim Kërtusha, Gavril Priftuli, Nikolet Vasia; skicograf i specializuar M. Dajlani. .. Kërkimet realizoheshin me grup punëtorësh të përhershëm të cilët morën njohuritë bazë të disiplinës, çështje me shumë rëndësi në gërmime e studime. Ishin pikërisht këta punëtorë që afronin informacionet e para çfarë ndodhte në lagjet e qytetit gjatë hapjes së themeleve. Ata vëzhgonin çdo mur, kanal të zbuluar, tubacion, enë, monedhë dhe që aty niste kërkimi. Tartari pohon se ata u bënë ndihmësit e arkeologëve dhe se suksesi në zbulime duhet ndarë me këtë kategori të njerëzve dhe qytetarëve serioz. Profesori kujton gjithashtu se për vite të tëra i gjithë qyteti ishte i lidhur me arkeologjinë dhe se u formua vetëdija kulturore. Tartari teksa flet për atë periudhë thekson se “Kjo vetëdije e krijuar, është përdhosur në këto 20 vitet e fundit”. Këtë pohim ai e mbështet nga kërkimet ilegale të realizuara natën nga persona e grupe të interesuara trafikantësh duke ndëshkuar rëndë pasurinë nëntokësore arkeologjikë të qytetit të Durrësit. Prof. Dr. Fatos Tartari ka bërë të ditur se ka informacionin e plotë dhe të saktë për trafikimin jashtë vendi të materialeve shumë të çmuara arkeologjike që i përkasin antikitetit. Ndryshimet politike të viteve 1990 i dhanë mundësinë të zgjeronte bashkëpunim me studiues të huaj të arkeologjisë. Fitoi bursë për të ndjekur kurse e leksione në shkollën franceze në Athinë. Këtë periudhë e cila pasohet me vazdhimin e mëpasëm të bashkëpunimit, e klasifikon si kohë plot ftytshmëri. Shkolla franceze në Athinë me vlerat dhe pushtetin e një Instituti kërkimor-shkencor kishte hapur dyert në vitin 1846 dhe mbulonte të gjithë Greqinë, vend që gjatë gjithë shekullit ka pasur studiues dhe ekspedia pambarim nga të gjitha universitetet e Botës. Me po kaq sukses vlerëson bashkëpunimin me Institutin e Fizikës Bërthamore të Sllovenisë, ndërsa është ndër pjesmarrësit aktiv të grupit të Universiteteve të Mesdheut Lindor në të cilin përfshihen aktivitetet shkencore nga Marseja, Barcelona, Algjeri, Malta, palermo, Milano etj deri në skajet e kontinentit tjetër. Enkas dhe me shumë interes janë ndjekur kërkimet e studimet për qelqin antik në Shqipëri dhe sidomos në Durrës. “Pjesa më e madhe e enëve prej qelqi që i përkasin antikitetit, janë zbuluar në Durrës”,-është shprehur Tartari. Profesori është madje edhe studiues i mirëfilltë i tyre, ndër të paktët specialist në Shqipëri. Nga 300 enë që i përkasin shekullit 1-4 të erës sonë, rreth 180 enë qelqi janë zbuluar në Durrës dhe pjesa tjetër i përket zbulimeve në Sarandë, Shkodër, Tropojë…Tartari bën të qartë se Durrësi ka shumë thesar arkeologjik të pazbuluar. Ai kujton se si në vendin e quajtur Kodra Dautes janë zbuluar e studiuar monedha për datime absolute. Konkretisht thotë se u zbuluan monedha të kohës së qeverisjes së Monun; qeramika pafund,; enët e tavolinës; objekte metalike etj. Afro 5 ton është pesha e materialit të zbuluar dhe një sasi e tillë shumëllojshe e bën interesante dhe nxitëse thellimin e kërkimeve, të cilat prej 20 vitesh janë lënë në harresë. Prof. Dr Fatos Tartari duke analizuar situatën e sotme të gjendjes së kërkimeve arkeologjike në Durrës vëren se gjithçka është fundosur dhe gremisur shumë keq. Ai nuk e ka pasur asnjëherë të vështirë të replikojë hapur në të gjitha takimet e ballafaqimet, apo edhe në shtypin e shkruar e atë audioviziv për të denoncuar ndëshkimin që i është bërë arkeologjisë dhe turizimit bregdetar në Durrës. Pasi ka denoncuar vjedhjet e realizuara disa vite më parë, është ndalur edhe tek gërmimet pa kriter dhe zdhukja e qëllimtë e pasurisë arkeologjike që zbulohet gjatë ndërtimit të pallatave. Prof. Dr. Tartari ka pohuar se në Durrës me arkeologjinë ka ndodhur dhe po ndodh një krim i rëndë e i pashembullt.
