Bulevard news*
Rraklli ka 65 vite që pikturon duke sjellë për artdashësin impresione të veçanta. Nuk merakoset pse asnjëherë qyteti tij i lindjes, Durrësi, nuk u kujtua t’i falë një nderim. Studio, kuzhina, dhomat janë të mbushura plot me piktura e grafika. Ato presin që një ditë të jenë pjesë e një ekspozite të munguar për piktorin i cili do e festojë 75-vjetorin e lindjes në Valbonë në fillim të muajit mars.
I gjithë peizazhi shqiptar, e tëra pasuria kulturore, historike dhe arkeologjike janë përjetësuar përmes penelit të piktorit Rusdhi Raklli i cili i ka kushtuar artit plot 65 vite krijim. E ka shëtitur atdheun pëllëmbë më pëllëmbë, nga Thethi deri në Konispol. Diku ka ndenjur një javë a një muaj; diku tjetër më gjatë, pse jo edhe me 2 e 3 vite. Të gjitha udhëtimet me shpenzimet e veta. Gjithçka që i ka parë syri është mishëruar në piktura dhe grafika të panumërta. Kështjellat, kalatë, monumentet arkeologjike, objektet e kultit, peizazhi natyrës janë bërë frymëzimet dhe shpresa e autorit në shërbim të turizimit kulturor, historik dhe arkeologjik për vendës dhe të huaj. Piktori rebel nuk e ndali ecjen edhe pse askush nuk u kujtua së paku për të çelur një ekspozitë me punimet e tij të veçanta e të rralla; për një letër mirënjohje; për një ftesë. Dhe kjo jo rastësisht. Bashkëkohësit e dinë fare mirë se Rusdhi Raklli për të parën herë kapi penelin në moshën 10 vjeç dhe që nga ajo ditë nuk e ndau më për të fiksuar me qindra e qindra punime. Piktori dhe jo vetëm ai, e di mirë arsyen e qëllimtë të lënies së tij në hije dhe kjo ka të bëjë me natyrën rebele, me natyrën e tij të papajtueshme ndaj botës servile.
Në vite…
Rusdhi Raklli, piktori nga Durrësi, prej 65 vitesh është një zë shumë i fortë në artin shqiptar. Janë të panumërta pikturat dhe garfikat. Modest dhe fjalëpak sa herë që flet për punën e tij dhe shumë emocionues teksa kujton emrat e mëdhenj të piktorëve bashkëkohës si Naxhi Bakallai, Skënder Kamberi dhe Zef Shoshi. Këta i ka më përzemër, ndërsa ruan konsiderata shumë të forta edhe për të tjerë piktorë. Fëmijëria e tij lidhet me emrin e mësueses së nderuar Melita Frsashëri. Ajo i mbolli dashurinë për artin për të mos u ndarë për asnjë çast në këto 65 vite krijimi. Mësuesja e tij e nderuar, ndonëse në moshë të thyer, e viziton shpesh herë piktorin dhe gjatë gjithë kohës bisedojnë për artin e artistët; pikturën, sklupturën, rrymat e ndryshme. Vetëm 10 vjeç ishte në kohën që zuri të pikturonte, ndërsa 2 vite më pas Rraklli do të çelte ekspozitën e tij të parë. Me Gavril Priftulin dhe Petro Tupi do të futen bordrumeve të lagjes për të gjetur frymëzimin për pikturën. Atje bënin vizatime me pllakata ruse në mungesë të fletoreve të vizatimit. Për 47 vite do të shërbejë si shef dekori në qytetin e tij të lindjes, kohë e gjatë dhe shumë aktive edhe pse nuk ka mundur t’i gëzohet qoftë vetëm një herë ndonjë përshëndetje nga institucionet e shtetit. Rraklli në moshën 32 vjeçare bëhet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe njëherësh edhe sekretar i lidhjes. Idealizimi e ka nxitur dhe shtytur gjithandej. E pranon që ka qenë idealist, por i pëlqen të mbetet i tillë edhe pse në rradhët e para të podiumeve, sallave, tubimeve janë ulur të tjerë