Ballina Opinion “Letërsia është turp!”

“Letërsia është turp!”

59
0

Nga Agim Baçi

Shkrimtari Liridon Mulaj, ishte shqetësuar se disa nxënës në një shkollë të Korçës ishin shprehur se kishin turp të shkruanin letërsi! Fëmijët që shkruanin i kishin thënë se ndjeheshin të turpëruar përpara shokëve dhe shoqeve të klasës dhe se për shkak se lexonin dhe shkruanin poezi e romane ndjeheshin, jo pak herë të bullizuar nga shokët dhe shoqet e klasës.

Por, ne të dy Liridon, dhe shumë nga ata që shkruajnë, duhet edhe të pranojmë se letërsia, pra fuqia e fjalës, ajo që ka ftuar njeriun të mendojë, vëzhgojë, besojë, e më pas edhe ta bindë të gjejë rrugët që të jetë i drejtë, ka qenë “diçka e turpshme” përballë atyre që besojnë se letërsia, dija, kultura në përgjithësi, mund ta ndalojë nga guximi për t’i marrë tjetrit atë që nuk është e tij, që të pushtojë një pronë, që të duartrokasë të fortin, të mbyllë sytë përpara padrejtësisë. Dhe sot, i dashur Liridon, kur në shoqëritë tona, është krijuar bindja se po të jesh i ndershëm dhe i drejtë është e kotë, atëherë edhe letërsia, që ka ftuar Njeriun të bëjë pyetje për veten e botën, është e kotë, madje është turp. E ke parë që sot njerëzit heshtin përballë të keqes? Epo letërsia do u thoshte të mendonin më përtej hundës së tyre, që të mendojnë për të nesërmen, të mendojnë për këtë vend. A nuk qenka letërsia “ky mëkat” që i bën njerëzit të jenë më të matur përballë tjetrit, më pranues ndaj asaj që është ndryshe nga ne, apo që të jenë kundërshtues të së keqes?

Por ata që janë të ndershëm sot shihen si “naivë”, si “prapa kohe”. Dhe për këto kuptime, i dashur Liridon, mos fajëso fëmijët. Për atë që nuk e kuptuan si duhet, për pafuqinë për të qenë të ndershëm, për guximin për të qenë i drejtë me veten dhe të tjerët, fajin më të madh e kemi ne, prindërit, që në praninë e tyre nuk arrijmë të jemi as lexues, as mbrojtës të së vërtetës. A e di ti se sa prindër janë sot në dilemë nëse duhet t’i mësojnë fëmijët të jenë të ndershëm, të drejtë? Sepse janë thyer, përkulur përpara të fortit, të padrejtit, vjedhësit, dhe mendojnë se edhe fëmijët do kenë të njëjtin fat.

Ndaj, letërsia që e ka këshilluar Njeriun që nga fillimet e saj të gjejë rrugën drejt Vetes, drejt të Shenjtës, drejt Tjetrit, sot është “turp”, sepse kemi humbur pikërisht ato veti që letërsia ka ditur t’i bartë. Edhe kur ka provokuar, sërish letërsia, pra letërsia e mirë, ka mundur ta ruajë Njeriun dhe Njerëzoren. Kështu që letërsia – letërsia që ka ditur ta përshkruajë Njeriun me të gjitha ngjyrat- është thjesht “turpi ynë” që nuk lexuam amanetin e saj për të qëndruar Njeri.