Turqia po punon për të siguruar kalimin e sigurt të rreth 200 civilëve të bllokuar në tunele në Gaza, pasi ka lehtësuar kthimin e një ushtari të ndjerë izraelit të vrarë atje më shumë se një dekadë më parë, tha një zyrtar i lartë turk vonë të dielën.
Grupi militant palestinez Hamas theksoi më parë se luftëtarët e fshehur në zonën e Rafah të mbajtur nga Izraeli nuk do t’i dorëzohen Izraelit dhe u kërkoi ndërmjetësve të gjejnë një zgjidhje për një krizë që kërcënon armëpushimin njëmujor.
Veçmas të dielën, Izraeli tha se mori eshtrat e Hadar Goldin, një oficer ushtarak i vrarë në një pritë në Gaza gjatë luftës Izrael-Hamas në vitin 2014, pas një dorëzimi nga Kryqi i Kuq.
Turqia, bëri të ditur zyrtari i lartë, “lehtësoi me sukses kthimin e eshtrave të Hadar Goldin në Izrael pas 11 vitesh” pas “përpjekjeve intensive (që pasqyrojnë) angazhimin e qartë të Hamasit ndaj armëpushimit”.
“Në të njëjtën kohë, ne po punojmë për të siguruar kalimin e sigurt të rreth 200 civilëve të Gazës që aktualisht janë të bllokuar në tunele”, tha zyrtari për Reuters.
Turqia ishte nënshkruese e marrëveshjes së armëpushimit Izrael-Hamas muajin e kaluar, e mbështetur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Ajo ka lidhje të ngushta me grupin palestinez dhe ka kritikuar ashpër fushatën ushtarake të Izraelit në Gaza.







