Ballina Dossier Babai i tij u vra nga mafia siciliane, rrëfehet djali i gjyqtarit...

Babai i tij u vra nga mafia siciliane, rrëfehet djali i gjyqtarit Rocco Chinnici: Letrat kërcënuese i kemi marrë edhe ne fëmijët!

85
0

Djali i gjyqtarit italian Rocco Chinnici, i cili është vrarë nga mafia siciliane në 1983 ka rrëfyer në një intervistë ekskluzive për News24 jetën e babait të tij, mes profesionalizmit dhe rreziqeve të profesionit të tij prej gjyqtari.

Sipas Giovanni Chinnici, mafia italiane në atë periudhë ka qenë shumë e frikshme dhe e dhunshme, por ai tregon se babai e përballonte me shumë qetësi.

Edhe pse mes rreziqeve, djali i gjyqtarit italiane thotë se babai i tij bëntë një jetë normale, ndërsa thekson se ishin të vetëdijshëm për të gjithë kërcënimet që ai merrte. Madje në disa raste, kërcënimet me anë të letrave i merrnin edhe fëmijet ose nëna e tyre.

“Përtej kësaj, në ato vite tashmë disa magjistratë ishin vrarë, Terranova, Costa, ishin kolege të babait tim qe u vranë disa vite para tij, funksionarë të ndryshëm policie, nëpunës shteti, në ato vite dihej që kush përballej me mafian mund të vritej. Kështu qe ishim plotësisht të vetëdijshëm. Por në saj të qetësisë se tij, alegrisë së tij ia dolëm ta përballonim atë rrezik me qetësi”, tha Giovanni Chinnici.

Po ashtu ai tregoi edhe raportet qw babai i tij kishte me dy gjyqtarë të tjerë, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino.

“Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino ishin dy gjykatës shumë më të rinj, ishin rreth 40 vjeç; në këtë moshë, kur punon si gjykatës, konsiderohesh i ri. Ai duhej të krijonte një grup magjistratësh dhe pikasi këta dy gjyqtarë të rinj. Paolo Borsellino ishte tashmë në zyrën e tij të instruksioneve, Giovanni Falcone jo — ishte në një tjetër zyrë. Të dy njiheshin, dhe Rocco Chinnici i propozoi Giovanni Falcones në zyrën e instruksioneve, në grupin antimafia, në grupin e magjistratëve që do të mbanin këtë detyrë të rëndësishme kundër mafias. Lind në 1980 ky grup magjistratësh, i njohur si “antimafia”, që fillon këtë luftë të jashtëzakonshme, edhe pse dramatike, kundër mafias”, tha ai.

Pjesë nga intervista

Si ishte jeta e përditshme e babait tuaj jashtë punës si gjyqtar? Ju keni bërë një libër për të “300 ditë me diell”, si e përshkruani atë?

Giovanni Chinnici: Unë kam rrëfyer në librin “300 ditë me diell” jetën time si djali i Rocco Chinnici, pikërisht për periudhën kur babai im ishte i angazhuar kundër mafias dhe krimit të organizuar në Sicili. Por ai ishte edhe një baba. Këto detyra — baba, magjistrat dhe bashkëshort — ishin pjesë e një njeriu. Ajo që unë përshkruaj lidhet me rolin e tij si baba, por edhe si magjistrat. Ishte një njeri shumë alegro, i qeshur. Kështu ishte edhe në zyrë me kolegët e tij, dhe kishte këtë forcë psikologjike, këtë kurajo të madhe që e shtynin të përballonte një mafie, që në ato vite ishte shumë e dhunshme dhe e rrezikshme; gjithmonë e përballonte me shumë qetësi. Këtë na e përcillte edhe neve familjarëve, pavarësisht rreziqeve shumë të mëdha.

Si e përjetonte ai rrezikun që e shoqëronte çdo ditë?

Giovanni Chinnici: Ai e jetonte me shumë normalitet. Thoshte që për një gjykatës në ato vite ishte normale të përballej me rrezikun se mund të vritej. Dhe përtej kësaj, përballonte detyrën e tij si drejtues i zyrës së instruksioneve sikur të ishte një gjë normale, një gjë e zakonshme. Dhe këtë normalitet, edhe pse në realitet po bënte diçka jashtëzakonisht të fortë kundër mafias, e përcillte edhe tek ne familjarët. Kështu që për ne ai bënte një punë normale.

A ishte familja juaj plotësisht e vetëdijshme për rreziqet që ai përballonte?

Giovanni Chinnici: Po, ishte plotësisht e vetëdijshme, edhe sepse mbërrinin kërcënime përmes telefonit; në atë kohë nuk kishte telefona celularë. Kështu që kërcënimet bëheshin ose përmes letrave, ose përmes telefonit të shtëpisë. Ndonjëherë merren edhe nga ne fëmijët e tij, ose nga nëna ime. Kështu që ne i dinim shumë mirë rreziqet me të cilat përballej. Përtej kësaj, në ato vite tashmë disa magjistratë ishin vrarë: Terranova, Costa — ishin kolegë të babait tim që u vranë disa vite para tij — funksionarë të ndryshëm policie, nëpunës shteti. Në ato vite dihej që kush përballej me mafian mund të vritej. Kështu që ishim plotësisht të vetëdijshëm. Por falë qetësisë së tij, alegros së tij, ia dolëm ta përballonim atë rrezik me qetësi.

Sipas jush, çfarë e dallonte Rocco Chinnicin nga gjyqtarët e tjerë të kohës së tij?

