Ballina Europë Përdhunimi dhe vrasja e një vajze në 1991, dyshime tek burri që...

Përdhunimi dhe vrasja e një vajze në 1991, dyshime tek burri që shokoi Francën

85
0

Autoritetet franceze do të zhvarrosin eshtrat e një gruaje 23-vjeçare që u përdhunua dhe u vra në Paris në vitin 1991. Zhvarrimi do të kryhet për të përcaktuar nëse Dominique Pelicot është përgjegjës për krimin.

Ai u dënua vitin e kaluar me 20 vjet burg për drogimin e gruas së tij, një rast që shokoi Francën pasi ai ftonte edhe burra të panjohur për të përdhunuar atë.

“Qëllimi është të gjendet diçka në eshtrat e viktimës, agjentes së pasurive të patundshme Sophie Narm që mund të çojë te autori i krimit”, shtoi avokatja duke vënë në dukje se klienti i saj 72-vjeçar beson se kjo është një mënyrë në të cilën përfshirja e tij mund të përjashtohet.

Zyra e prokurorit të Parisit konfirmoi se vendimi i Gjykatës së Apelit të Versajës hap rrugën për zhvarrosjen e Sophie Narm. Ky është një nga dy rastet e vjetra e të pazgjidhura në të cilat Dominique Pélicot konsiderohet i dyshuar.

Në dhjetor të vitit 1991, Sophie Narm u përdhunua dhe u vra ndërsa u tregonte klientëve një apartament në Paris. Ajo u gjet gjysmë e zhveshur dhe e rrahur nga menaxheri i zyrës ku punonte.

Autori i krimit nuk u identifikua kurrë. Dominique Pelicot është dyshuar kohët e fundit pasi ai pranoi pjesërisht se ishte përfshirë në tentativën e vrasjes së një agjenti tjetër të pasurive të patundshme në zonën e Parisit në vitin 1999.