Bulevard news*
Novruz Zejnati, me gradën Doktor i shkencave në fushën e ushtrisë dhe gradën Kolonel në rezervë është dëshmitarë i betejave të ftohta e të ndezura brenda rradhëve të ushtrisë dhe kupolës më të lartë të superstrukturës shtetërore në vitet e ndëshkimit të ushtarakëve madhorë. Koloneli që solli përvojën e zbulimit nga lufta e Vietnamit dhe komandant i Brigadës së Parë në kryeqytet e ka cilësuar masakër, terror dhe krim të organizuar politik ndëshkimin e 200 ushtarakëve, burgosjen dhe ekzekutimin e figurave më të mira dhe më atdhetare të ushtrisë në vitin 1974. Zejnati ka shkuar disa herë në prag të greminës për shkak se nuk ka pranuar të mohojë dinjitetin dhe pushtetin e lartë moral e profesional të Petrit Dumes, Rrahman Parllakut dhe të krerëve më të lartë të ushtrisë në ato vite. Kolonel Zejnati është kritikuar nga Enver Hoxha ngase ishte i besuari Dumes me të cilin e kanë detyruar të ballafaqohet në qelinë e burgut i survejuar nga Kadri Hazbiu dhe Simon Stefani. Ushtaraku Novruz Zejnati që përfundoi me rezultate të shkëlqyera Akademinë Ushtarake dhe specializimin për shtatmadhor ka sjellë detaje të reja që hedhin dritë për gjyqet e sajuara të luftës se Enver Hoxhës kundër të quajturve puçistë në ushtri.
Karriera
Karrierën ushtarake, pasi ka përfunduar studimet e larta, e ka nisur në Sazan në cilësinë e shefit të OL 2-3 minisilurë artilerie. Kompania kishte diku rreth 120 efektiva ndërsa Sazani asokohe qe ndër bazat më të forta të ushtrisë dhe sigurisë kombëtare. Kolonel Zejnati kujton se në Sazan kishte brigadë të mbrojtjes së ujrave territoriale, 4 gjuajtës kundër nëndetëseve, 6 dragamina, 8 katër silurues, 2 bateri bregdetare 100 mm, 1 bateri kundërajrore 37 mm, postë zbulimi radioteknike. Komandant brigade ishte Hazis Hasa, vëllai “Heroit të Popullit” Met Hasa i cili kishte përfunduar dy Akademi dhe për të cilin, ushtaraku i ri dhe me shumë pasion në shërbim të atdheut Novruz Zjenati, ruan konsideratë të veçantë. Shumë nga oficerët e kësaj baze të fuqishme dhe të pushtetshme vinin me studime të kryera në Rusi në të gjitha specialitetet. Sazani ka pasur rreth 3200-3300 efektiva: oficerë, nënoficerë, ushtarë dhe prapavijë. Brigada kishte mison të përhershëm patrullimin dhe survejimin e plotë 12 milje nga bregu deri në ujrat ndërkombëtare si dhe gjatësinë prej 38 milje nga derdhja Vjosës deri në Porto Palermo. Zejnati u emërua shef OL 2-3 në vitin 1960, sapo përfundoi Shkollën e Bashkuar të Oficerëve. Ai kujton se baza ushtarake ishte në gartishmëri të plotë në çdo sekond dhe se disiplina e rregulli ishin të padiskutueshme për këdo brenda saj pavarësisht nëse bëhej fjalë për ushtarak apo prapavijë. Zejnati mban mend rastin që ka të bëjë me ngritjen në këmbë të të gjithë brigadës pas një detyre e cila kishte objektiv izolimin dhe goditjen e një nëndetëseje amerikane e cila kishte hyrë në ujrat e Gjirit të Vlorës. Prita nëndetëses iu bë në Mezokanal që është pika e mesme mes Karabarunit dhe Sazanit, kanal me gjerësi 2.6 milje, pikëndarja e detit Adriatik me detin Jon. Thellësi më e vogël e detit ishte 50 m dhe më e madhja 100 m. Zejnati pohon se janë hedhur 40 bomba, secila me 150 kg mbushje tritoli. Nëndetësja e huaj që kishte hyrë pa leje në bregdetin shqiptar kishte mundur të largohej para se të niste shprazja e bombavë, ndërkohë që shefi OL 2-3 kujton se nga thellësia ka dalë ujë i zi dhe sende të trazuara nga thellësia e detit. Nga këtu, kolonel Novruz Zejanti ka qenë për disa kohë adjutant i zëvendësshefit të shtabit të përgjitshhëm të ushtrisë Gjeneral Lejtnant Rrahman Parllaku. Gjenerali që do të dënohet nga Enver Hoxha me 25 vite burg për të kryer 18 vite në qeli, asokohe qe edhe zëvendësministër i Mbrojtjes. Në dhjetra shkrime, sesione shkencore, artikuj, botime dhe tryeza kolonel Zejnati ka theksuar se Gjeneral Rrahman Parllaku është më i madhi dhe më i zoti ushtarak që kanë pasur Forcat e Armatosura Shqiptare. Për shkak të aftësive dhe vullnetit të fortë Zejnati emërohet zëvendësshef zbulimi në Forcat Ushtarake Detare (FUD) dhe aty qëndroi deri më 1968. Kjo është edhe periudha e përvojës së tij të fituar në frontin e luftës mes Amerikës dhe Vietnamit.
