Ballina Politika Diskutimet në Komisionin e Sigurisë, Balliu – Prodës: Policia e kapur nga...

Diskutimet në Komisionin e Sigurisë, Balliu – Prodës: Policia e kapur nga krimi. Në Portin e Durrësit nuk kapet më drogë

87
0

Në Komisionin Parlamentar të Sigurisë u zhvillua sot një debat i tensionuar mes deputetit Klevis Balliu dhe Drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Gjatë fjalës së tij, Balliu ngriti një sërë akuzash, duke pretenduar se struktura të policisë janë të influencuara nga grupe kriminale.

Në diskutim, Balliu u ndal te dosja “Metamorfiza”, të cilën e cilësoi si shembull të problemeve të brendshme të policisë.

Sipas tij, dokumentet tregojnë raste të dekonspirimit të operacioneve dhe, siç u shpreh ai, “rrezikojnë funksionimin normal të institucionit të rendit”.

Referime për ngjarjet e fundit, përfshirë atentatin në Rinas

Duke iu rikthyer atentatit të ndodhur ditët e fundit në Aeroportin e Rinasit, Balliu kritikoi reagimin e policisë, duke thënë se “mungesa e pranisë policore ka lejuar autorët të largohen dhe të zhdukin gjurmët në kohë të shkurtër”.

Ai shtoi se ndërkohë “forcat policore angazhohen në veprime të tjera të karakterit administrativ”, ndërsa ngjarje të rënda kriminale kërkojnë më shumë vëmendje.

Akuzat për Portin e Durrësit

Një tjetër pikë e diskutimit ishte siguria në Portin e Durrësit. Balliu pretendoi se aktiviteti kriminal në këtë zonë mbetet shqetësues dhe se kapjet e lëndëve narkotike janë të pakta.

Ai përmendi edhe emra të njohur të dosjeve kriminale, duke thënë se “figura të përfshira në hetime të mëparshme vazhdojnë të kenë ndikim”.

Kritika ndaj mënyrës së veprimit të policisë

Deputeti ngriti shqetësime për mënyrën si hartohen dhe zbatohen operacionet policore, duke i cilësuar disa prej tyre si jo efektive në raport me kriminalitetin që, sipas tij, paraqet rritje.

Balliu tha se policia duhet të fokusohet më shumë te ngjarjet me rrezikshmëri të lartë, duke lënë mënjanë kontrollet e karakterit dytësor.

Përmendja e hetimeve të SPAK-ut

Në mbyllje, Balliu iu referua edhe qëndrimeve të bëra publike nga organet e drejtësisë, duke theksuar se “ka raste kur urdhra arresti për persona të rrezikshëm nuk janë ekzekutuar me urgjencën e duhur”.