Një incident i rëndë trafiku ka ndodhur gjatë lëvizjes së autokolonës së zëvendëspresidentit amerikan, J.D. Vance, në Tennessee, ku një oficer sigurie ka mbetur i plagosur rëndë.
Oficeri Justin Brown, pjesë e ekipit që shoqëronte zv.presidentin gjatë vizitës së tij në Maryville, pësoi lëndime serioze pasi motori që drejtonte u përplas me një fuoristradë të Policisë Rrugore. Ngjarja u regjistrua në mbrëmjen e 14 nëntorit, sipas njoftimit zyrtar të Departamentit të Policisë Maryville.
Dëshmitarët e rastit ishin të parët që i dolën në ndihmë Brown-it, duke i ofruar ndihmën e parë deri në mbërritjen e ekipit mjekësor. Oficeri u transportua me urgjencë në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Tennessee, ku iu nënshtrua një operacioni delikat. Sipas raportimeve, ai vazhdon të jetë në gjendje kritike.
“Reagimi i menjëhershëm i qytetarëve i shpëtoi jetën FTO Brown. Nuk mund t’i falënderojmë mjaftueshëm. Ata janë heronj të vërtetë”, deklaroi Shefi i Policisë, Tony Jay Crisp.
Ndërkohë, mediat amerikane raportojnë se J.D. Vance nuk ka bërë ende një reagim publik për ngjarjen. Para aksidentit, ai ishte shfaqur në emisionin “Hannity” në Fox News, ku ndër të tjera la të hapur mundësinë e një kandidimi për president të SHBA-së pas zgjedhjeve të mesmandatit të vitit 2026.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në radhët e forcave të sigurisë, ndërsa hetimet për dinamikën e plotë të aksidentit vijojnë.