Vietnami
Për ekperiencën e fituar në luftën e Vietnamit, Doktori shkencave ushtarake Novruz Zejnati ka shkruar një libër më vete. Ka qenë në moshën 25-vjeçare teksa është bërë pjesë e grupit të zbulimit që është nisur nga Shqipëria për të hyrë në frontin e luftës me synim fitimin e përvojës. Ata kishin të parë të grupit Spiro Adhamin, nëndrejtor i drejtorisë së zbulimit. Ishin 12 efektiva. Grupi i zbulimit përbëhej nga 8 vetë, 2 kimistë, një xhenierë dhe komandanti tyre Adhami. Itenerari ishte Shqipëri-Kinë-Vietnam. Zejnati shkoi dy herë brenda një viti duke qëndruar 6 muaj herën e parë dhe më pas 3 muaj. Qëllimi i misionit të tyre në Vietman ishte të përfitonin teorikisht dhe të ndiqnin në praktikë atë që ndodhte në terrenin e luftës, luftë e cila vazdhoi për 22 vite duke i shkaktuar dështim amerikanëve, kurse vitnamezët humbën 7 milion ushtarë e qytetarë. Vietnami ishte i gjithi në luftë, pra lufta nuk bëhej në vijë fronti, gjë që e bëri të pamundur pushtimin. Kolonel Zejnati kujton se Vietnami ishte një eksperiencë shumë e veçantë zbulimi. Atje ndoqën nga afër përdorimin e mbrojtjes kundër aviacionit dhe studiuan veprimet e reparteve speciale, të cilat më pas do të bëhen udhërrëfyese për riorganizimin e mbrojtes në Shqipëri. Misioni 12 efektivave të zbulimit ishte sekret dhe është mbajtur i tillë gjatë gjithë kohës deri në kthimin e tyre në atdhe, ndërkohë që kolonel Zejnati pohon se as familjarët e tyre nuk kishte dijeni për një mision të tillë. Pas Vitnamit në Shqipëri u bë nga e para mbrojtja kundërajrore, u krijuan forcat sulmuese si strukturë e re e ushtrisë për veprime në front e në prapavijë të armikut. I gjithë riorganizimi mbështetej në përvojën e fituar në Vietnam.