Intervista
Profesor Tartari mund të kemi diçka më konkrete për atë që ju e cilësonisi vjedhje të pasurisë arkeologjike?
Në 20 vitet e fundit është përdhosur vetedija kulturore e qytetit të Durrësit. E them këtë pasi sot pasurinë arkeologjike e cila është pasuri kombëtare dhe e patjetërsueshme, e kërkojnë natën, në mënyrë ilegale, me paisje të sofistikuara dhe trafikanët kanë nxjerrë jashtë vendi vlera të mëdha të kulturës ilire. Konkretisht po kujtoj vjedhjet e mëdha, kryesoret, pasi ka dhjetra të tilla. Në vitin 1997 u vodhën e u zdhuken objekte të periudhës ilire. Vjedhja është bërë nga brenda. Kjo dorë synonte të zdhukte identitetin e qytetit të Durrësit, të zdhukte iliricitetin durrsak. Gjatë trazirave të vitit 1997 u morën ato objekte që i takojnë qytetarimit ilir, i morën nga vitrinat, edhe pse ishte një copë enë. E grabitën pasi kjo enë fliste shumë. Nuk morën monumente e objekte të kulturës së periudhës greke që kushtojnë shumë në treg. Përkundrazi hoqën e grabitën atë pasuri e cila në treg nuk është e kushtueshme, por në studimet arkeologjike dhe në identitetin tonë si pasardhës të qytetërimit dhe kulturës ilire ishte me vlera të jashtëzakonshme. Janë marrë objekte të periudhës paraqytetare, objekte që i përkasin kohës para ardhjes së grekëve. Durrësi ka kulturë para qytetërimit grek. Këto sende të grabitura janë enë prej balte; armë prej metali, bronxi, hekuri… tipare këto të kulturës ilire. U morën figurina e skulptura. Një e tillë është skulptura Klejkja (busti saj) me veshje ilire. Emër të tillë nuk e kanë as grekët, as sllavët. Të shohësh atë skulturë vëren kulturën e krehjes së flokëve, mjeshtërinë e punimit të metalit.
Nëntoka e Durrësit disa herë është bërë objekt i gërmimeve pa kriter të cilat kanë groposur përjetësisht pasurinë arkeologjike.
Ka shembuj konkret dhe autorë përgjegjës konkret. Mjafton të kujtojmë atë që ndodhi me lulishten në qendër të Durrësit. Gërmimet u bënë privatisht, me arkeolog privat, pa mbikqyrje e bashkëpunim me përfaqësues të arkeologjisë. Fakti se mbikqyrja është bërë nga arkeolog privat nuk kërkon komente të tjera. Zona është e shënjuar në hartat përkatëse për trashëgimin e madhe të pasurisë arkeologjike e cila u manfisetua gjatë gërmimeve. Kulminacioni që u shënua me zdhukjen e qindra e mijëra materialeve të vlefshme të zbuluara aty. Në materialet tona, në tekste dhe studime të bëra ka dëshmi të pakundërshtueshme se pikërisht në këtë vend ka manifestime të kulturës së hershme, qytetërim të vjetër, objekte, banesa, dyqane, punishte qelqi e lekure, banjo dhe çdo gjë që rregullonte kulturën qytetëse. Janë shumë objektet e mbuluara nga betoni e të tjera të hedhura në mbeturina si të pavlera. Rastet janë pafund pasi zemra e pasurisë arkeologjike ka qenë pjesë e lakmisë për ndërtime të pallateve shumë të larta. Tek shkolla “Hajdar Dushi” është një nga 30 monumentet më me vlerë, saktësisht ka qenë pasi sot nuk është më. U dëmtua, u zdhuk. Është pushtuar kulla D e fortifikimeve të Durrësit, të Anastasit, duke ndërhyrë në monument. Tek Kodra Dautes nuk të le njeri të afrohesh, jo më të hulumtosh e vizitosh. Nuk guxon ta çosh në mendje se aty mund të vijojnë kërkimet. Është zaptuar dhe çdo arkeolog që merr nisma për të depërtuar brenda zonës rrezikon kokën. Ngado të hidhni vështrimin ndeshni në këtë masakër të madhe arkeologjike. Durrësi ka mbaruar. Humbën dy shtyllat: pasuria arkeologjike dhe deti. Shikoni çfarë bëhet në Currila. Nuk është asgjë ajo që ka ndodhur në Vlorë me vijën bregdetare. Vinë kroçerat në Durrës, rrinë 5 minuta e ikin. Nuk kanë çfarë të shohin. U mbyt e u mbulua me ndërtime. Po t’u hedhësh një sy projekteve të shfrytëzimit vihet re lehtë se trualli ndërtimit është shfrytëzuar deri në milimetrat e fundit, ndërkohë që ligji parashikon shfrytëzimin vetëm në masën 1/3 pasi pjesa tjetër llogaritet për trotuare, hapsira të gjelbërta etj. Sot nuk do t’ia di ndokush për ligjin e nëntokës së Durrësit të vitit 1961. Nuk ka kontroll, nuk ka gjoba. Sot Atdheu është në ankand, në treg, i shitur. Deri para vitit 1990 arritëm që të kishim nën kontroll çdo lopatë që gërmonte.