emra, shumë prej të cilëve anonim në krijimtari. Piktori nuk ka mbajtur shënime për punimet e realizuara, e ka plotësisht të pamundur të flasë me gjuhën e shifrave. megjithatë nuk është shumë e vështirë për të kuptuar shumë detaje lidhur me volumin e punës. Pashë më pash i ka rënë Shqipërisë. Nuk ka lënë cep të dheut shqiptar pa shkelur. Përgjithësisht i shoqëruar nga bashkëshortja, Jeta, por në jo pak raste nga dy vajzat dhe djali. Ai kujton se nuk ka shitur kurrë dhe për asnjë çmim pikturat e tij. I ka dhuruar më së shumti, i ka lënë në ekspozita e institucione të ndryshme për të mos ua kërkuar kurrë kthimin në vendin e origjinës. Meqë nuk i ka shërbyer partive, partitë e kanë lënë jashtë; meqë nuk i ka shërbyer politikës, politika e ka lënë jashtë. Por Rraklli nuk është ndier asnjëherë keq. Pse jo, ka thënë se ndihet me fat që mbetet jashtë tyre si rebel në shërbim të artit, të vendit dhe qytetarëve. Ka preferuar të punojë në disa zhanre: në pikturë në vaj,akuarel,pastel. Por ka provuar edhe skulpturën, mozaikun me gurë etj…Natyra prej romantiku, rënia në dashuri me peizazhin dhe veprat historike e kulturore kanë pasur ndikime të forta në formimin e personalitetit tek piktori Rusdhi Rraklli. 20 vitet e para të demokracisë kanë qenë me fat për të pasi frymëzimi është shoqëruar me lirinë e pakufi në art. Qytetit të lindjes i ka rënë kryq e tërthorë, cep më cep duke pikturuar rrugicë më rrugicë, shesh pas sheshi. Të gjitha rrugicat, kalaja, amfiteatri dhe objektet e tjera arkeologjike, kodrat përqark, deti, lindja dhe perëndimi, stinët, njerëzit, çdo gjë në Durrës e ka frymëzuar pa masë piktorin. Pas qytetit me të cilin e lidhi jetën në këto 75 vite, Rraklli shkoi gjithandej në Shqipëri, nga Thethi deri në Konispol. Janë mijëra orë pune, qindra e qindra piktura, ndërkohë që grafika e ka tërhequr shumë fort pas vetes. Nuk ka pikë turistike, vend historik, park arkeologjik, majë mali e luginë, liqe e pyll, banesë karakteristike e lagje historike pa u bërë objekt i penelit të tij. Bukën me vete, ujin me vete dhe ulur diku në një shkëmb, diku në një gur punonte deri në të errur. Në Butrint e Apolloni ka ndenjur me dy e tre vite. Është rrethuar nga njerëz kuriozë, barinj, bujq, të rinj, intelektualë,turistë të huaj, vizitorë vendës nga rrethe e treva të ndryshme. Është admiruar dhe inkurajuar, është përshëndetur dhe ka fiksuar forografi pafund me ta. Vetëm Saranda është kujtuar ta respektojë. Madje atë që nuk e bëri qyteti lindjes, Durrësi, të cilit i shëbeu 47 vite, e bëri kryetari bashkisë së Sarandës. Të vetmin titull që ruan në sirtarë është “Miku Sarandës” peshqesh nga artdashësit sarandiotë, intelektualët dhe kryetari bashkisë Edmond Gjoka. Janë punime të panumërta dhe albume që presin të vendosura ku munden aty-këtu në banesën e vjetër të Rrakllit. Punoi gjatë edhe në Apolloni duke fiksuar çdo gjë me vlerë. Tre vite pa as edhe më të voglin financim, megjithatë krijoi një nga pasuritë më të lakmuara për këdo artist. Gjatë ka qëndruar në Lezhë e në Shkodër, Valbonë e Lurë, Kavajë e Elbasan, Berat dhe Gjirokastër e Tepelenë … Ngado, kudo, në çdo cep. Nuk komenton fare punimet e tij duke menduar se pëlqimi, vlerësimi dhe kritika nuk i përket piktorit.