Giovanni Chinnici: Kjo është një pyetje komplekse, sepse në ato vite edhe një pjesë e magjistratëve nuk kishin një angazhim kundër mafias. Disa nuk kuptonin rrezikun aktual dhe të së ardhmes që përfaqësonte mafia, disa të tjerë e dinin, por nuk donin të ndërmerrnin rreziqe. Në këtë kuptim Rocco Chinnici ishte një pionier, edhe në profilin e kurajos profesionale, sepse ai e kishte të qartë tashmë se mafia kishte krijuar një profil jashtëzakonisht të rrezikshëm dhe të dhunshëm. Dhe kështu, në detyrën e tij, fillimisht si gjyqtar dhe më pas si drejtues i zyrës, ai nuk mund të tërhiqej nga ky detyrim civil dhe profesional që të kontrastonte në mënyrën më efikase të mundshme mafian. Në këtë kuptim, puna e tij në të vërtetë ishte ajo e një pionieri. Mbi të gjitha për krijimin e këtij grupi që u quajt “antimafia”.

Si e konceptonte ai drejtësinë dhe rolin e shtetit përballë mafies?

Giovanni Chinnici: Rocco Chinnici quhej gjykatës, jo magjistrat, kështu që drejtësia për të ishte kjo vlerë që përbënte detyrën e tij institucionale. Ai ishte gjykatës dhe si gjykatës duhej të administronte drejtësinë; drejtësia nuk pranonte forcën e dhunës, në kontrast me fuqinë e demokracisë dhe të institucioneve. Pra angazhimi i tij institucional si gjykatës koincidonte me vlerat e drejtësisë që ai i administronte.

A mendoni se shoqëria italiane e ka vlerësuar plotësisht kontributin e tij sot?

Giovanni Chinnici: Rocco Chinnici, edhe në Itali, është një magjistrat më pak i njohur se Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino. Por kjo varet nga momenti kur të tre këta magjistratë u vranë — dhe të tre me të njëjtën mënyrë, me autobombë. Në 1983, kur u vra Rocco Chinnici, ishte atentati i parë me autobombë, sepse magjistratë të tjerë apo policë ishin vrarë me pistoletë. Ndërsa për Rocco Chinnici, për herë të parë u përdor një autobombë. Në 1983 ende shoqëria italiane dhe ajo siciliane nuk e kishin kuptuar rrezikun e mafias dhe rëndësinë e rolit të magjistratëve. Kur 9 vjet më vonë u vranë Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, që kishin qenë dishepujt e Rocco Chinnicit, shoqëria ishte shumë më e pjekur; e kishte kuptuar se cila ishte rrezikshmëria e krimit mafioz, kështu që reagoi në mënyrë më të plotë, më të vetëdijshme, dhe e kishte kuptuar shumë më mirë rëndësinë e punës që bënin këta magjistratë. Kështu që sot ka një kuptim më të plotë të rolit që luajti Rocco Chinnici. Ndaj mbetet një figurë më pak e njohur se Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino.

Cili ishte raporti i tij me Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino?

Giovanni Chinnici: Rocco Chinnici u bë drejtues i zyrës së instruksioneve në 1980. Në 1980, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino ishin dy gjykatës shumë më të rinj, ishin rreth 40 vjeç; në këtë moshë, kur punon si gjykatës, konsiderohesh i ri. Ai duhej të krijonte një grup magjistratësh dhe pikasi këta dy gjyqtarë të rinj. Paolo Borsellino ishte tashmë në zyrën e tij të instruksioneve, Giovanni Falcone jo — ishte në një tjetër zyrë. Të dy njiheshin, dhe Rocco Chinnici i propozoi Giovanni Falcones në zyrën e instruksioneve, në grupin antimafia, në grupin e magjistratëve që do të mbanin këtë detyrë të rëndësishme kundër mafias. Lind në 1980 ky grup magjistratësh, i njohur si “antimafia”, që fillon këtë luftë të jashtëzakonshme, edhe pse dramatike, kundër mafias.

A mund të na shpjegoni rëndësinë dhe risinë e “grupit antimafia” që ai krijoi?

Giovanni Chinnici: Rëndësia është themelore për dy arsye. Para Rocco Chinnicit, të gjitha faktet që lidhnin me mafian në atë kohë — kujtojmë se kishte qindra vrasje mafioze në Palermo — trajtoheshin sikur ishin ngjarje të veçuara, jo të lidhura me njëra-tjetrën. Rocco Chinnici e nuhati që duheshin lidhur nga këndvështrimi i hetimit dhe i drejtësisë të gjitha këto ngjarje që ndodhnin, edhe pse mund të ishin në distancë territoriale nga njëra-tjetra. Ishte e domosdoshme të krijonte një grup gjykatësish që të mund të punonin bashkë, të ndanin mes tyre elementet investigative dhe ata të gjykimit. Dhe për këtë arsye krijoi një metodë gjykimi që ende sot është baza e luftës kundër krimit të organizuar, mafias, jo vetëm në Itali, por në të gjithë botën perëndimore. Pra metoda që Rocco Chinnici krijoi — metoda e specializimit, e punës në grup — është një mënyrë që sot përdoret nga të gjithë magjistratët europianë perëndimorë dhe në SHBA, e cila bazohet shumë tek bashkëpunimi ndërkombëtar.

Ka edhe një element tjetër: në ato vite, siç e thashë, mafia vriste magjistratët. Tjetra që nuhati Rocco Chinnici ishte të krijonte një grup që, nëse vritej një magjistrat, të mos vriteshin hetimet dhe procesi, sepse hetimi dhe procesi ishin të ndërthurura, të njohura nga të tjerët. Dhe kjo ishte një risi e madhe, sepse i pari “maxi proces” kundër mafias që filloi në 1986 në Palermo nuk do të kishte lindur nëse nuk do të ishte ngritur grupi antimafia. Hetimet nisën nga Rocco Chinnici, por pas vrasjes së tij u vijuan nga Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino.