Autoritetet iraniane spërkatën retë me kimikate të shtunën për të nxitur shi, në përpjekje për të luftuar thatësirën më të rëndë që ka goditur vendin në dekada.
Operacioni u krye mbi pellgun e Liqenit Urmia, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve Irna. Urmia, liqeni më i madh i Iranit, është tharë pjesërisht, duke lënë një shtresë të madhe kripe.
Operacione të ngjashme do të zhvillohen në provincat Azerbajxhan Lindor dhe Perëndimor, në veriperëndim të Iranit.
Procesi, i quajtur mbjellje reve, përfshin injektimin e kripeve si jodid argjendi ose jodid kaliumi në re me avionë nga toka. Kështu, avujt e ujit kondensohen më lehtë dhe shndërrohen në shi.
Teknika përdoret prej dekadash dhe kohët e fundit është aplikuar edhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe. E nëse nuk mjaftojnë këto, të premten në një xhami në Teheran u mbajtën lutje për shi.
Reshjet janë në nivele historikisht të ulëta dhe digat pothuajse bosh, thekson BBC. Javën e kaluar, presidenti Masoud Pezeshkian paralajmëroi se nëse nuk bie shi së shpejti, furnizimi me ujë në Teheran mund të kufizohet dhe banorët mund të detyrohen të evakuojnë kryeqytetin.
Shërbimi meteorologjik iranian raportoi se reshjet ranë rreth 89% nën mesataren afatgjatë këtë vit. Vendi po përjeton vjeshtën më të thatë në 50 vjet, me shumë diga nën 10% të kapacitetit.
Autoritetet kanë shpallur plane për gjoba ndaj familjeve dhe bizneseve që konsumojnë sasi të tepërta uji.







