Ballina Politika Letra/ Kur Luftar Hysa i drejtohet ambasadorit amerikan: Më kanë ndaluar hyrjen...

Letra/ Kur Luftar Hysa i drejtohet ambasadorit amerikan: Më kanë ndaluar hyrjen në SHBA

65
0

Gazetarja e Syri TV, Alba Kepi, ka zbardhur ekskluzivisht letrën që Luftar Hysa i dërgoi më 22 maj 2023 Ambasadorit amerikan në Meksikë, Ken Salazar, ku dokumentohet se që nga viti 2023 i është mohuar hyrja në SHBA.

Po ashtu dokumenti i përgatitur e nënshkruar nga Luftar Hysa certifikon se ai është pronar i 9 pikave tregtare që funksionojnë si kazino dhe ofrojnë lojëra fati në Meksikë, secila me licencë federale të lëshuar nga qeveria e Meksikës.

Pra, dokumenti shërben si deklaratë zyrtare e tij mbi pronësinë dhe ligjshmërinë e këtyre licencave dhe aktiviteteve tregtare

Kjo letër, drejtuar Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Meksikë, paraqet një kërkesë zyrtare për rishikimin e situatës së vizave turistike të autorit dhe familjarëve të tij. Dokumenti tregon qartë vështirësitë e hasura gjatë procesit të rinovimit të vizave. Luftar Hysa thekson se “nuk ka shkelur asnjë rregull ligjor gjatë vizitave të tij në Shtetet e Bashkuara”.

Letra nënvizon se sipas Hysa- s, refuzimet e përsëritura konsullore mund të jenë ndikuar nga informacione të rreme të publikuara në media, të cilat kanë dëmtuar reputacionin e tij dhe të vëllezërve të tij. Hysa thekson se këto pretendime janë plotësisht të pavërteta dhe se ndaj mediave përkatëse janë ndërmarrë veprime ligjore për dëm moral dhe material.

Në dokument shpjegohet se ky problem i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm aktivitetit të tyre profesional dhe lëvizjes ndërmjet Meksikës dhe Kanadasë, pasi Hysa dhe vëllai i tij janë biznesmenë aktivë në industrinë e argëtimit dhe kazinove. Mungesa e vizës i ka penguar të marrin pjesë në evente ndërkombëtare të rëndësishme, si Global Gaming Expo në Las Vegas, duke i çuar në disavantazh tregtar.

Vetëm pak muaj para kësaj letre, në vitin 2022, Hysa u takua me Kryeministrin Edi Rama në selinë e qeverisë shqiptare në Tiranë. Letra përfundon me një kërkesë të qartë për asistencë diplomatike nga Ambasadori Ken Salazar, me qëllim që çështja e vizave të rishikohet nga autoritetet kompetente migratore.

Ciudad de México, më 22 maj 2023.

AMBASADOR I SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS NË MEKSIKË.

