Ballina Aktualitet Heqja e tabelës në oborrin e xhamisë, Myftiu i Shkodrës shpërthen ndaj...

Heqja e tabelës në oborrin e xhamisë, Myftiu i Shkodrës shpërthen ndaj drejtorit të Policisë

62
0

Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, ka reaguar për herë të parë publikisht pas ngjarjes që shkaktoi debate ditët e fundit — heqjes së tabelës me mbishkrim profetik nga oborri i Xhamisë “Ebu Bekr” në qendër të qytetit.

Gjatë një aktiviteti përkujtimor për Haxhi Fejzi Zaganjorin në Xhaminë e Rusit, Sytari u shpreh me tone të forta ndaj drejtorit të Policisë Vendore të Shkodrës, Gentian Berberi, të cilin e cilësoi “një rrugaç me pushtet”.

Aksioni për heqjen e tabelës u drejtua nga vetë Berberi dhe efektivët e tij më 9 nëntor, në orët e mbrëmjes, duke e larguar tabelën nga oborri i xhamisë. Kjo tabelë, e cila mbante mbishkrimin:

“Kush grabit qoftë edhe një pëllëmbë tokë, Allahu në Ditën e Kiametit ka për t’i varur në qafë shtatë palë tokë”,
ishte vendosur përballë kullës 35-katëshe që po ndërtohet pranë ish-hotel “Turizmi”.

Pas përshkallëzimit të situatës, Myftiu Sytari është takuar me kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci, ku palët kanë rënë dakord për të ulur tensionet dhe për të vijuar bashkëpunimin.

Megjithatë, Sytari nuk kurseu kritikat ndaj drejtorit të policisë, duke theksuar se “tabela do të shumëfishohet dhe do të vendoset kudo”, pasi askush — siç tha ai — “nuk mund ta ndalë të vërtetën”.