Ballina Politika Anduena Llabani zbulon aferën e parkut eolik: Kompania që shpalli Balluku si...

Anduena Llabani zbulon aferën e parkut eolik: Kompania që shpalli Balluku si amerikane, e regjistruar në Ishujt Bermuda dhe seli në Beograd! Ka lidhje të forta politike në Serbi

42
0

Moderatorja e emisionit “Oponencë” dhe gazetarja investigative Anduena Llabani ka bërë një denoncim të fortë në studio, lidhur me ndërtimin e një parku eolik në Shqipëri, një projekt i shpallur nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila aktualisht është marrë e pandehur nga SPAK.

Në fjalën e saj, Llabani zbuloi se pas kompanisë Continental Wind Partners, të cilën Balluku e ka paraqitur si një investim amerikan, fshihet një strukturë e ndërlikuar offshore me lidhje të dyshimta rajonale.

“Continental Wind Partners, a është me të vërtetë kompani amerikane siç pretendon Balluku? Nga investigimi ynë rezulton se kjo kompani është regjistruar në Ishujt Bermuda, pra si një kompani offshore, ndërsa selinë operative e ka në Beograd,” deklaroi Llabani.

Ajo shtoi se redaksia i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Infrastrukturës për informacion mbi aplikimet e kompanive shqiptare në fushën e energjisë së rinovueshme.

“Sipas të dhënave që kemi siguruar, numri i aplikimeve shqiptare arrin në 438, gjysma e të cilave janë refuzuar. Ndërkohë, për periudhën 2019–2024, nuk ka asnjë aplikim për projekte në fushën e energjisë eolike,” theksoi gazetarja.

Llabani ngriti alarmin për atë që e quajti “rrjet politik dhe ekonomik të fshehur pas emrit të një kompanie të huaj”, duke theksuar se ky projekt ka lidhje të forta me Beogradin dhe me interesa të ngulitura në krimin financiar në rajon.

“Qeveria shqiptare është shumë e etur për kontrata me kompani perëndimore dhe për anëtarësimin në Bashkimin Europian, ndaj ka pranuar çdo lloj projekti pa u kujdesur të verifikojë se kush qëndron pas tyre,” përfundoi Llabani.