Të ardhurat e pushtetit vendor kanë shënuar ngadalësim këtë vit, ku ndikimin kryesor e ka patur rënia e arkëtimeve nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe më së shumti në Tiranë.
Sipas rekacionit të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2026”, plani vjetor i të ardhurave është përcaktuar në rreth 40.8 miliardë lekë, ndërsa deri në fund të shtatorit 2025, njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë mbledhur 28.8 miliardë lekë nga të ardhurat e veta tatimore, rreth 2.1 miliardë lekë ose 7% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Sa i takon performancës së përgjithshme të realizimit të të ardhurave vendore për këtë periudhë, rezulton se deri në fund të 9 mujorit është realizuar rreth 71% e planit vjetor të të ardhurave nga burimet e veta, ku konkretisht taksa mbi pasurinë është realizuar në masën rreth 75% e planit vjetor dhe taksat lokale janë realizuar në masën rreth 69% e planit vjetor 2025.
Taksat lokale, 22.3 miliardë lekë për periudhën janar – shtator 2025
Nga të ardhurat që sigurojnë njësitë e vetëqeverisjes vendore, peshën më të madhe e zënë taksat lokale. Për 9- mujorin 2025 këto taksa zënë rreth 77.4% të shumës totale të të ardhurave tatimore të pushtetit vendor. Të ardhurat nga taksat lokale për 9 -mujorin 2025 janë mbledhur në vlerën rreth 22.3 miliardë lekë, shifër kjo që është rreth 2.5 miliardë lekë më pak ose rreth 10% më e ulët se vlera e mbledhur gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2024.
Sipas relacionit, kryesisht kjo rënie në vitin 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, vjen nga të ardhurat e mbledhura nga ‘taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndëtimet e reja’ që nga 9 -mujori 2024 ka një ulje prej rreth 3.5 miliardë lekë, ulje e cila vjen kryesisht nga bashkia Tiranë ku të ardhurat nga ‘taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja’ rezultojnë me rreth 6.2 miliardë lekë më pak.
Për pushtetin vendor në nivel kombëtar, përgjithësisht zërat e tjerë të taksave lokale rezultojnë me rritje, megjithatë pritshmëritë janë që taksat lokale të rritin ritmin e realizimit deri në fund të vitit.
Taksa mbi pasurinë
Për 9 mujorin 2025, grupi i taksave mbi pasurinë ku përfshihet: taksa mbi ndërtesën, taksa mbi truallin, taksa mbi tokën bujqësore dhe taksa mbi transaksionet e kryera me pasurinë, përbën 22.5% të totalit të të ardhurave të veta tatimore të pushtetit vendor. Në vlerë absolute, ato janë mbledhur në rreth 6.5 miliardë lekë në 9 -mujorin 2025, shifër kjo që është rreth 433 milion lekë më e lartë ose me një rritje prej rreth 7% krahasuar me vlerën e mbledhur gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2024.
Taksa e biznesit të vogël
Nga realizimi faktik gjatë 9 mujorit 2025, rezulton se nga ky zë janë mbledhur rreth 21 milionë lekë, që zënë vetëm 0.1% të të ardhurave vendore, shumë e cila përbëhet tërësisht nga detyrime të papaguara në kohë nga subjekte që rezultojnë debitorë. Pavarësisht ndryshimit ligjor që e ka zeruar këtë taksë, disa bashki vijojnë të realizojnë të ardhura nga ky zë, përmes mbledhjes së detyrimeve të prapambetura nga subjekte të cilat nuk kanë kryer pagesat brenda afatit të përcaktuar.
Ndërkohë për periudhën, njësitë e vetëqeverisjes vendore në shkallë kombëtare kanë mbledhur të ardhura jotatimore në masën mbi 2.9 miliardë lekë./ekofin.al







