Ballina Sport Tre titullarë të paprekshëm të Shqipërisë detyrohen të humbasin Anglinë

Tre titullarë të paprekshëm të Shqipërisë detyrohen të humbasin Anglinë

62
0

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan këtë javë dy nga ndeshjet me të rëndësishme të historisë së saj, ndaj Andorrës dhe Anglisë, me një objektiv të qartë për të siguruar praninë në play-off të Botërorit.

Dhe trajneri Silvinjo ka përpara një zgjedhje shumë të vështirë sa i përket tre lojtarëve titullarë të paprekshëm për të, të cilët mund të jenë të detyruar të mos luajnë në ndeshjen ndaj Anglisë, atë që vulos kualifikueset dhe pjesëmarrjen në play-off.

Mario Mitaj, Julian Shehu dhe Rei Manaj, me shumë mundësi do të bëjnë pushim ndeshjen ndaj “tre luanëve”, duke qenë në pankinë, për të mos rrezikuar që të mbeten jashtë sfidave vendimtare të play-off në muajin mars. Situata është paksa e komplikuar dhe ka të bëjë me kartonët e verdhë që lojtarët kanë marrë në ndeshjen ndaj Serbisë.

Të tre rrezikojnë pezullimin me një ndeshje nga FIFA nëse ndëshkohen me një tjetër karton të verdhë, siç parashikon rregullorja e eliminatoreve. Për Silvinjon, problem do të jetë nëse këtë karton të verdhë e marrin në ndeshjen ndaj Anglisë, pasi kështu, pezullimi do të mbartej në ndeshjet e play-off, duke humbur gjysmëfinalen.

Kësisoj, trajneri është tashmë i dyzuar mes aktivizimit apo jo të tyre në ndeshjen ndaj Anglisë dhe padyshim që shpreson që çështja e kualifikimit në play-off të mbyllet që nesër e jo në ndeshjen e të dielës.

Vetëm ashtu, ai mund të lërë i qetë futbollistët në pankinë pa i hedhur në fushë dhe të mendojë për play-off në mars, ku të gjithë kartonët zërohen nga e para. Nëse çështja e kualifikimit duhet të vendoset në ndeshjen me Anglinë, Silvinjon e presin orë stresi para duelit në fjalë, i ndërgjegjshëm se mund të humbasë ndonjë nga këta lojtarë për sfidën e parë të marsit.

Dhe më e keqja për teknikun është se e njëjta situatë rrezikshmërie për pezullimin, do të jetë për çdo lojtar që do të ndëshkohet me karton të verdhë ndaj Andorrës nesër. Ndaj për kuqezinjtë, kjo do të jetë një ndeshje shumë e veçantë në shumë drejtime.