Ballina Kronika I dënuar me burg përjetë, Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e Aldo...

I dënuar me burg përjetë, Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e Aldo Bares për ulje dënimi

77
0

Aldo Bare, i dënuari përjetë si drejtues i “bandës së Lushnjës”, ka kërkuar të përfitojë ulje dënimi në Gjykatën e Lartë, por kjo e fundit e ka rrëzuar kërkesën e tij.

Megjithëse Bare është i dënuar me burg të përjetshëm, ai ju drejtua gjykatave për ulje të dënimit me 45 ditë mbasi ishte sjellë mirë në qeli.

Kjo padi e Bares nuk ishte pranuar nga gjykatat e tjera dhe për këtë shkak ju drejtua Gjykatës së Lartë.

Pak ditë më parë Aldo Bare ju drejtua Gjykatës së Lartë me një padi të dytë, në të cilën sërish kërkon ulje dënimi disa ditore dhe si baze ligjore referon ligjin për të drejtat e të dënuarve.

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me burg të përjetshëm në shtator të 2022, për Aldo Baren, ish kreun e bandës famëkeqe të Lushnjës. Ky vendim erdhi 10 vite pas vendimit të marrë nga gjykata e Apelit në 2012-tën. Bare bëri rekurs të vendimit me burgim të përjetshëm.

Gjykata e Lartë e kishte shqyrtuar një herë çështjen e Bares por ishte Gjykata Kushtetuese ajo që e ktheu për rigjykim për shkak se gjeti shkelje procedurale. Aldo Bare u arrestua në Turqi në vitin 2006. Ndërsa kërkesa për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë u pranua në fundin e vitit 2009 kur ish kreu i bandës kriminale të Lushnjës mbërriti me charter në Aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’ nën mbikëqyrjen e forcave të shumta të sigurisë.

Po kush është Aldo Bare?

Alfred Shkurti, ish-speciali i forcave RENEA, ose i njohur ndryshe si Aldo Bare, hyri në botën e krimit në vitin 1997, pasi atij i vrau vëllanë banda e Artur Dajës, gjatë një përleshje me armë zjarri. Pas vrasjes se Ramadan Shkurtit, në Lushnjë nisi të operonte banda e Aldo Bares së cilës Drejtësia i numëron më shumë se njëzet vrasje, dhjetëra plagosje dhe vënie gjobash.

Kaq mjaftoi që vrasjet më pas të lidheshin zinxhir dhe natyrisht Bare nuk ishte i vetëm në gjithë këtë betejë personale. Sipas prokurorisë, ish-speciali kishte arritur të rekrutonte në bandën e drejtuar prej tij Ilir Stërgun, Afrim Hoxhën, Arben e Enver Boriçin, Enver Dondollakun, të gjithë shokë, miq e të afërm të “kokës” së grupit, Aldo Bare dhe vëllait të tij Ramadan Shkurti. Më pas kësaj bande iu bashkuan edhe: Maksim Çela, Erion Cici, Dritan Vila, Leonard Prifti, dhe shumë të rinj të tjerë.

Me mbledhjen e këtyre “ushtarëve” përreth “kryetarit”, siç e quanin në biseda telefonike Aldo Baren, filluan edhe ekzekutimet në qytetin e Lushnjës ndaj Artur Dajës, shokëve, miqve e familjarëve të tij, teksa në kurriz të kësaj bande janë të paktën 20 vrasje, plagosje, rrëmbime dhe gjoba.