Italia arriti një fitore të vonuar, por të rëndësishme, 2-0 ndaj Moldavisë në Chisinau, në ndeshjen e shtatë të “Grupit I” për kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Skuadra e Gennaro Gattuso-s dominoi gjatë gjithë takimit, por u deshën plot 88 minuta që të thyhej rezistenca e vendasve, të udhëhequr nga pritjet e shkëlqyera të portierit Cojuhar.
Pas fitores 4-0 të Norvegjisë ndaj Estonisë, diferenca e madhe e golavarazhit në favor të nordikëve (+29) e bën pothuajse të pashmangshëm skenarin që Italia të shkojë në play-off, pavarësisht triumfit në Moldavi.
Në pjesën e parë, Italia e mbajti kontrollin e lojës, por vuajti në cilësi dhe qartësi në fazën finale. Rastet erdhën me ritëm të ulët, ndërsa Cojuhar neutralizoi tentativat më të rrezikshme të të kaltërve. E njëjta tablo vazhdoi edhe në fraksionin e dytë: qarkullim i ngadaltë topi, mungesë fantazie dhe shumë pak ide për të çarë mbrojtjen vendase.
Gjithçka ndryshoi në minutën 88’, kur Gianluca Mancini shfrytëzoi në mënyrë perfekte një asist nga Dimarco dhe me një goditje me kokë kaloi Italinë në epërsi. Në shtesë, saktësisht në minutën 90+3’, erdhi edhe goli i sigurisë: Pio Esposito devijoi me kokë një kros të Politano-s, duke vulosur fitoren 2-0.
Të dielën, Italia do të përballet me Norvegjinë në ndeshjen e fundit të grupit, një duel që pritet të jetë vendimtar vetëm për prestigj, pasi fati i playoff-it tashmë duket thuajse i mbyllur.
Në takimet e tjera, spikat humbja 2-0 e Portugalisë në Holandë, me luzitanët të dënuar për të marrë rezultat pozitiv në ndeshjen e fundit për të siguruar vendin e parë. Franca siguroi vendin e parë në grup me fitoren e thellë 4-0 ndaj Ukrainës.
Moldavi – Itali 0-2
Francë – Ukrainë 4-0
Irlandë – Portugali 2-0