Mbrojtja Rinasit
Gjatë viteve 1973-1978 kolonel Novruz Zejnati ka shërbyer si komandant i Brigadës së Parë që ishte e vendosur në kryeqytet. Birigada kishte rreth 4000 efektiva dhe të gjithë së bashku përbënin elitën e ushtrisë shqiptare. Detyrë speciale e Brigadës së Parë ishte mbrojtja e kryeqytetit, mbrojtja e aeroportit të Rinasit dhe evakuimi i udhëheqjes së kohës në rast lufte, detyrë e mision special. Komandant Noke, siç njihet ndër efektivat e ushtrisë kolonel Zejnati, varej drejtpërdrejtë nga ministri i Mbrojtjes. Urdhërat i jepte Komandanti i Përgjitshhëm, Enver Hoxha, ndërsa ato ishin të futura në zarf dhe të vulosura me vulë të kuqe. Ishin 12 zarfa për të cilat kishte 12 transportues të blinduar që urdhëroheshin nga 12 oficerë madhorë. Kasaforta me 12 zarfa ishte nën mbikqyrjen e kolonel Zejnatit i cili ishte i vetmi përgjegjës për ruatjen dhe sigurinë e tyre. Udhëheqja në rast evakuimi strehohej në Bërzhitë, vendkomandë e luftës, qytet nëntokësor me salla, zyra, bibliotekë, administratë, kuzhinë, fjetina dhe gjithçka tjetër të nevojshme për të funksionuar. Plani për mbrojtjen e Tiranës, përfshirë edhe aeroportin e Rinasit dhe të Tiranës, u përgatit nga shefi shtabit Novruz Zejnati, Bardhyl Manjani operativ, Sabri Ethemi për artilerinë dhe Aleko Konga për tanke. Plani mbikqyrej nga ministri Brendshëm Kadri Hazbiu dhe komisar Avdyl Këllezi. Pasi ata dhanë pëlqimin, i shkoi Shtabit të Përgjitshhëm dhe Enver Hoxhës, ndërkohë që miratimin e bëri Mehmet Shehu. Zejnati kujton se për të përgatitur këtë plan u mor në mënyrë të përpiktë mbrojtja e Hanojit në Vietnam dhe që konsistonte në krijimin e brezave të mbrojtjes nga mitralozi 12.7 mm deri në përdorimin e raketave. Kështu në rrezen e parë vendoseshin 12.7 mm, pastaj vinte rradha e topave sipas diametrit : 37 mm, 57 mm, 85 mm-100 mm që godisnin dhe mbronin deri në 10 mijë metra për të mbyllur kurorën mbi kryeqytet me avionë dhe raketa. Disa vite më pas, saktësisht në kohën që Shqipëria la pas sistemin komunist, plani është parë me sy shumë admirues nga ushtarak madhorë turq e amerikan.
Njohja me Petrit Dumen
Dume ka ushtruar funksione shumë të larta ushtarake e politike. Ai ka qenë shef i Shtabit të Përgjitshhëm të ushtrisë dhe kandidat i Byrosë Politike. Zejnati mban mend se në kohën që studionte në shkollën e mesme si Skënderbegas, është takuar për herë të parë me Dumen dhe kjo jo rastësisht. Mësuesi Zejnatit teksa ka dhënë opinionin e tij është shprehur për të “Me përgatitje minimale arrin rezultate maksimale”. Rezultatet e shkëqyera në mësime nxisin interesimin e Dumës i cili ndiqte me shumë vëmendje ecurinë e Skënderbegasve. Takimet me shefin e Shtabit të Përgjitshhëm u bënë të shpeshta pasi Zejnati emërohet në detyra të rëndësishme në Sazan, në strukturat e zbulimit pranë Forcave Ushtarake Detare dhe në Brigadën e Parë. Për shkak të cilësive të kolonel Nokes, Dume afron garanci për ta thithur Zejnatin në Shtabin e Përgjitshhëm. Edhe tani që kanë kaluar 40 vite nga koha ndëshkimit të padrejtë të Dumes dhe ushtarakëve të tjerë madhorë, mes tyre edhe të Gjenaral Lejtnant Rrahman Parllaku, Kolonel Zejnati nuk ka ndryshuar asgjë në qëndrimin dhe vlerësimin e tij për elitën e ushtrisë. Për Petrit Dumën është shprehur se “Dume ishte me mendje e shpirt të madh, shumë i aftë dhe tepër serioz, ushtarak me vizion të qartë dhe atdhetar i denjë”. Koloneli ka qenë për vite të tëra pranë Dumes ndaj ka pohuar se kusdho që e ka njohur dhe ka bashkëpunuar me të do të bëjë të njëjta vlerësime për Dumen si dhe Zejnati. Ushtaraku i rangut të lartë Novruz Zejnati e ka veshur uniformën ushtarake për herë të parë kur ishte 14 vjeç dhe e ka mbajtur deri sa ka dalë në pension, tregues ky që të bind në çdo pohim dhe mendim. Ai ka shkuar edhe më tej duke thënë se “Petrit Dume ishte gjenerali i ushtrisë shqiptare dhe se kjo ushtri nuk mund të lindë në disa breza njerëz me mendje të lartë e shpirt të madh si Dumen”.
