Ballina Kulturë “Shoqëria e lexuar, shpresë për të ardhmen”/ Libri i dytë me përralla...

“Shoqëria e lexuar, shpresë për të ardhmen”/ Libri i dytë me përralla i Elia Zaharias

85
0

Aktorja e njohur Elia Zaharia vjen në edicionin e 28-të të Panairit të Librit me një tjetër vepër për fëmijë. “Perla dhe Dreri i Artë” është libri i dytë me përralla i shkruar nga Zaharia, e cila thotë për CNA se prindërit nuk kursehen tek libri, ndërsa shfaqet optimiste për dëshirën e të vegjëlve për të lexuar.

“Prindërit i’a mohojnë vetes një investim, tek fëmija nuk kursehen, sepse në fakt tek libri nuk kursehet, se libri ta kthen investimin. Është gjëja më e rëndësishme për të ndërtuar pastaj një brez të ndërgjegjshëm, sepse fillon nga fëmijëria leximi. Unë e shikoj optimist panairin. Më frymëzojnë shumë fëmijët që vijnë dhe e dinë mirë se çfarë duan, e njohin letërsinë për fëmijë”, u shpreh Elia Zaharia

Por, a është e vështirë të shkruash për fëmijë, të kesh vëmendjen e tyre dhe të përcjellësh mesazhin e duhur?

“Libri konkurron me teknologjinë tashmë. Është sfidë për autorët. Unë e kam libër të dytë dhe kam patur një eksperiencë shumë të mirë me të dy librat, qasja e fëmijëve dhe prindërve ndaj librave ka qenë shumë entuziasmuese për mua. Nuk është e vështirë për aq kohë sa kemi mbajtur gjallë fëmijën brenda vetes.

Të flasësh për fëmijë duhet të futesh brenda tyre dhe të flasësh gjuhën e tyre. Sigurisht që për një njeri që nuk e ka kultivuar fantazinë, apo pjesën fluturake fëmijënore. Unë e kam mbajtur të gjallë këtë pjesë edhe nëpërmjet përrallave, edhe nëpërmjet natyrës sime. Por edhe misionit, sepse përpos pjesës argëtuese, është një mision.

T’i flasësh fëmijëve duhet të jesh i ndërgjegjshëm që duhet të zgjedhësh gjuhën e duhur, një shqipe të pastër, mesazhet e duhura dhe mënyrën për t’i transmetuar këto mesazhe, sepse shpesh herë, duke dashur të japësh mesazhe, mund të përthithet si një moral dhe fëmija automatikisht do ta refuzojë. Mesazhet duhet të vijnë midis rreshtave, që të mos lexohen, por të nënkuptohen. Unë përpiqem që të jem e kujdesshme me të gjitha këto elementë”, tha ajo.

Ky është edhe mesazhi i autores sa i përket leximit.

“Nga libri nuk duhet të shkëputemi kurrë, në asnjë moshë, sepse vetëm një shoqëri e lexuar mund të garantojë shpresë për të ardhmen”, u shpreh Zaharia.