Piktura e grafi
Ka realizuar punime të rralla. Me kthjelltësinë më të madhe dhe qartësinë e sigurinë e plotë, rendit një nga një grafikat e realizuara në terren. Nuk e ka fare të vështirë të kujtojë deri edhe në detaje çdo gjë, nuk harron e nuk ngatërrohet qoftë një herë. Mban mend bisedat, takimet me banorët, gjuhën dhe dialektin e tyre, përshëndetjet, mikpritjen, buzëqeshjet, bujtinën, krojet, enët e ujit, mënyrat e gatimit… Kështu nis e numëron: Porti gjermanit në Currila; fshati Rinia; Bishti Pallës, perlë më vete; Thethi me bujtinë; kishë e Thethit; pylli Dedenit; Kepi Rodonit; kështjella Skënderbeut; Currila në Durrës; kisha Çefës në Kavajë; Seferaj; pylli Bisht Kamëz; anije; Porto Romano; Ullijtë në kodër të Durrësit; kisha Skënderbeut në Kepin e Rodonit… Ndalet, pushon dhe merr një tjetër zarf të madh me grafika, këtë herë duke treguar e komentuar. Apolonia; manastiri; obeliksu Apollonisë; shëtitorja Apollon; tempulli Dianës i tëri në mermer; zbulime në Apoloni; e famshmja e Apolonisë që gjermanët thonë se nuk është Greqia por Shqipëria; biblioteka e gjitha në mermer; banjot; kolonat; zbulim poshtë kishës; shatërvanët; banesë dykatëshe; shëtitorja; muzeu me skulptura; hyrja në manastir (Piktori thotë se Manastiri është bërë me monumentet e Apollonisë dhe se Bizanti ishte shkatërrimtarë); hyrja; ujëvarat që rrjedhin edhe sot pas 2 mijë vjetësh; dyqanet; manastiri pamje e plotë; shëtitorja. Është miqësuar me Apolloninë, atje e njeh çdo vizitor, çdo qytetar, e njohin edhe gurët e rrugicave, gjithçka. Ndenji 3 vite pa iu ndarë asnjë minutë. Por piktori Rusdhi Raklli ka menduar të mos ndalet me kaq. Kështu ai ka arritur të shëtisë kala më kala, e kështjellë më kështjellë. Ka punuar në bardh e zi Kështjellën e Shkodrës, Vilë Bashtovën, Rozafën nga poshtë nga lumi Buna, Vorrin e Skënderbeut, Kalanë e Lezhës, kalanë e Ishmit, atë të Gjiroktastrës e Beratit, lagje muze të Beratit, kalanë e Elbasanit, hyrjen në kalanë e Beratit, kalanë e Petrelës, të Tepelenës, kalanë e Ali Pashës, Krujën…
Takimi me Ramiz Alinë dhe pengu…
Në vitin 1984 kam shoqëruar Ramiz Alinë në galerinë e teatrit të Durrësit. Më thërriti Muho Asllani, sekterari i parë i rrethit asokohe. Ishte ora 21 kur më njoftuan se sekretari më priste në zyrën e tij. Me të hyrë brenda më bëri të ditur se duhej të shoqëroja të nesërmen Ramiz Alinë. I them se Durrësi ka intelektual sa të duash dhe që mund ta bëjë këtë shoqërim shumë më mirë sesa unë. Në natyrën time gjithë jetën kam respektuar kuadrin dhe kjo mendoj se është pjesë e kulturës qytetare. Por nga ana tjetër kam vënë shenjën e barazimit mes të gjithëve pavarësisht pozicioneve. Kështu që në takim me Ramiz Alinë nuk pata fare emocione. Alia hyri në galeri duke fërkuar duart dhe pyeti se cili nga ne aty do e shoqëronim. Pasi i them se një gjë e tillë më ishte ngarkuar mua, më pyeti se si quhem.Kishte natyrë të qetë e të qeshur. U gëzua dhe u çel në fytyrë sapo mësoi se isha piktor. Tre orë bisedë, unë shpjego dhe ai pyet. Besoj se në këtë vizitë nisi edhe demokracia në Shqipëri. Aty ka qenë edhe Remzi Lani dhe më vjen keq pse nuk ka shkruar. Remziu ishte gazetar i Ramizit. Unë kam fotografi të atij takimi. Muho Asllani më pati porositë që të mos lejoj njeri të flasë veç meje. Ishin gjithë ata. Ishte edhe Moikom Zeqo. Çfarë të pyeste Raimzi, do të përgjigjesha vetëm unë, kjo ishte edhe porosia politike. Me ka mbetur peng dhe nuk e kuptoj edhe sot pse Remzi Lani vazdhon të heshtë për sa është folur dhe për sa ka dëgjuar ai dhe ne të tjerët. Ramiz Alia në atë takim ishte po ai që u shfaq në vitin 1990. Unë jam idealist. Jam për barazi, por nuk do të ketë barazi. Pasi kthehem nga takimi me Ramiz Alinë i kam thënë bashkëshortes, Jetës dhe miqve të mi se situata politike në Shqipëri do të ndryshojë. Këtë mendim dhe konkluzion timin e ndava me miqtë dhe shokët më të ngushtë. Ata kanë qenë të shtresës së të persekutuarve politike. Regjimi nuk i donte, i survejonte hap pas hapi, por mua më pëlqente të rrija me ta, pa menduar për pasojat. Pra i thashë gruas dhe pas saj edhe piktorit Zef Ujka dhe Petrit Hoxha (xhaxhai i Artan Hoxhës që u bë për pak kohë kryetar i PD dhe që u propozua edhe për president), Atyre u kam thënë hapur se gjërat do të ndryshojnë shumë shpejt, ndërkohë që miqtë e mi nuk është se më kanë besduar. Gjërat duhen thënë siç kanë qenë e siç janë. Ne si shqiptarë këtë gjë, të vërtetën, nuk e duam, nuk e themi, e lëmë në pluhur, në harresë. Se nga frika, se nga sërvilizmi mbetet tjetër gjë kjo për t’u diskutuar.
Intervista
Keni përshkuar tërë Shqipërinë. Si justifikohet indiferentizimi i institucioneve të shtetit në vlerësimin e përkushtimit tuaj?
Kam plot 65 vite që pikturoj. Durrësi është frymëzimi im i parë dhe me të e kam lidhur punën e jetën. Nuk ka rrugicë e lagje, apo peizazh e objekt arkeologjik, historik e fetar që të mos e kem vizituar dhe pikturuar. Qyteti im është shumë i dashur dhe mundi të mbijetojë në 3 mijë vite, ndërsa qytete të tjera u zbrazën. Mjafton të kujtojmë Apolloninë e Butrintin. Por pushteti në këtë qytet nuk më ka dashur as mua dhe asnjë tjetër që lufton të jetojë i lirë. Në natyrë jam rebel. Nuk e kam pasur mirë me askënd të qeverisë. Në këto 20 vite urrej me gjithë forcë atë lloj shoqate që thotë se është jopolitike, por që i shërben vetëm politikës dhe mendon vetëm për të mbushur xhepat e një grushti njerëzish. Këta njerëz kanë pushtuar shoqatën dhe qytetarët e dinë mirë se për kë flas. Brenda në shoqatë ka njerëz të mirë dhe shumë dashamirës, siç ka edhe hajdutë e spiunë. Pra janë shoqatë politike dhe tregtare. Kjo më ka lënë mua jashtë portave, se unë nuk u jap lekë, se nuk pajtohem me ta. Politika ime është arti dhe atdheu. Ata duan njerëz sërvilë e të shkelur