Ballina Kulturë Filmi ‘Hana’ me regji të Ujkan Hysajt, premierë botërore në Indi

Filmi ‘Hana’ me regji të Ujkan Hysajt, premierë botërore në Indi

54
0

Në programin e mëngjesit në RTK, ishte i ftuar Ujkan Hysaj, regjisor i filmit “Hana”, i cili do të ketë premierën botërore në edicionin e 56-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Goa të Indisë një festival i kategorisë A dhe ndër më prestigjiozët në botë.

Filmi është përzgjedhur në kategorinë zyrtare të garës për “ICFT–UNESCO Gandhi Medal Award”, një çmim që nderon filmat që pasqyrojnë idealet e UNESCO-s, si toleranca, dialogu ndërkulturor dhe paqja.

Në qendër të tregimit qëndron Sara, një aktore që bashkohet me një program të art-terapisë në Qendrën e Rehabilitimit për Gratë në Kosovë, për të ndihmuar të mbijetuarat të shndërrojnë dhimbjet e tyre në art. Por, teksa ajo zhytet në historitë e grave, përballet me plagët e veta të pashëruara, të lidhura me babanë e saj dhe me identitetin e saj të dytë, Hanën, shpjegon regjisori.

Gjatë intervistës, Hysaj foli për procesin e gjatë të punës dhe temën që trajton filmi.

“Unë edhe babi Fadili kemi hulumtuar shumë këtë temë, domethënë për një kohë shumë të gjatë. Tash 10 vite gjithmonë na ka preokupuar fakti i traumave, si fenomen, se si ndikon në jetën tonë qoftë në familje, qoftë në rrethin shoqëror. Në këtë rast traumat e grave si viktima të luftës, ku një perspektivë e mashkullit gjithmonë ka munguar. Gjithmonë këto tema janë trajtuar prej grave, kryesisht. Mirëpo një perspektivë ndryshe, me një distancë artistike, nuk është trajtuar ende. Filmin Hana, domethënë, e kemi shkruar për shtatë vite, kemi bërë hulumtime shumë të mëdha dhe ideja ka lindur si nevojë për me tregua se sa vështirë është me jetu me këtë traumë çdo ditë, domethënë këta persona”, tha Hysaj.

Në rolet kryesore interpretojnë Sheqerie Buçaj, Ilire Vinca, Refet Abazi dhe Ermin Bravo, ndërsa në kastin e aktorëve përfshihen gjithashtu Teuta Ajdini, Fatlume Bunajku, Agron Shala, Lumije Muçaj Sopi, Xhevdet Doda, Shpend Xani, Xhejlane Godanci, Bislim Muçaj, Nazmije Sylejmani, Daniela Markaj dhe Euron Kadriu.