Ballina Kronika Efektivë të policisë së shtetit në krim, saga vazhdon

Efektivë të policisë së shtetit në krim, saga vazhdon

157
0

Policia e Shtetit vijon të përballet me një krizë të thellë besueshmërie, pasi numri i punonjësve të përfshirë në ngjarje kriminale apo të arrestuar për shkelje të ligjit vazhdon të rritet. Në vitet e fundit, një numër i konsiderueshëm efektivësh rezultojnë të jenë implikuar në veprimtari të paligjshme, duke nxitur shqetësim të gjerë publik.

Rasti më i rëndë është atentati mafioz në Rinas, ku një nga viktimat ishte Muçi Shaljani, i njohur me nofkën “Sheqeri”. Shaljani, ndonëse punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, shoqërohej ngushtë me Gilmando Danin, krahun e djathtë të Emiljano Shullazit. Të dy kishin udhëtuar drejt Barcelonës më 7 nëntor dhe, menjëherë pasi u kthyen, u qëlluan me breshëri sapo dolën nga aeroporti.

Efektivë të policisë së shtetit në krim, saga vazhdon

Muçi Shaljani

Një tjetër rast që zbulon përfshirjen e ish-efektivëve në aktivitet kriminal është vendosja e eksplozivit në një biznes në Kamëz. Nga hetimet rezultoi se Jeton Lami, ish-oficeri i Operacionales dhe personi që ndihmoi në arratinë e “mbretit të kumarit” Ervis Martinaj, si dhe i fundit që e takoi para zhdukjes së tij, u arrestua gjatë operacionit policor “Motivi”. Në bashkëpunim me kushëririn e tij Ervis Lami dhe dy persona të tjerë, ai dyshohet se shpërtheu me tritol një lokal në Kamëz, pasi pronari nuk kishte paguar gjobën prej 500 mijë eurosh.

Efektivë të policisë së shtetit në krim, saga vazhdon

Jeton Lami

Më herët, janë regjistruar dhjetëra raste ku edhe drejtues të lartë të policisë janë arrestuar për bashkëpunim me struktura kriminale. Një prej tyre është ish-shefi i Operacionales, Oltion Bistri, i arrestuar me urdhër të SPAK në korrik të vitit 2023. Prokuroria i sekuestroi 1 milion euro pasuri, ndërsa në dosjen “Metamorfoza”, Bistri rezulton të ketë komunikuar vazhdimisht me Pëllumb Gjokën, një biznesmen i arrestuar për ushtrim të paligjshëm të lojërave të fatit në Tiranë.

Efektivë të policisë së shtetit në krim, saga vazhdon

Oltion Bistri

Sipas përgjimeve në dosjen e SPAK, Dedan Gjoni, shefi i krimeve të komisariatit nr. 6, i arrestuar më 21 nëntor 2023, ka shërbyer si informator për persona të lidhur me botën e krimit. Mes tyre ishte edhe Dritan Rexhepi, një nga më të kërkuarit në Shqipëri dhe i konsideruar si “mbreti shqiptar i kokainës”.

Efektivë të policisë së shtetit në krim, saga vazhdon

Dedan Gjoni

Një tjetër rast është ai i Dritan Metajt, ish-shefit të komisariatit të Kurbinit, i arrestuar më 9 tetor 2023 gjatë një megaoperacioni të zhvilluar nga SPAK. Metaj dyshohet se transportonte anëtarë të grupeve kriminale duke përdorur pozitën e tij zyrtare për t’i lëvizur pa kontroll. Ai rezulton të ketë luajtur rol kyç në trafikun e drogës, në vijimësi të operacionit “Flakë në Det”. Nga hetimet janë zbuluar dhjetëra komunikime mes Metajt, Gëzim Çelës dhe dy të kërkuarve të tjerë.

Efektivë të policisë së shtetit në krim, saga vazhdon

Dritan Metaj

Edhe rasti i Jaeld Çelës, ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, mbetet ndër më të komentuarit. Ai u vetëdorëzua në maj 2020, pasi u hetua për trafik droge dhe favorizim të grupit të vëllezërve Habilaj gjatë viteve 2015-2016, në kohën kur ministri i Brendshëm ishte Saimir Tahiri.

Efektivë të policisë së shtetit në krim, saga vazhdon

Jaeld Çela

Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka ngritur vazhdimisht shqetësimin për përfshirjen e policisë në struktura kriminale. Megjithatë, paralajmërimet e tij duket se kanë rënë në vesh të shurdhët, pasi qeveria dhe ministrat e Brendshëm jo vetëm që kanë kundërshtuar publikisht këto deklarata, por nuk kanë marrë masa konkrete për pastrimin e strukturës policore. Kujtojmë se edhe sot, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda, i është sekuestruar telefoni nga SPAK./vna