Ballina Europë Gjermania shpall planet e reja për shërbimin ushtarak

Gjermania shpall planet e reja për shërbimin ushtarak

54
0

Thelbi i dakordimit

Koalicioni qeveritar në Gjermani finalizoi të enjten (13.11.) rregullat për shërbimin ushtarak në Gjermani. U ra dakord për një model të ri për Forcat e Armatosura gjermane. Fillimisht do t’u kërkohet vetëm vullnetarëve që të bashkohen me  shërbimin ushtarak. Por projektligji për miratim në Bundestag parasheh edhe mundësinë e shërbimit me detyrim për të tjerë, në rast nevoje.

Për çdo rast, do të zbatohet një sistem regjistrimi i detyrueshëm dhe kontrolli mjekësor për të gjithë të rinjtë që mund të angazhohen në ushtri, në një vit të caktuar. Me këtë synohet të konstatohet se sa vetë mund të rekrutohen, në rast nevoje. Por që këta rekrutë potencialë të thirren me detyrim për të shërbyer, kjo nuk do të ndodhë automatikisht. Për këtë duhet të vendosë Bundestagu.

Kontroll mjekësor për 18-vjeçarët, të tjerët ndoshta më vonë

U ra dakord për një kontroll mjekësor për të rinjtë 18 vjeç e lart. Për personat e lindur që në vitin 2008 ose më vonë. Te të tjerët, më të vjetrit në moshë, kontrollet mjekësore para një rekrutimi janë të mundura, nëse Bundestagu e vendos këtë me një dekret juridik. Për momentin kjo megjithatë nuk është planifikuar.

Në hapa konkretë: që nga 1 janari 2026, në një fazë të parë, 18-vjeçarët do të marrin një pyetësor me kërkesa për shëndetin dhe motivimin e tyre për të shërbyer në ushtri. Për meshkujt, plotësimi i këtij pyetësori është i detyrueshëm, për femrat fakultativ. Ky pyetësor është pjesa e parë e kontrollit mjekësor, për të krijuar një përshtypje për aftësinë e një rekruti. Kontrollet e mirëfillta mjekësore do të bëhen nga mesi i vitit 2027. Këto kontrolle fizike mjekësore janë të detyrueshme për të gjithë meshkujt, pavarësisht nga dëshira e tyre për të shërbyer apo jo në ushtri.

Elementët detyrues – ende në lojë

Në rast se nuk ka mjaft të rinj që dalin vullnetarë për të shërbyer do të ketë hapa të tjerë. Jens Spahn, kryetar i grupit parlamentar të CDU-së konservatore në Bundestag tha se “nëse shërbimi vullnetar nuk mjafton, atëherë do të nevojitet edhe shërbimi ushtarak i detyrueshëm”.

Kurse ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, nga socialdemokratët (SPD), u shpreh i bindur se nevojat e ushtrisë gjermane do të plotësohen me vullnetarët. Ai i tha kanalit televiziv ZDF se “kjo funksionon në vende të tjera, dhe nuk shoh arsye pse të mos funksionojë në Gjermani”.

Socialdemokratët janë të interesuar që të funksionojë vullnetarizmi në shërbimin ushtarak, pasi në kongresin e tyre në verë vendosën që të mos ketë kthim në shërbimin e detyrueshëm ushtarak të pezulluar (në vitin 2011).

Në projektligjin që duhet ta votojë formalisht Bundestagu, tani thuhet se duke marrë parasysh situatën e sigurisë dhe nevojat e personelit të ushtrisë, Bundestagu do të vendosë nëse do të miratojë, të ashtuquajturin “shërbim ushtarak të detyrueshëm nga nevoja“.

Por shërbimi ushtarak i detyrueshëm nuk do të vijë automatikisht. Bundestagu duhet të miratojë përpara një ligj të posaçëm. Pra shihet si “zgjidhja e fundit”. 

Fillimisht, ushtria gjermane përpiqet ta bëjë sa më tërheqës për vullnetarët shërbimin ushtarak.

