Një video e rëndë ka tronditur opinionin publik, duke treguar kafshë të rrugës të helmuara dhe të lëna të ngordhin në agoni. Pamjet kanë ndezur një alarm të madh dhe kanë rikthyer në qendër të vëmendjes një problem të heshtur prej vitesh, të cilin institucionet ende e trajtojnë me indiferencë të frikshme.
Bashkia e Tiranës, e kritikuar shpesh për mënyrën se si i trajton kafshët endacake, u përpoq ta paraqiste si zgjidhje inaugurimin e një strehëze moderne në zonën e Tufinës. Aty janë investuar dhjetëra milionë lek për infrastrukturë, medikamente dhe shërbime që duhej të garantonin trajtim të denjë për çdo kafshë të braktisur. Po ashtu, çdo vit Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit miraton fonde të konsiderueshme për funksionimin e kësaj qendre.
Por realiteti i treguar në video i përmbys të gjitha premtimet. Në pamje shfaqet drejtoresha e qendrës, Hermiona Hajdini, së bashku me veterinerin Dhimitër Papi dhe punonjësen Arbëresha Kaimi, të cilët shihen duke helmuar qen e mace në zonën e Çajupit. Personat që duhet të siguronin mbrojtjen e tyre, duken duke bërë të kundërtën, duke i eliminuar në mënyrë të dhunshme.
Një veprim i tillë është kriminal dhe i pajustifikueshëm. Ndërkohë që ekzistojnë ligje që mbrojnë jetën e kafshëve dhe ndërkohë që paguhen miliona lek nga taksat e qytetarëve për kujdesin ndaj tyre, është e papranueshme që drejtues të strehëzës të shfaqen në rrugë si ekzekutorë të katërputroshëve të pafajshëm.
U bëjmë thirrje organeve të rendit të veprojnë pa vonesë. Personat e përfshirë nuk mund të mbeten të pahetuar dhe ky rast nuk duhet të shuhet si shumë të tjerë që kanë kaluar në heshtje.
Ky është një krim i përsëritur dhe i bërë me vetëdije. Heshtja para një mizorie të tillë është bashkëfajësi. Kjo plagë duhet trajtuar sot!







