Herri Kejn ishte ai i cili vendosi fatin e ndeshjes mes Shqipërisë dhe Anglisë me dy golat e tij në pjesën e dytë. Por ai theksoi se nuk kishtr qenë aspak e lehtë të arrihej një sukses i tillë në Tiranë.
“Ishte një ndeshje vërtet e vështirë, një nga më të vështirat që patëm në grup. Na u desh të ishim të duruar dhe t’i bënim presing, gjë që e bëmë dhe përfunduam me një fitore 2-0 dhe një tjetër rrjetë të paprekur.
Në pjesën e parë bëmë goditje nga jashtë portës, pastaj kur hyri Saka, e dinim sa i mirë është ai me shtyllën e parë. Kështu që shkuam në shtyllën e parë, patëm pak fat me goditjen standarte, por për fat të mirë isha aty për ta devijuar.
Nëse do të shkosh larg në çdo turne, të nevojitet një skuadër e tërë, të nevojiten lojtarë që nuk janë vetëm titullarë, që vijnë nga stoli dhe bëjnë diferencën. Kështu është futbolli. Nuk janë vetëm 11 që luajnë, djemtë hyjnë dhe bëjnë diferencën”, tha Kejn për ITV pas ndeshjes.
Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel i thuri elozhe Kombëtares së Shqipërisë pas ndeshjes së tyre, të fituar 0-2 nga “Tre Luanët”.
“Nuk ishte e thjeshtë. Ishte një ndeshje e vështirë, siç e kemi parashikuar”, tha ai fillimisht.
“Shqipëria është e fortë, ka pësuar 5 gola, 4 nga ne. Ka stadium të mirë, skuadër me cilësi dhe trajner të mirë. Skuadra ka bërë progres, ka mundësi për të bërë më mire”.
“Jam shumë krenar për rekordin, e 0 golave të pësuar”.
“Është e mundur të shihemi në Kupën e Botës, i kemi të gjitha mundesitë dhe kualitetet. Ishte e rëndësishme të shënonim golin e parë të ndeshjes, morëm një avantazh të jashtëzakonshëm dhe arritëm ta menaxhonim”, përfundoi trajneri gjerman.