dhe kjo është kundër karakterit dhe interesave të mia. Më pëlqen të kem mbështetjen e njërëzve të thjeshtë. Ata e duan artin e vërtetë. Ata nuk e injorojnë artin. Ndërsa më kanë braktisur një kategori që kërkon të shfrytëzojë sa më shumë për qëllimet e veta, unë jam i rrethuar me mirënjohje gjithandej, nga qytetarët, intelektualët, policët. Sapo ndalet makina dhe bëj gati mjetet për të pikturuar vjen polici e më falenderon. Nëpër rrugica dalin e më sjellin kafe. Më ndjekin nga penxheret, zbresin poshtë me tabaka në dorë dhe me kafe e një gotë raki më shprehin një mijë e një urime. E duan të gjithë artin, pushtetin nuk e duan. Artisti nuk është sërvil, artisti është krijues. Servilët fitojnë. Duhet të rrishë tek pallati kulturës që të fitosh. Kjo është e vërteta e asaj që ka ndodhur këtu e njëzet vite më parë, këtu e dyzet vite më parë dhe do të vazdhojë gjatë.
Shtëpia juaj është plot punime. Keni menduar t’i sistemoni një ditë?
Kam me qindra e qindra punime, por nuk kam mbajtur kurrë shënime. Shumicën e punimeve në kohën e diktaturës ia ka dhuruar miqve dhe shokëve. Në atë periudhë nuk kishte ndodkush mundësi të blinte piktura, kështu që ato përgjithësisht faleshin. Peizazhe, natyrë e qetë romantike, pak portret. Kam qenë gjithë jetën romantik. Qyteti, rrugicat e Durrësit ishin baza, kalatë kishat. Kam pikturuar në çdo centimetër katror të vendit tim, nga veriu deri në Konispol. Në 20 vitet e fundit, periudhë e pas rënies së sistemit komunist, jam ndier shumë i lirë dhe i pangarkuar nga detyrimet e tjera shoqërore. kam punuar sa për 40 vitet e mëparshme. Theth, fshatra të Sarandës, Apolloni, Butrint, Valbonë, Lurë, Berat, Osum, Gjirokastër, Tepelenë, Korçë, Voskopojë…gjithandej. Disa albume janë përfunduar dhe të tjerat janë në proces. E gjithë krijimtaria është në albume. E kam të pamundur të them nëse do të hap ndonjë ekspozitë. U tregova që rebelët nuk i do pushteti dhe pushteti nuk jep lekë për ata që nuk janë servilë. Kam disa projekte. Vitet e moshës ecin dhe pas dhjetë ditësh do të shkoj në Valbonë për të festuar 75-vjetorin e lindjes. Zemrën e kam si të një djali 30 vjeç, miqtë e mi më përgëzojnë për vullnetin, megjithatë nuk di se çfarë do të bëj. Dy vajzave u kam dhënë shumë punime. Ato i kanë kthyer shtëpitë e tyre në njëfarë galerie arti, me stenda që kanë pikturat e mia. Edhe djali ka ndërmend të investojë dhe i gjithë kati i parë i shtëpisë që ka një hapsirë shumë të madhe mendohet të shërbejë si galeri në të ardhmen. Pra ju e kuptoni se nuk e kam ndërmend të shes asnjë punim timin. Djali e ka pasion pikturën dhe kjo më gëzon, pra jam i qetë për fatin e punimeve të mia 65-vjeçare. Më është dashur të marrë bukën me vete, ujin me vete ngado ku kam shkuar për të pikturuar. Kjo është e vërtetë. Nuk është se ndihem keq pasi në fund të fundit kam arritur atë për të cilën kam luftuar kurdoherë.
Në morinë e pikturave dhe grafikave u ka shkuar në mend të veçoni ndonjërën prej tyre si më të veçantën?
Unë kam detyrën të bëjë art, vlerësimin e bëjnë kritikët. Komentin ia kam lënë shikuesve, dashamirësve të artit, kritikëve. Shpesh herë më është dashur të dëgjoj fjalët e mira të kolegëve që më nxisin në punë, në krijimtari. Në Shqipëri thonë të gjithë se janë Mikelanxhelo. Kjo kategori injoron punën e të tjerëve. Unë di të them se sa herë që më vinë ndërmend emrat e piktorëve Naxhi Bakallai, Skënder Kamberi dhe Zef Shoshi frymëzohem. Ata janë maja të pikturës shqiptare. Këta krijues nuk kanë punuar për bujo, për t’u dukur, kanë kultivuar artin e vërtetë, artin emocional. Në Durrës ka pasur e ka piktorë e skulptorë me vlera Gavril Priftuli, Agim Shami, Qazim Kërtusha, Dhimitër Adharami…Gavrili vdiq duke gdhendur. Pa pasur nevojë për lavdi. Iku. Meritonte shumë, mori fare pak, apo edhe aspak lavde. Nuk kanë asnjë nder, asnjë titull nga qeverisja. Nuk janë biznesmenë, janë krijues. Kjo qe dhe është arsye pse krijuesit e pavarur mbeten të harruar. Deri më sot asnjë institucion nuk më është afruar për të më ndihmuar. As Ministria e Turizmit dhe Kulturës. E di shumë mirë se pa përkrahje s’ecet, siç di mirë se ia vlen të ecësh i pagjunjëzuar. Ju e patë se studio e punës sime është e gjitha në kushte të mjerueshme. Muret janë çarë dhe tavani rrezikon të shembet. Aty punoj, aty Jeta më sjell kafen e gotën e rakisë, aty frymëzohem dhe prodhoj. Të tjerat pak rëndësi kanë për mua. Bie shiu, bie. Fry erë e fortë, rrëzon pikturat, i marr, i ngre dhe filloj të punoj. Nuk më tremb më asgjë, nuk më dobëson e as nuk më ligshton ndosend. E pëlqej atë që gatuaj dhe miqtë e mi që më vizitojnë shpesh e shpesh më inkurajojnë. Grafika më ka tërhequr shumë. Grafikat i punoj me një lloj pene të veçantë dhe punimet janë bardhë e zi. Kjo për arsye se komunikon më shpejtë sesa fotografia dhe të shtyn më shumë në epokë. Grafika ka shumë emocione. Kërkon edhe financim. Një kornizë është 25 mijë lekë. Nuk e kam mundësi të bëjë çdonjërën prej tyre në kornizë. Kushtojnë, ndërkohë që ne jetojmë me pension.
Natyra, peizazhi mbetet frymëzimi më i lexueshëm në punimet e tua.
