Trump i dhuroi parfum presidentit sirian al-Sharaa në Shtëpinë e Bardhë, duke bërë shaka teksa e pyet se sa gra ka udhëheqësi i vendit të Lindjes së Mesme.
Një video është bërë virale ku shihet Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duke i dhuruar një shishe parfumi Presidentit sirian Ahmed al-Sharaa në Shtëpinë e Bardhë dhe duke e pyetur me shaka se sa gra ka.
Trump u takua të hënën me homologun e tij sirian, duke shënuar vizitën e parë të një udhëheqësi sirian në Uashington që nga pavarësia e vendit në vitin 1946.
Ndërsa spërkati një sasi të vogël parfumi në drejtim të al-Sharaa-s, të hënën, Trump tha: “Është aroma më e mirë. Dhe tjetra është për gruan tënde.” “Sa gra ke?” Al-Sharaa, i habitur për një moment, u përgjigj “një”, duke shkaktuar të qeshura të shumta nga Trump dhe zyrtarë të tjerë në Shtëpinë e Bardhë. Trump më pas u përgjigj me shaka, “Nuk i dihet kurrë me ju!”







