Ballina Europë Tragjedi në Itali/ 2-vjeçari vdes duke luajtur në çerdhe, mbytet me lidhësen...

Tragjedi në Itali/ 2-vjeçari vdes duke luajtur në çerdhe, mbytet me lidhësen e bluzës

76
0

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot komunitetin e qetë të Soci, një fshat pranë qytetit italian të Bibbiena, në provincën e Arezzos. Një fëmijë vetëm 2 vjeç, Leonardo Ricci, ka humbur jetën tragjikisht në oborrin e çerdhes “Ambarabà Ciccì Coccò”, pasi lidhësja e bluzës që mbante veshur i është ngatërruar në një degë peme, duke e mbytur.

Ngjarja ndodhi paraditen e sotme, rreth orës 11:30, në një ditë me diell, kur fëmijët ishin nxjerrë jashtë për të luajtur në bar. Sipas dëshmive paraprake, duket se vogëlushi po vraponte në oborrin e gjelbëruar kur kordoni i bluzës iu përfshi në një degë, duke e shtrënguar fort në qafë. Brenda pak sekondash, fëmija humbi ndjenjat dhe u rrëzua në tokë.

Mësueset që ndodheshin pranë vendit kanë reaguar menjëherë, duke tentuar t’i japin ndihmën e parë, ndërsa njëra prej tyre ka njoftuar shërbimin e urgjencës. Një ambulancë mbërriti menjëherë në vendngjarje, ndërsa ekipi mjekësor tentoi për më shumë se një orë ta ringjallte fëmijën. Në ndihmë ishte nisur edhe një helikopter i emergjencës “Pegaso”, por nuk u arrit të ndërhyhej pasi mjekët në vend e shpallën vdekjen e tij.

Tragjedia ka lënë në shok të gjithë komunitetin e vogël të Soci-t. Prindërit e Leonardos, një çift i ri midis të 20-ave dhe 30-ave, si dhe gjyshërit e tij, janë përballur me lajmin e tmerrshëm në mes të ditës. “E pamundur të besohet, një fëmijë dy vjeç nuk mund të vdesë kështu”, thanë mes lotësh të afërm dhe fqinjë.

Banorët e zonës janë mbledhur pranë çerdhes për të shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet për familjen Ricci, e njohur dhe e respektuar në komunitet.

Menjëherë pas ngjarjes, në vend mbërritën karabinierët e kompanisë së Bibbiena-s, të cilët izoluan zonën e lojërave dhe larguan stafin dhe fëmijët e tjerë.

Prokuroria e Arezzos, nën drejtimin e prokurores Julia Maggiore, ka hapur një hetim për vrasje nga pakujdesia (omicidio colposo), ndërsa kopshti është vënë nën sekuestro për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të analizuar kushtet e sigurisë së ambientit.

Sipas burimeve nga Bashkia e Bibbiena-s, çerdhja do të qëndrojë e mbyllur për të paktën një javë, derisa të përfundojnë hetimet.