Ballina Editorial Po sikur, ta mbushë shejtani, dhe profesor Pilinçi nesër…

Po sikur, ta mbushë shejtani, dhe profesor Pilinçi nesër…

56
0

Nga Namir Lapardhaja

Po sikur ditën e hënë, kur PD dhe Berisha kanë njoftuar se do të instalojnë parlamentin dhe qeverinë e tyre poshtë dritares së Edi Ramës, profesor Pëllumb Pilinçi të mbledhë qeverinë e tij hije, me sekretarë e këshilltarë, dhe të vetëshpallë programin qeveritar për katër vitet e ardhshme?

Pas Vlorës dhe Shkodrës, sigurisht, Tirana e meriton ta dëgjojë profesorin e njohur, të ardhur me mision nga matanë oqeanit.

Tani përfytyro sikur, ndërsa organizimi i PD-së shkon për të vendosur podiumin, bokset, foninë, foltoren, e gjithë skenografinë e pushtetit paralel, atje më parë, që me sabah pa zbardhur dita, të jetë instaluar profesor Pilinçi, eskorta e tij nën masa të rrepta sigurie dhe i gjithë kabineti i tij ministror.

Në vend të një teatri të vetëm politik, sheshi poshtë dritares së Ramës do të kthehej në një festival qeverish paralele, ku secila pretendon se është më legjitime se tjetra.

Të nisur për të rrëzuar Ramën, Berisha dhe të tijtë do të duhet më parë të rrëzojnë nga froni i qeverisë hije profesor Pilinçin. Pas betejës me qeverinë hije, do duhet të fillojnë një përpjekje tjetër me qeverinë jo-hije, atë të Ramës domethënë.

Deri atëherë, pas përpjekjeve të mëdha, energjive të harxhuara dhe konferencave të shumta për shtyp, mund të arrihet një kompromis mes profesor Pilinçit dhe doktor Berishës, që i lodhur nga beteja, mund të çojë në negociata doktor Mulin, si gjithmonë i ngarkuar me misionet e pamundura.

Tani, kjo përballje të hënën edhe mund të mos ndodhë, do thoni ju.

Po ku i dihet se si ngrihet këtë të diel nga gjumi profesor Pilinçi dhe, larg qoftë, e mbush shejtani, dhe vetëm kur ta shohë doktor Berisha nesër poshtëpenxherenë e Ramës të zënë nga qeveria hije.