Ndëshkimi Petrit Dumes
Në vitin 1971 u hodh për diskutim në rradhët e ushtarakëve madhorë teza e luftës së shkallës së dytë, ose ndryshe “lufta popullore”. Teza qe një imitim i plotë i materialit të Lin Biao, drejtues i ushtrisë kineze, i cili pati fatin e ndëshkimit nga udhëheqja kineze. Enver Hoxha ua sugjeroi këtë tezë ushtarakëve të lartë dhe për këtë u ngarkua ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku që të ngrinte një grup ushtarakësh për t’u marrë me të. Kjo do të ishte në fakt fillimi i fundit të tmerrshëm të ushtarakëve që u etiketuan më pas si tradhtarë dhe puçistë. Zejnati kujton goditjet që morën krerët e lartë të ushtrisë nga akuzat absurde që nisën me “antitezat” e famshme të materialit të Enver Hoxhës për ushtrisë. Në vitin 1971, kohë që shkrimi Lin Biao u botua në gazetën “Zëri i Popullit”, Gjeneral Rrahman Parllaku u bë zëvendësshef shtabi, ndërsa shefi i shtabit ishte Petrit Dume. U goditën Beqir Ballukun, Petrit Dumen, Hito Çakon , Rrahman Parllaku e të tjerë. Ndëshimi elitës së ushtrisë shqiptare erdhi në kohën që në Kinë kishte nisur Revolucioni Kulturor 1966-1977. Zejnati është bërë vet objekt i kritikave nga Enver Hoxha por koloneli është ndalur tek masakra, siç e quan, që iu bë tërë krerëve më të lartë të ushtrisë pa më të voglin shkak dhe pë më të voglën arsye. Madje ai e ka cilësuar atë lloj “pastrimi” të ushtrisë një terror të pashembullt. 200 oficerë, komandant brigade e korpusi, drejtorë drejtorish, zëvendëministra, shef shtabi e ministra do të përfundojnë në plumb, në burgje e në internime. Noke nuk ka folur e as nuk ka bërë bilancin se sa pjestarë të familjeve të ushtarakëve, të afërm e miq të tyre e pësuan rëndë dhe në mënyra të ndryshme luftën që Enver Hoxha u shpalli strukturave më të larta të ushtrisë. Duke u mbështetur në zhvillimet reale të asaj periudhe Novruz Zejnati ka kujtuar se Hoxha urdhëroi ministrin e Mbrojtjes Beqir Ballukun të ngrinte një grup pune, grup që do të përgatiste strategjinë mbrojtëse të re sipas porosisë së tij. Urdhëri ishte i prerë dhe u ngrit me shpejtësinë më të madhe. U caktua që me përpunimin e tezave do të merreshin Ernest Jakova, Agron Çomo, Spiro Shalësi dhe vetë Beqir Balluku. Materiali u diskutua në Akademinë ushtarake dhe përmbante 400 faqe. Shefi i shtabit të ushtrisë Petrit Dume nuk ishte pyetur fare lidhur me mendimin që ai kishte për sa Hoxha kishte kërkuar me ngul në tezën e kopjuar nga kinezët. Një veprim i tillë ka qenë i qëllimtë dhe kjo u mësua shumë shpejt pasi Petrit Dume dhe Beqir Balluku u vendosen përballë akuzave të rënda. Të parët që e sulmuan