Thellë jam romantik dhe natyra është burim frymëzimi. Fakti se kam shkuar në çdo cep të Shqipërisë është tregues se sa shumë i lidhur ndihem me vendin tim, me natyrën shqiptare. Nuk kam kërkuar dhe as nuk kërkoj kurrë fitim, dua që kontributi im të ndihmojë në shpalosjen e vlerave. Janë mijëra orë pune në natyrë për të cilat nuk jam ndier asnjëherë i penduar që i kam shpenzuar në atë mënyrë dhe në ato vende. Ngjyra më e pëlqyer për mua është bluja. Ju ndoshta doni ta lidhni me politikën. Nëse e bëni këtë lidhje, bëjeni. Unë e shoh me syrin e piktorit, kjo ngjyrë më fle shumë mirë dhe më plotëson shijet e artit tim. Piktori është si puna e bletës. I merr natyrës nektarin dhe prodhon. Durrësi ka shumë mundësi të ushqejë këtë lloj blete. Meqë kam shëtitur gjithandej po sjell ndërmend një shembull që ka të bëjë se si shfrytëzohet krijuesi në dobi të shoqërisë. Në Elbasan bashkia dhe qyteti bëjnë shumë për artin, i ka mbushur sheshet, parqet, lulishtet me monumente, skulptura, relieve pra me vepra arti. Ku i gjeti fondet bashkia Elbasanit? Dhjetra punime janë derdhurnë bronx. Durrësi me figura shekullore pa asnjë monument. Kemi shumë nevojë dhe detyrim të promovojmë kulturën turistike, pasurinë e madhe arkeologjike, historinë dhe qytetërimin e hershëm,, objektet e kultit dhe jetën qytetëse. Atje ku është bërë universiteti ka qenë një reliev shumë i mirë, sot nuk është më. Tek stacioni trenit, ku është bërë lulishte, ka qenë një mozaik i mrekullueshëm, më i bukuri në Durrës, u prish. Shatërvani, një objekt i vonë, ka një vit pa ujë. Kështu me rradhë. Duhet t’i jepet fund sa më parë dëmtimit të pasurisë. Nga ana tjetër duhen vlerësuar figurat e çmuara. Po u sjell ndërmend diçka. Të gjithë e dinë se cili është Vangjel Toçi. Si ka mundësi të mos ketë asnjë institucion emrin e këtij studiuesi dhe arkeologu të madh? Kemi muzeun arkeologjik pa emër. Pse të mos mbajë emrin e Vangjelit? Cilit i intereson të e lërë në harresë? Ai është qytetar i nderuar, patriot e atdhetar, studiues dhe arkeolog ndër më të mëdhenjtë. Si ai ka edhe të tjerë emra të fjetur nëpër sirtrarë të zyrtarëve burokrat dhe mediokër të cilët kapen pas fijeve vetëm për të mos u dhënë njerëzve të merituar atë që u takon. Ka një përrallë shumë të bukur Andersen dhe që titullohet “Mbreti lakuriq”. Mbreti u deklaroi oborrtarëve se pasdite do të vishte një kostum shumë të bukur. Ashtu edhe bëri. Pasdite doli i veshur bukur! Të gjithë nisën t’i bëjnë lavde duke thënë “Sa bukur!”, “Sa i shkoka mbretit!”, “Nuk kam parë kostum më të bukur”. Rastësisht aty pranë qëlloi një fëmijë i cili tha “Ouuu, mbreti lakuriq!”. Mbreti vërtetë kishte dalë lakuriq, por asnjë nga oborrtarët nuk guxonte t’i thoshte. Edhe ne po jetojmë një kohë që nuk e themi dot haptazi atë që mendojmë e shohim se kemi fëmijë, nipër, mbesa. Ne jemi shqiptar dhe jemi hakmarrës. Nuk e njohim demokracinë dhe nuk kemi për ta njohur.
*Sqarim: Për shkak të një problemi, janë fshirë nga memoria e web-it bulevardnews.com, më shumë se 100 portrete, intervista dhe dossier. Shkrimet në fjalë janë të gjithë të botuar në gazetën Bulevard në versionin print dhe pavarsisht se në këto vite shumë njerëz kanë shkruar edhe për emra të përbashkët, koha, rrethanat, problematika, këndvështrimi kur janë botuar këto shkrime mbartin në vetvete një pjesë të memories së qytetit të Durrësit. Duke kërkuar ndjesë, disa prej emrave të shkrimeve nuk jetojnë, redaksia do t’i rihedhë edhe në online, ashtu siç edhe janë botuar, pa ndërhyrë. Koha dhe njerëzit kanë të drejtën e gjykimit dhe vlerësimit. Ky sqarim do të shoqëroj çdo shkrim për të rikrijuar arshivën online. Një falenderim për grupin e punës dhe veçanërisht gazetarin Xhevahir Gradica, që është marrë me këtë rubrikë në gazetën Bulevard. Ju faleminderit për mirëkuptimin!







