Ballina Opinion Një popull në kërkim të opozitës

Një popull në kërkim të opozitës

49
0

Nga Gentian Gabo 

Nga zgjedhjet e pjesshme nuk ranë në sy fituesit e zakonshëm të një partie të konsoliduar, që ka edhe gurin edhe arrën, siç e përshkruan raporti i fundit i OSBE/ODIHR marrëdhënien e partisë në pushtet me shtetin.

Por ra në sy mungesa e jashtëzakonshme e qytetarëve.Në kutitë e votimit nuk munguan vetëm fletët, por shpresa. Dhe ajo nuk është më një fjalë e madhe për t’u përdorur në fjalimet politike, por një realitet që matet me shifra: shqiptarët nuk po votojnë, sepse nuk kanë për kë të votojnë.

Në pesë bashkitë ku u zhvilluan zgjedhjet e fundit, pjesëmarrja ra në nivele që, në çdo demokraci funksionale, do të përbënin një alarm kombëtar. Ky nuk është më bojkot pasiv, por një revoltë e heshtur ndaj një sistemi politik që ecën përpara nga inercia, duke e lënë vendin në një limonti aspiratash.

Abstenuesi nuk është më një qytetar i painteresuar. Është një qytetar i zhgënjyer, që ndien se çdo votë është e pavlefshme përballë një qeverie të plotfuqishme dhe një opozite të pafuqishme për të qenë zëdhënëse e ndryshimit që kërkohet.

Kur qytetarët zgjedhin të mos votojnë, ata nuk janë apatikë, por janë protestues. Dhe kjo protestë është shumë më e thellë se çdo pankartë apo miting.

Ata që sot heshtin përballë kutive, janë po ata që nesër mund të flasin ndryshe, nëse dikush u flet në gjuhën e tyre.

Sot Shqipëria ka një qeveri të fortë, por jo sepse është e mirë, sepse përballë ka boshllëk.

Dhe ajo masë e madhe abstenuesish është një popull në kërkim të opozitës.

Jo si dekor formal i qeverisë së lodhur nga skandalet dhe e gjymtuar nga drejtësia, por si mishërimi i një kontrate të gjerë sociale që bashkon dhe nuk ndan; që arsyeton dhe nuk shpik armiq; që denoncon, por njëkohësisht paraqet alternativën; që dëgjon dhe nuk bën sikur; që zgjedh reformimin, jo riciklimin; që është zëri i arsyes, i moderuar dhe i kthjellët, jo i ekstremeve që i flasin barkut të rrjeteve sociale, të mbyllura në “dhomat e jehonës”.

Çdo sipërmarrës politik, duke parë këtë kërkesë të lartë, 80% të atyrë që qëndruan në shtëpi, do të ishte në gjendje të formulonte një ofertë për të qëndruar në tregun politik.

Receta është e gdhendur në profilin e të munguarve në zgjedhje; produkti duhet të jetë në gjendje t’i tërheqë ata.

Nëse ajo që e quan veten “opozitë” do të mjaftohet vetëm me emrin, pra duke kërkuar vetëm një etiketë dhe një post në politikën binare të Shqipërisë, duke u ngjarë më shumë atyre që “ashpërsisht” i lufton, kur vetëemërohen sipas dëshirës, dhe jo të veprojë realisht si e tillë, pra të jetë alternativa konkurruese, frymëzuese dhe zëdhënëse e aspiratave qytetare, atëherë abstenuesit do të mbeten shumicë, opozita pakicë dhe Rama kryeministër.

Rruga përpara është e mirëpërcaktuar, sepse asgjë si mungesa e alternativave nuk ta thjeshton zgjedhjen.

Nëse ata që pretendojnë të jenë opozitë do të vijojnë të jenë ata që kanë qenë, të mbyllur në pallatin e llafazanëve, do të marrin në qafë veten dhe shoqërinë shqiptare.

Por nëse do të ndryshojnë dhe paqtojnë gjakrat me shoqërinë, me faktorët politikë, ekonomikë dhe intelektualë të vendit, nëse do të përcaktojnë rregulla të përbashkëta dhe mekanizma për respektimin e tyre, nëse do të punojnë me vërtetësi dhe durim në ndërtimin e një mozaiku të ndërlikuar poliedrik, premisa e të cilit është respektimi i nuancave të larmishme të së djathtës shqiptare, atëherë rezultatet do të vijnë.

Dhe në fund të gjithë këtyre “nëseve”, lidhëzës kushtore mes aspiratës dhe realitetit, mbeten ata që kanë forcën për t’i ndërmarrë këto hapa.

Kur t’i hedhin ato në drejtimin e shumicës abstenuese, do të kuptojmë që duan t’i shërbejnë qytetarëve.

Kur t’i hedhin në drejtimin e kundërt, do të kuptojmë, edhe njëhërë, që duan t’i shërbejnë vetëm karrigeve të tyre.