Lozha e Madhe e Shqipërisë, organizata e vetme masonike e rregullt dhe e njohur në territorin e Republikës së Shqipërisë, njofton se ka ndërruar jetë Nikolla Nosi. Ai ishte anëtar themelues i saj dhe një nga nismëtarët e Masonerisë në Shqipëri.
“Me hidhërim të thellë njoftojmë se Vëllai ynë i nderuar Nikolla Nosi, Sekretari i Madh i Lozhës së Madhe të Shqipërisë, ka kaluar në Orientin e Përjetshëm. Vëlla Nikolla Nosi ishte një nga nismëtarët e Masonerisë në Shqipëri, anëtar themelues i Lozhës së Madhe të Shqipërisë dhe anëtar i Lozhës së Respektuar Arbëria nr.1 në orientin e Tiranës.
Mjeshtër i gradës 33 të Ritit Skocez, ai ka shërbyer me devotshmëri dhe integritet për shumë vite në detyrën e Sekretarit të Madh të LMSH.
Largimi i tij përbën një humbje të madhe për gjithë vëllezërit dhe për Masonerinë Shqiptare. Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten të përjetshme në Tempullin tonë dhe në zemrat tona. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij”, thuhet në njoftim.
Lozha e Madhe e Shqipërisë u themelua për të promovuar dhe zhvilluar traditat masonike në vend, duke u bazuar në parimet e universalizmit, vëllazërisë dhe përkushtimit ndaj zhvillimit shpirtëror dhe moral.
Që nga themelimi i saj, Lozha e Madhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në përhapjen e idealeve masonike dhe në ndërtimin e një komuniteti të fortë të bazuar në vlera të përbashkëta.
Ajo përbëhet nga gjashtë lozha të shpërndara në qytete të ndryshme të vendit, duke siguruar një prani të gjerë gjeografike. Lozhat shërbejnë si vende ku kryhen ritet masonike dhe ku ndiqen ideale të përbashkëta për të kontribuar në përparimin e shoqërisë.







