Ballina Aktualitet Rritet ndjeshëm niveli i ujit në liqenin e Fierzës/Kushtet atmosferike krijojnë vështirësi...

Rritet ndjeshëm niveli i ujit në liqenin e Fierzës/Kushtet atmosferike krijojnë vështirësi në qarkullim, rënie gurësh..

62
0

Gjatë 24 orëve të fundit, i gjithë territori i Qarkut të Kukësit është përfshirë nga reshje të dendura shiu, të cilat kanë vijuar me intensitet mesatar deri të lartë në disa zona. Si pasojë e reshjeve, në disa segmente të rrugëve nacionale janë regjistruar rënie gurësh dhe inerte, duke krijuar vështirësi të përkohshme në qarkullim.

Pas ndërhyrjes së vazhdueshme të subjekteve kontraktore të mirëmbajtjes, pastrimi i akseve është bërë pa ndërprerje dhe rrugët janë mbajtur funksionale gjatë gjithë kohës. Aktualisht, të gjitha akset rrugore nacionale në qark janë të qarkullueshme normalisht. Bashkitë Kukës,Tropojë dhe Has nuk kanë raportuar problematika emergjente deri më tani.

Furnizimi me energji elektrike nuk ka pas probleme në të gjithë qarkun, përveç Njësisë Administrative Tropojë e Vjetër, ku ka një ndërprerje të pjesshme. Edhe furnizimi me ujë të pijshëm po vijon sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Kukës.

Ndërkohë, reshjet e fundit kanë risjellë sasi të konsiderueshme mbeturinash në sipërfaqen e liqenit të Fierzës. Ndotja, e cila përsëritet çdo vit, vjen kryesisht nga ujërat e Drinit të Bardhë në Kosovë dhe Drinit të Zi në Maqedoninë e Veriut, që gjatë reshjeve të dendura transportojnë mbeturina drejt liqenit.

Rrjetat metalike të vendosura së fundmi në grykëderdhjen e Drinit nuk kanë arritur të ndalojnë plotësisht ardhjen e mbetjeve, ndërsa anija e destinuar për pastrimin e sipërfaqes ujore ndodhet ende e palëvizur në breg.

Sipas të dhënave të fundit, niveli i ujit në liqenin e Fierzës është rritur ndjeshëm, duke arritur në 270 metra, ndërsa pika maksimale është 296 metra. Prurjet aktuale llogariten në rreth 800 metra kub ujë në sekondë.