Me rritjen e përdorimit të kriptomonedhave nga grupet kriminale, SPAK po has vështirësi në menaxhimin dhe ruajtjen e këtyre aseteve virtuale të sekuestruara gjatë hetimeve.
Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve për buxhetin e institucionit, prokurori i SPAK-ut, Vladimir Mara, zbuloi se përveç sekuestrimeve të aseteve tradicionale, tani krimi i organizuar po orienton fitimet e tij të paligjshme drejt monedhave virtuale. Por, ndryshe nga pasuritë e tjera, këto asete nuk kanë ende një bazë ligjore apo teknike për t’u administruar brenda sistemit shqiptar të drejtësisë.
“Grupet kriminale po shtojnë përdorimin e kriptomonedhave. Portofolet dixhitale kërkojnë mirëmbajtje, ndërkohë që duhen edhe ndërhyrje ligjore për mënyrën se si ato ruhen dhe menaxhohen,” tha Mara.
Në janar 2024, SPAK njoftoi rastin e parë të sekuestrimit të kriptovalutave në vend, me vlerë rreth 10 milionë njësi, që i përkisnin vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja. Për shkak të mungesës së kapaciteteve vendase, këto kriptomonedha po ruhen aktualisht me ndihmën e prokurorisë italiane.
Ky rast, sipas prokurorit të SPAK, ka vënë në pah domosdoshmërinë e krijimit të një kuadri të qartë ligjor dhe teknik për administrimin e pasurive virtuale të sekuestruara. Për momentin, SPAK thekson se pa ndërhyrje ligjore, lufta kundër pastrimit të parave përmes kriptovalutave mbetet e cunguar.







