Qindra burra dhe gra u mblodhën sot në një xhami në veri të Teheranit për t’u lutur që të ketë reshje shiu, ndërsa Irani po përjeton një nga thatësirat më të këqija në dekada.
Vendi po përballet me një krizë uji dhe në Teheran niveli i ulët i reshjeve është thuajse rekord në një shekull.
Nga 31 provincat e Iranit, 15 nuk kanë marrë asnjë pikë shi këtë vjeshtë, sipas mediave iraniane.
Përballë mungesës së ujit , qeveria vendosi së fundmi të prezantojë ndërprerje periodike të energjisë elektrike në Teheran, një metropol me më shumë se 10 milionë banorë, për të ulur konsumin.
Sot, besimtarët u mblodhën në xhaminë Imamzadeh Saleh dhe u lutën për kthimin e shiut.
Kjo lutje në grup kryhet nga myslimanët sunitë dhe shiitë gjatë periudhave të thatësirës.
Shumë banorë të kryeqytetit shpërthyen në lot ndërsa luteshin. Të gjitha gratë mbanin shaminë tradicionale të kokës dhe, në përputhje me praktikën fetare, burrat dhe gratë ishin të ndarë nga njëri-tjetri gjatë lutjes.
I vendosur në shpatin jugor të vargmalit Alborz, Teherani përjeton verë të nxehtë dhe të thatë, vjeshta ndonjëherë me shi dhe dimra të ashpër dhe me dëborë.
Qyteti përdor rreth 3 milionë metra kub ujë në ditë, sipas raportimeve të shtypit iranian.
Javën e kaluar, presidenti i Iranit paralajmëroi se Teherani mund të evakuohet për shkak të mungesës së ujit nëse nuk bie shi deri në fund të vitit. Masoud Pezheskian nuk specifikoi se si do të kryhej një operacion i tillë.
Nga pesë digat që furnizojnë kryeqytetin, njëra është pa ujë, ndërsa rezervat në një tjetër kanë rënë në më pak se 8%, sipas autoriteteve.