Sporti
Fatos Tartari thuasje gjatë gjithë jetës së tij është marrë paralelisht edhe me sport, krahas arkeologjisë. Ka ushtruar me pasion atletikën dhe volejbollin, ndërsa është ndër më të rrallët që edhe sot ruan statistika e shënime nga garat e para të Romës deri në ditët tona. Si volejbollist ka qenë pjesë e ekipit “Lokomotiva” të Durrësit, dy herë kampione, në vitin 55-56 me të rinjtë. Më pas është akitivizuar me “Studentin” për t’u krithyer tek ekipi qytetit të tij të Durrësit në vitet 1960-1970. Pas viteve 70 të shekullit të kaluar nuk i është ndarë sportit, por duke mbajtur pozicionin e gjyqtarit. Për vite të tëra ka qenë gjyqatar i atletikës. Shkallën më të lartë e ka arritur në aktivitet kombëtare e ndërkombëtare si përgjegjës i grupit të gjyqtarëve, duke e caktuar kryegjyqtar. Tartari ka qenë anëtar në kryesinë qendrore të atletikës shqiptare; kryetar i kolegjiumit qendror të gjyqtarëve të atletikës. Në kohën që stërvitej për “Lokomotivën” Tartari kujton emrat e tjerë të sportit si N. Llalla, Ll. Prifti, A. Gorea, M. Kthupi, K. Golashi, N. Llazo etj. Sot Tartari është gjyqtari më i kualifikuar në nivel kombëtar dhe i shpallur Gjyqëtar i Republikës, titull i barazvlefshëm me atë të një gjyqtari ndërkombëtar. Pikërisht në kohën kur Tartari ishte pjesë e sportit, ai kujton se në Shqipëri sporti kishte më shumë popullaritet dhe rezultate. Një episod i mbetur në mendjen e tij është edhe ardhja në Shqipëri e rekordmenin botëror Ni Çin Çin i cili, pasi mori gazetar dhe operator nga disa stacione të Botës, vendosi të thyente në Shqipëri rekordin e mbajtur deri atëherë nga rusi Brumeli. Të asaj kohe janë njësërë spektaklesh sportive të cilat vinë edhe sot të freskëta në kujtesën e tij dhe të shumë sportistëve shqiptar.
Vlersimet
Fatos Tartari ka kryer studimet e larta në UT, fakulteti Histori-Filologji 1961
1962-1970 mësues në shkollën e mesme Lezhë dhe në Golem të Kavajës
1970 punonjës shkencor pranë muzeut arkeologjik të Durrësit
1989 merr gradën “Kandidat i Shkencave”
1996 merr gradën shkencore “Doktor i Shkencave”
2000 merr titullin “Mjeshtër i kërkimeve”, Profesor i asociuar.
2007 fiton titullin “Profesor”
1962 e në vijim pjesmarrës në ekspedita arkeologjike; lektor me kumtesa, referate, biseda.
Autor i shumë artikujve shkencorë dhe informacioneve shkencore.
Autor e bashkautor në disa satudime shkencore.
Autor i disa monografive.
Pjesmarrës në kongrese ndërkombëtare për arkeologjinë.
Anëtar i Shoqatës Evropiane të Arkeologjisë.
*Sqarim: Për shkak të një problemi, janë fshirë nga memoria e web-it bulevardnews.com, më shumë se 100 portrete, intervista dhe dossier. Shkrimet në fjalë janë të gjithë të botuar në gazetën Bulevard në versionin print dhe pavarsisht se në këto vite shumë njerëz kanë shkruar edhe për emra të përbashkët, koha, rrethanat, problematika, këndvështrimi kur janë botuar këto shkrime mbartin në vetvete një pjesë të memories së qytetit të Durrësit. Duke kërkuar ndjesë, disa prej emrave të shkrimeve nuk jetojnë, redaksia do t’i rihedhë edhe në online, ashtu siç edhe janë botuar, pa ndërhyrë. Koha dhe njerëzit kanë të drejtën e gjykimit dhe vlerësimit. Ky sqarim do të shoqëroj çdo shkrim për të rikrijuar arshivën online. Një falenderim për grupin e punës dhe veçanërisht gazetarin Xhevahir Gradica, që është marrë me këtë rubrikë në gazetën Bulevard. Ju faleminderit për mirëkuptimin!







