Ballina Aktualitet Autoritetet mbikëqyrëse do të raportojnë menjëherë çdo dyshim për pastrim parash brenda...

Autoritetet mbikëqyrëse do të raportojnë menjëherë çdo dyshim për pastrim parash brenda 72 orëve

55
0

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin që përcakton rregullat dhe procedurat e raportimit që duhet të ndjekin autoritetet licencuese dhe mbikëqyrëse ndaj Agjencisë së Inteligjencës Financiare (AIF) në rastet kur konstatojnë dyshime për pastrim parash, financim terrorizmi apo financim të armëve të shkatërrimit në masë.

Sipas vendimit, autoritetet janë të detyruara të raportojnë menjëherë dhe jo më vonë se 72 orë nga momenti i konstatimit të dyshimit ose marrjes së informacionit për veprimtari të dyshimta.

Rastet e raportimit përfshijnë situata kur ka parregullsi në dokumentacionin identifikues apo në justifikimin e burimit të fondeve; vërehet mosjustifikim i pasurisë ose i burimit të saj ligjor; ekziston dyshim se kapitalet apo pasuritë rrjedhin nga vepra penale; aktiviteti i licencuar mund të përdoret për qëllime terroriste ose për financimin e tyre.

Raportimi bëhet me shkrim ose elektronikisht, përmes formularit të miratuar zyrtarisht dhe mund të dorëzohet përmes platformës elektronike të AIF.

Shkëmbimi i informacionit zhvillohet mbi bazën e konfidencialitetit të ndërsjellë midis institucioneve, ndërkohë Autoritetet duhet t’i përgjigjen kërkesave të AIF brenda 10 ditëve kalendarike, ose më shpejt në rastet urgjente.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

Vendimi i plotë: 

V E N D I M

PËR 

FORMËN, MËNYRËN DHE PROCEDURËN E RAPORTIMIT  TË TË DHËNAVE NGA AUTORITETET LICENCUESE DHE MBIKËQYRËSE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 28, të ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Autoritetet licencuese dhe mbikëqyrëse raportojnë tek autoriteti përgjegjës, Agjencia e Inteligjencës Financiare, menjëherë dhe jo më vonë se 72 (shtatëdhjetë e dy) orë nga çasti i konstatimit të çdo dyshimi, informacioni apo të dhëne, që lidhet me pastrimin e parave, financimin e terrorizmit apo financimin e armëve të shkatërrimit në masë për veprimtaritë nën juridiksionin e tyre, në rastet kur:
  2. a) kanë dyshime që mund të lidhen me parregullsi në dokumentacionin identifikues e justifikues të burimit të ligjshëm të kapitaleve me ato reale;
  3. b) vërejnë mosjustifikim të pasurisë apo të parave të deklaruara nga pikëpamja ekonomike ose ligjore;
  4. c) kanë informacione, sinjalizime se të dhënat për paratë apo pasuritë e depozituara për licencim rrjedhin nga vepra penale ose janë të përziera me para apo pasuri të tilla apo kur dyshojnë se veprimtaria që kërkohet të licencohet do të ngrihet për të realizuar ose për të mbështetur pastrimin e parave;

ç) kanë të dhëna apo dyshime për përfshirje ose qëllime, që vërtetojnë se veprimtaria do të përdoret për të kryer, mbështetur, lehtësuar, ruajtur, nxitur ose fshehur aktet terroriste apo do të financojnë terrorizmin;

  1. d) kanë dyshime të tjera, të bazuara në gjendjen ose në rrethanat, që nuk janë parashikuar më lart.
  2. Mënyra e raportimit nga autoritetet licencuese dhe mbikëqyrëse në Agjencinë e Inteligjencës Financiare bëhet në formë shkresore ose elektronike me anë të formularit që paraqitet në aneksin I “Formulari i raportimit të aktivitetit të dyshimtë nga autoritetet licencuese dhe mbikëqyrëse”, shoqëruar nga instruksionet për plotësimin e tij, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij. Raportimi në formë elektronike kryhet në platformën elektronike të administruar nga Agjencia e Inteligjencës Financiare.
  3. Informacioni i raportuar apo i shkëmbyer me Agjencinë e Inteligjencës Financiare kryhet në bazë të konfidencialitetit të ndërsjellë.
  4. Autoritetet licencuese dhe mbikëqyrëse i kthejnë përgjigje Agjencisë së Inteligjencës Financiare brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga data e marrjes së kërkesës për informacion. Në raste urgjente, autoriteti përgjegjës mund të kërkojë informacion edhe brenda një afati më të shkurtër sesa ai i parashikuar në ligj.
  5. Vendimi nr.343, datë 8.4.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për mënyrat dhe procedurat e raportimit të autoriteteve licencuese dhe/ose mbikëqyrëse”, shfuqizohet.
  6. Ngarkohen Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe autoritetet licencuese e mbikëqyrëse, të përcaktuara në ligjin nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.