qenë Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo të porositur nga Hoxha. Koloneli kujton se në vitin 1974, kohë e gjuetisë së egër ndaj ushtarakave madhorë, Hysni Kapo u ka thënë njerëzve militantë politik e të pashkolluar “Ecni se na morën jeniçerët partinë” dhe se në këtë rast jeniçerët ishin ushtarakët me Akademi të kryer brenda e jashtë vendi. Dume e Balluku u akuzuan se dëmtuan unitetin në ushtri dhe krijuan kontradikta në rradhët e saj, ndrkohë që Enver Hoxha i akuzoi ata për “antiteza”. Kolonel Zejnati ka pohuar se ka qenë shumë i vendosur në kauzën ushtarake dhe se asnjëherë nuk i ka shkuar në mendje të veprojë kundër vijës së Enver Hoxhës. Pas akuzave drejtuar ndaj Dumes edhe Zejnati nuk i shpëtoi kritikave nga Hoxha. Synimi ishte të ndëshkoheshin të gjithë ata rreth Dumes ndaj kritika kishte tehun e rëndë pasi Zejnati gjykohej për dobësim të rolit udhëheqës të partisë, për strategjinë e shpërndarjes së ushtrisë në gazermë. Por nuk mbeti me kaq pasi u qarkullua edhe opinioni sikur Petrit Dume i kishte thënë Zejnatit se po përgatisin një puç ushtarak. Me këtë çështje është marrë Mehmet Shehu i cili i ka kërkuar kolonelit të bëjë autokritikë gjë që nuk është pranuar ngase Zejnati ishte i bindur se nuk kishte shkelur kundër politikës së partisë dhe interesave të ushtrisë apo të kombit. Në kohën që Petrit Dume ishte nën akuza të rënda dhe pa asnjë shpresë, Novruz Zejnati ishte komandant i Brigadës së Parë, ndaj edhe bërja e tij objekt kritike nuk ishte rastësi. Posti i lartë i kishte dhënë mundësi të bisedonte lirshëm me ministrin e Mbrojtjes Mehmet Shehun të cilit i dëshmoi se nuk i trembej asgjëje. “Nuk do të bëj autokritikë për atë që nuk e kam thënë edhe sikur të më dërgoni çoban në Lazarat”,-i është shprehur Mehmet Shehut. Kështu u vendos që nën drejtimin e hetuesit, Zejnati dhe Dume të ballafaqoheshin në qeli, bisedë e cila është ndjekur drejtpërdrejtë nga Simon Stefani dhe Kadri Hazbiu, ky i fundit ministër i Brendshëm. Koloneli thotë se e ka edhe tani pas 40 vitesh parasysh takimin me Dumen të cilin e kishin veshur me ca rroba të shpërlara ushtari dhe i kishin vënë në kokë një helmetë. Në arsyetimin e tij koloneli e ka justifikuar këtë trajtim ndaj Dumes si tendencë për ta poshtëruar dhe gjunjëzuar, por që nuk ia arritën. Komandanti Brigadës së Parë e ka quajtur katandisjen e Dumes si një turp dhe krim të shëmtuar. Dy miqtë, edhe pse kishin diferencë në moshë, u përshëndetën dhe pa asnjë lloj mëdyshje Dume ripohon se nuk ka pasur ndonjëherë në mend të bëjë puç ushtarak dhe se me Noken nuk janë biseduar ndonjëherë çështje të tilla. Ky ka qenë edhe takimi i fundit mes tyre.