Mjete për ta bërë tërheqës shërbimin vullnetar ushtarak

Ushtria do t’u ofrojë atyre që vijnë vullnetarisht në ushtri një pagë mujore prej 2600 eurosh bruto. Si dhe subvencione të tjera p.sh. për lejedrejtimet e automjeteve.

Personat që duan të shërbejnë si vullnetarë për një afat të shkurtër, do të stërviten për detyra bazë, si p.sh. të bëjnë roje dhe në detyra sigurie.

Po të rrijnë më gjatë, ata do të stërviten si personel kryesor për njësitë luftarake.

Shorti për zgjedhjen e rekrutëve – forma përfundimtare

Diskutimi a duhet të përdoret apo jo shorti për të zgjedhur rekrutët për ushtrinë e vonoi paraqitjen e projektligjit për ushtrinë në Bundestag. Tani ideja u braktis në formën e saj fillestare, por jo plotësisht. Shorti do të përdoret kur numri i rekrutëve në një vit rezulton më i madh se kërkesat e ushtrisë. Në një rast të tillë mund të përdorej shorti për të vendosur kush do të thirret në ushtri. Pra tani u zhvendos si mjet i fundit në procedurë.

Mundësia për të refuzuar rekrutimin dhe angazhimi i femrave

Neni 4 i Kushtetutës gjermane (Ligjit Themelor) lejon ta kundërshtosh detyrimin për t’u angazhuar në ushtri. Në të thuhet se “askush nuk mund të detyrohet kundër ndërgjegjes të kryejë shërbim ushtarak, që përfshin përdorimin e armëve.”

Edhe në të ardhmen, ata që i shpallin të përshtatshëm për shërbimin ushtarak apo i kanë thirrur me short për shërbim, mund të kundërshtojnë këtë.

Kundërshtimin për arsye të ndërgjegjes duhet ta paraqesësin në qendrën lokale të karrierës së Bundeswehr-it, Forcave të Armatosura. Këtë e bënë në vitin 2024 mbi 2000 vetë. E bënë paraprakisht, megjithëse thirrja me detyrim në Gjermani nuk është aktivizuar.

Në vend të shërbimit ushtarak të detyrueshëm, në të kaluarën duhej të kryeje shërbim alternativ civil. Të shërbeje për shembull në qendra kujdesi sanitar, në mbrojtjen klimatike dhe nga katastrofat.

Por tani ende nuk është vendosur konkretisht, se si do të organizohet ky shërbim alternativ civil. Sepse që prej pezullimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak (në vitin 2011), është ngritur një shërbim tjetër, vullnetar, i cili tani madje do të forcohet financiarisht.

Përsa u përket femrave: që ato të detyrohen të shërbejnë duhet të ndryshohet kushtetuta e Gjermanisë. Me një shumicë dy të tretash – pa shanse për momentin për miratim në Bundestag.

Drejt ushtrisë më të madhe konvencionale në Evropë

Kancelari Friedrich Merz ka përforcuar vendosmërinë për t’i bërë Forcat e Armatosura gjermane ushtrinë më të madhe konvencionale në Evropë . Objektivi është një numër prej 460.000 ushtarësh, aktivë dhe rezervistë. Ushtria gjermane duhet të rritet me rreth 80.000 ushtarë, sepse kështu e kërkojnë planet e NATO-s, përballë kërcënimeve nga Rusia.

Rritja do të bëhet gradualisht. Numri i ushtarëve të Bundeswehrit do të rritet nga 182.000 vetë aktualisht në rreth 260.000 ushtarë në vitin 2035.

Paralelisht do të rriten edhe trupat rezerviste. Deri në vitin 2035 forcat e armatosura gjermane do të rriten nga 60.000 aktualisht në të paktën 200.000 rezervistë. Po të mos arrihen këto objektiva, Bundestagu mund të debatojë për elementë të detyrueshëm. / DW