Ballina Kronika Prapaskenat e rekrutimit të Muçi Shaljanit në AMP dhe detyra për drejtorin...

Prapaskenat e rekrutimit të Muçi Shaljanit në AMP dhe detyra për drejtorin Merkaj

81
0

Nga Klodiana Lala

Muçi Shaljani, i njohur ndryshe si Sheqeri, me detyrë agjent pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) — institucion që heton përfshirjen në krim apo korrupsion të punonjësve të Policisë së Shtetit — mbeti i plagosur në atentatin mafioz të ndodhur mesditën e së martës te rrethrrotullimi i aeroportit të Rinasit.
Ai ndodhej në shoqërinë e Gilmando Danit, një ish-bos krimi, i besuar i Emiljano Shullazit, i cili mbeti viktimë në atentat.

Ngjarja cilësohet ndër më të organizuarat e viteve të fundit, jo vetëm për shkak të shënjestrës Gilmando Dani, por edhe të vendndodhjes — pak metra larg derës së vetme të aeroportit ndërkombëtar të vendit. Shaljani dhe Dani kishin udhëtuar bashkë nga Tirana drejt Barcelonës dhe ishin kthyer po në shoqërinë e njëri-tjetrit. Shoqërimi i një agjenti të AMP-së me një person me profil të tillë kriminal është, në vetvete, një kambanë alarmi.

Muçi Shaljani alias Sheqeri u rekrutua pa asnjë procedurë si agjent, me një kontratë të firmosur në shtator. Në atë periudhë, nga AMP-ja ishte larguar Florian Sulejmani — dorëheqje formale pas ndërhyrjes direkte të kryeministrit Rama, pas një debati për shkarkimin e një punonjësi të AMP-së në Vlorë. Drejtimin e strukturës, e cila është nën varësinë e Ministrit të Brendshëm, e mori zëvendësdrejtori Artjol Saliasi.

Pa paragjykuar mënyrën si e drejtoi Saliasi AMP-në gjatë komandimit, rezulton se Shaljani u pranua pa asnjë procedurë përzgjedhjeje dhe kontrata e tij përfundonte në fund të këtij muaji. Ai arriti madje të sigurojë edhe certifikatën e sigurisë — dokument që lëshohet me përfshirjen e AKSIK, rol i të cilit duhet hetuar. Për më tepër, Shaljani ka kaluar filtrat institucionalë ndërkohë që, në mes të Tiranës, ka zaptuar hapësira publike me hotelin e tij, pa u prekur nga askush.

Gjatë periudhës kur AMP drejtohej nga një emër i panjohur për publikun, janë rekrutuar me kontrata të përkohshme edhe agjentë të tjerë, me profil të paqartë. Me ardhjen e Eduart Merkajt në krye të AMP-së — një zyrtar me karrierë të gjatë në polici — situata pritet të ndryshojë. Merkaj, i njohur me problemet brenda strukturës, ka kërkuar verifikimin e të gjithë punonjësve të AMP-së, përfshirë edhe Muçi Shaljanin.

Kjo procedurë, që në fakt duhej të ishte kryer prej kohësh, duket se nuk ka qenë prioritet për drejtuesit e mëparshëm. Tani, mbetet për t’u parë nëse nisma e drejtorit të ri do të sjellë pastrimin e Agjencisë nga agjentët e lidhur me krimin apo të korruptuarit. Sepse nëse AMP nuk pastrohet, nuk mund të pastrohen as radhët e Policisë së Shtetit nga oficerët e inkriminuar.