I drejtohem Juve me qëllim që t’ju vë në dijeni se unë, i nënshkruari, me kombësi shqiptare dhe meksikane, kam pasur probleme – ashtu si edhe disa anëtarë të familjes sime – në lidhje me procesin e rinovimit të vizës sime turistike paraqitur pranë qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për këtë arsye, i drejtohem ndërhyrjes suaj me qëllim që të kem mundësinë ta marr përsëri këtë vizë.
Rreth vitit 2005, qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës më dha vizë turistike, të cilën e kam përdorur disa herë për të hyrë në këtë vend, pa shkelur asnjë ligj për të cilin do të duhej të sanksionohesha apo të më revokohej viza.
Rreth vitit 2010, pa qenë ende afër skadimit të vizës turistike që më ishte dhënë, dhe me rekomandimin e disa agjentëve migratorë të Shteteve të Bashkuara që të kërkoja zëvendësimin e vizës për shkak të dëmtimit të pasaportës sime shqiptare, ku ishte ngjitur viza, nisa procesin e rinovimit në Konsullatën e Shteteve të Bashkuara në Montreal, Kanada, i cili u refuzua. Aty më u tha se ekzistonte një dyshim i supozuar se unë po kryeja biznes në atë vend pa vizën përkatëse, gjë që ishte krejtësisht e pavërtetë.
Më vonë, vëllai im Arben Hysa, me kombësi shqiptare dhe meksikane, i cili gjithashtu kishte vizë turistike, shkoi në zyrat konsullore të SHBA-së në Meksikë për të rinovuar vizën, e cila iu refuzua, duke i thënë se kjo ndodhte për shkak të lidhjes familjare me mua. E njëjta gjë i ndodhi edhe vëllait tim Ramiz Hysa, i cili disa herë ka aplikuar për vizë në Meksikë dhe në çdo rast arsyeja e refuzimit ka qenë lidhja e tij familjare me mua.
Për shkak të mungesës së saktësisë në informacionin e dhënë nga agjentët konsullorë amerikanë, dëshiroj të theksoj se, për arsye që nuk i njoh, dikush që fsheh identitetin e tij është përpjekur të njollosë emrin tim dhe të familjes sime, duke përdorur gazetarë të mediave të mëdha në Meksikë, të cilët është e lehtë të korruptohen dhe kanë botuar shkrime që na lidhin – mua dhe vëllezërit e mi – me veprimtari dhe organizata të paligjshme ndërkombëtare. Këto janë absolutisht të pavërteta, për të cilat ne kemi hapur procese ligjore për dëm moral dhe ekonomik kundër këtyre mediave dhe gazetarëve.
Refuzimet konsullore të përmendura më lart më bëjnë të supozoj se ndoshta informacioni i rremë i publikuar në media është arsyeja e vërtetë për të cilën na është mohuar viza turistike për të hyrë në SHBA, duke menduar se jemi persona “non gratus”. Kjo na shkakton dëme serioze, sepse unë kam aktivitete biznesi në Meksikë dhe Kanada, dhe banoj në Montreal, ndërkohë që SHBA-ja ndodhet gjeografikisht midis të dy vendeve. Për këtë arsye, udhëtimi midis këtyre vendeve pa mundësinë e përdorimit të linjave ajrore amerikane, aeroporteve dhe qyteteve të tyre, kufizon ndjeshëm opsionet tona të udhëtimit. Po ashtu, familjarët e mi që jetojnë në veri të Meksikës, në qytetin Rosarito, Baja California, nuk mund të udhëtojnë në SHBA për pushime, duke u kufizuar mundësitë e tyre të argëtimit.
Së dyti, unë dhe vëllai im Arben jemi aksionerë të disa kompanive në Meksikë, ndër të cilat edhe kompania ENTRETENIMIENTO PALERMO, S.A. DE C.V., e cila merret me argëtim dhe menaxhon nëntë pika tregtare në pjesë të ndryshme të Meksikës. Këto pika operojnë lojëra fati dhe llotari (KAZINO), të cilat funksionojnë përmes kontratave me leje federale.
Në këtë kuadër, ekspozita më e rëndësishme botërore në industrinë e lojërave të fatit, Global Gaming Expo (G2E), zhvillohet çdo vit në Las Vegas, Nevada. Ne nuk mund të marrim pjesë për shkak të mungesës së vizave tona, çka na vendos në një disavantazh të dukshëm tregtar ndaj konkurrentëve tanë.

Dua të theksoj se, edhe pse industria e lojërave të fatit është e debatueshme në botë, në Meksikë ajo është tërësisht e ligjshme dhe funksionon nën rregullore të rrepta mbikëqyrjeje nga të gjitha nivelet e qeverisë, veçanërisht nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave. Ne kemi të gjitha dokumentet e lëshuara nga qeveria meksikane që na pastrojnë nga akuzat e rreme të mediave dhe dëshmojnë përmbushjen e të gjitha detyrimeve tona ligjore. Madje qeveria e Meksikës na dha edhe shtetësinë meksikane dhe pasaportat përkatëse, gjë që juridikisht do të ishte e pamundur nëse do të kishim precedentë penalë. Prandaj është e qartë se shkrimet e mediave janë krejtësisht të rreme dhe vijnë nga burime të panjohura.

Së fundmi, dëshiroj t’ju informoj se, me qëllim të verifikimit nëse qeveria e Shteteve të Bashkuara po zhvillonte ndonjë hetim apo proces ligjor kundër meje dhe vëllezërve të mi për veprimtari të mundshme të paligjshme – çka mund të pengonte marrjen e vizës – ne kontraktuam firmën ligjore TRANSPARENCY ADVISORS me seli në Miami, Florida, e përfaqësuar nga CARLOS ROSERO. Në maj të këtij viti ai lëshoi deklaratat e betuara (affidavits) që bashkëlidhen, ku rezulton se nuk ekziston asnjë procedurë e tillë kundër nesh.
Për të gjitha sa më sipër, dhe duke qenë se unë dhe vëllezërit e mi kemi nevojë për vizën turistike për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i drejtohemi mirëkuptimit dhe ndihmës suaj që të na lidhni me autoritetet migratore kompetente për të.