Rehabilitimi e ndëshkimi Nokes
Dy vite pasi Novruz Zejnati kritikohet nga Enver Hoxha, rehabilitohet nga Mehmet Shehu i cili ishte njëherësh ministër i Mbrojtjes dhe Kryeministër. Shehu e propozoi për komandant korpusi në Burrel, propozim që nuk u pëlqye dhe u refuzua nga kolonel Noke. Çdo gjë kishte të bënte me inspektimin që kryeministri bëri në Brigadën e Parë dhe meqë Zejnati doli shumë mirë, u bë edhe propozimi. Koloneli duke kujtuar atë periudhë ka thënë se kunati Rrahman Parllakut pas dënimit të Gjeneralit u bë zëvendës i Hysni Kapos dhe anëtar i Komitetit Qëndror, ndryshe nga rrethi tjetër familjar e fisnor i Parllakut që u ndëshkuan e u dëbuan. Çuçi ushtronte funksionet e komisarit të ushtrisë, ndërsa marrëdhëniet me të Zejnati nuk i kishte të mira për shkak të respektit që ky i fundit kishte dëshuar hapur për Petrit Dumen. Zejnati ka treguar se Çuçi ka përdorë Bajram Sadikun, sekretar i komitetit të partisë në ministrinë e Mbrojtjes për të goditur kolonelin dhe konkretisht ka sajuar të pavërtetën sikur Novruz Zejnati ka thënë se Mehmet Shehu ka vrarë Beqir Ballukun dhe Petrit Dumen padrejtësisht. Edhe sot Noke nuk e pranon ta ketë thënë një gjë të tillë ndërsa ka bërë të ditur se bëhej fjalë për gënjeshtër të sajuar nga Çuçi. Koloneli shpëtoi nga e keqja, por jo nga vërejtja, ndërsa gjërat erdhën e u konfrontuan kur Gafurr Çuçi shkoi për të inspektuar Brigadën e Parë. Zejnati, të cilit nuk i kishte ikur zemërimi për kurthin që tentoi t’i bënte zëvendësi Hysni Kapos, refuzon inspektimin. Por biseda nuk mbetet vetëm në kuadrin e shkëmbimit të replikave pasi Zejnati e nxjerr dhunshëm Çuçin nga zyra, incident që nuk mund të kalonte as thjeshtë dhe as pa ndëshkim. Zejnati ka pohuar se kishte bërë veprimin më të mirë dhe më seriozin dhe se për të nuk kishte rëndësi nëse do të ndëshkohej apo jo. Koloneli ishte shumë i sigurtë se Çuçi kishte shkuar për t’u grrisur dhe për të sajuar ndonjë tjetër intrigë ndaj gjeti rrugën më të shkurtër. Hysni Kapo në atë kohë gjendej në Paris për kurime dhe me t’u kthyer vihet në dijeni për atë që kishte ndodhur mes Çuçit dhe komandantit të Brigadës së Parë. Kapo e transferon në Manzë të Durrësit Noken i cili refuzon vendimin, por që më pas detyrohet të bindet pas ndërhyrjes së Mehmet Shehut i cili e shoqëroi vet ditën e parë të emërimit të tij në brigadën e Manzës ku qëndroi nga viti 1979 deri në vitin 1994, kohë e daljes në pension.
Intriga
Pas diskutimit në kolegjiume, materiali u vendos që të diskutohej në 7 korpuset e ushtrisë dhe të ripunohej, por pa shkuar deri në rangun e brigadave, sepse duhej të shkonte më parë në këshillin e mbrojtjes për t’u plotësuar ku ishte Enver Hoxha kreu i këtij këshilli. Komandantët e korpuseve ndërkohë e panë materialin, bënë shënimet dhe vërejtjet e tyre dhe kështu shënimet e tyre shkuan tek Enver Hoxha. Pasi e pa Enver Hoxha e quajti atë “antitezë” dhe nisi menjëherë furia. I pari që pësoi goditje ishte Beqir Balluku, i cili u përjashtua menjëherë nga Byroja Politike, por më pas vinin diskutimet me radha në ushtri. Për këtë qëllim bëhet një mbledhje e zgjeruar e kuadrove të ushtrisë në Golem. Novruz Zejnati tregon se në 4 korrik 1974 në Golem u ngritën shumë çadra të ushtrisë dhe zona e gjithë u vendos nën një shtetrrethim të rreptë. Në mbledhje merrnin pjesë komandantët dhe komisarët e gjithë brigadave. Atyre iu tha që materialin ta lexonin dhe të diskutonin me shkrim secili se çfarë mendimi kishin, por pa u konsultuar fare me askënd. Ky ishte kurthi që u përdor në këtë rast për shumë kuadro të ushtrisë që do të goditeshin pa mëshirë. Pas leximit u mblodhën të gjitha diskutimet me shkrim, por menjëherë pas tij Mehmet Shehu dhe Kadri Hazzbiu u shprehën se: “Këtë material e kanë përgatitur Beqir Balluku me një grup kalemxhinjsh”.
Currikula Vitae
Novruz Zejnati është lindur në Delvinë më 1941
Arsimin e detyruar e kryen në Lazarat të Gjirokastrës
Përfundon studimet e mesme në shkollën ushtarake “Skënderbej”
Arsimohet për studime të larta në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve
Thellon njohuritë në sferën ushtarake “Akademia ushtarake”
Kryen kursin njëvjeçar për Shtatmadhor
Mban gradën shkencore: Kandidat i shkencave
Doktor i shkencave në fushën e ushtarake
Kolonel në rezervë
Oficer i rangut të lartë për 30 vite
Ka kryer detyra të rëndësishme në hierarkinë ushtarake
Pjestar i grupit prej 12 ushtarakësh të kundërzbulimit në luftën Vietnamezo-amerikane
Pedagog në Akademinë e Shtabit të Përgjitshhëm
Autor i librave, studimeve, referateve
Pjesmarrës në shumë konferenca shkencore
Udhëheqës dizertacioni për studentë e ushtarakë
I vlerësuar me urdhëra e medalje
Gjeneral Rrahman Parllakut
Ç’ legjenda rrit Luma
Ç’ lis me rrënjë gjaku
Ramadan Zaskoca
Dhe Rrahman Parllaku
Njëri flakë baroti
Tjetri palcë e gurit
Si dy krahë shqiponje
Në fushë të flamurit
Sa herë shkoj në Vlorë
Më mbyt nostalgjia
Nga sheshi Avniut
Gjer tek Muradija
Një krism’ revolveri
Me flakë prej stërralli
Tradhëtisë plumbat
Tek ja jep mes ballit
Si statujë lirie
Derdhur në çelik
Komisar Rrahmani
Shok, vëlla dhe mik
Sup më sup me qiellin
Me erën farmak
Një këmbë mban në Vlorë
Tjetrën në Sanxhak
Me vështrim të syrit
Ndrive krejt një shekull
Shekull trimërie
Që merr gjak në vetull
S’ të ndalën marrshimin
As plumbi, as predha
Trimëria jote
Lumë me katër rrjedha
Para të prijnë flakët
Pas të vjen stuhia
Atdhe kishe zemrën
Mëmë të ish liria
Pas t’u sulën bishat
Dhe qentë e skërmitur
Vallë çfarë u kish bërë
Emri yt i ndritur?
Ish çmendur Zeusi
Dhe koha kish ngrirë
Një hero lirie
Lidhur me zinxhirë
Pranë tij në pranga
Petriti, Beqiri, Hitua
Diejt e atdheut
Rrëzuar mes hiri
Atdheu fshinte lotët
Me sy prej trishtimi
Zot i madh më thuaj
Ç’ është ky lloj mallkimi?
Dhe teksa shikoje
Veten të prangosur
Një shqiponjë papritur
T’u përkul në duar
Diç të tha tek veshi:
-Mbahu siç je, burrë
Tradhëtarët vdesin
Heronjtë s’ vdesin kurrë
Dhe ti mbete mik
Ashtu siç të desha
Si një mal epik
Rënduar nga pesha
Me diej qëndrese
Vështrim gjenerali
Ata që t’u sulën
Koha nuk i fali
Vitet ecin para
Ti nuk plakesh kurrë
E ku pyet nga erërat
Gjallica krenare!
Doktor i shkencave Novruz Zejnati Kolonel rezervë
*Sqarim: Për shkak të një problemi, janë fshirë nga memoria e web-it bulevardnews.com, më shumë se 100 portrete, intervista dhe dossier. Shkrimet në fjalë janë të gjithë të botuar në gazetën Bulevard në versionin print dhe pavarsisht se në këto vite shumë njerëz kanë shkruar edhe për emra të përbashkët, koha, rrethanat, problematika, këndvështrimi kur janë botuar këto shkrime mbartin në vetvete një pjesë të memories së qytetit të Durrësit. Duke kërkuar ndjesë, disa prej emrave të shkrimeve nuk jetojnë, redaksia do t’i rihedhë edhe në online, ashtu siç edhe janë botuar, pa ndërhyrë. Koha dhe njerëzit kanë të drejtën e gjykimit dhe vlerësimit. Ky sqarim do të shoqëroj çdo shkrim për të rikrijuar arshivën online. Një falenderim për grupin e punës dhe veçanërisht gazetarin Xhevahir Gradica, që është marrë me këtë rubrikë në gazetën Bulevard. Ju faleminderit për mirëkuptimin!







