Organet e rendit kryen sot kontrolle në dymbëdhjetë lande të Gjermanisë në zbatim të më shumë se 50 urdhër-bastisjeve ndaj personave të dyshuar për propagandë islamiste në internet. Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA), e cila drejton operacionin, mori në pyetje shumë të dyshuar. Arrestime nuk pati.
Bastisjet ishin pjesë e një aksioni të përbashkët me Austrinë dhe Zvicrën, i cili drejtohet kundër propagandës islamike.
Roli i platformave online
Qendra e përbashkët e internetit e Zyrës Federale të Policisë Kriminale (BKA) dhe e Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) filtron çdo ditë internetin për përmbajtje islamiste dhe i shqyrton ato nëse përbëjnë aktivitet kriminal. Sipas BKA-së në to bëjnë pjesë, për shembull, thirrje fetare me përmbajtje të paligjshme ose video propagandistike të organizatave ekstremiste.
Platformat e njohura online luajnë një rol të rëndësishëm sidomos për radikalizimin e të rinjve. Ekspertët besojnë se propaganda xhihadiste aktualisht po përhapet përmes platformave si TikTok, Instagram, Rocket.Chat dhe Telegram. / DW







