Aktorja dhe komediania amerikane, Amy Schumer, 44 vjeçare, ka sqaruar pse hoqi pothuajse të gjitha fotot e vjetra nga Instagrami.
Ajo tha se vendimi nuk kishte të bënte me pamjen fizike, por me shëndetin dhe mirëqenien e saj.
Në një postim të ri, Schumer shpjegoi: “Gjithmonë kam qenë krenare për pamjen time. Kam punuar që të mos kem më dhimbje dhe më në fund po. Endometrioza ime është përmirësuar, shpina ime po shërohet dhe nuk kam më sindromën e Cushing-ut. Jam mirënjohëse që jam e fortë dhe e shëndetshme, sidomos për djalin tim”.
Ajo theksoi se nuk nisi një udhëtim për humbje peshe, por për t’u ndjerë më mirë fizikisht.
Schumer shtoi se peshën e saj mund ta ketë gjithmonë në luhatje për shkak të perimenopauzës dhe terapisë hormonale, duke i inkurajuar ndjekësit të tregojnë dashuri dhe respekt për veten dhe të tjerët, pavarësisht pamjes apo përkatësive të tyre.
Ylli i “Trainwreck” ka folur më parë hapur për përdorimin e ilaçeve për humbje peshe. Ajo pranoi se e kishte provuar ‘Ozempic’, por për shkak të efekteve anësore kaloi te Mounjaro, me të cilin humbi rreth 35 kilogramë pa probleme shëndetësore.
Schumer është e martuar me shefin e kuzhinës Chris Fischer që nga viti 2018 dhe kanë një djalë gjashtëvjeçar, Gene.







