Ballina Aktualitet Gjykata e Strasburgut pranon të shqyrtojë çështjen e studentëve të Mjekësisë kundër...

Gjykata e Strasburgut pranon të shqyrtojë çështjen e studentëve të Mjekësisë kundër ligjit të qeverisë

65
0

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka vendosur të marrë në shqyrtim ankesën e 36 studentëve të Universitetit të Mjekësisë së Tiranës, të cilët kundërshtojnë ligjin që i detyron të punojnë për disa vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve, ose në të kundërt të paguajnë koston e plotë të arsimimit.

Në shkurt të vitit 2024, Gjykata Kushtetuese la në fuqi Ligjin 60/2023, por uli afatin maksimal të detyrimit për punësim nga pesë në tre vite. Ndryshimet u bënë me arsyetimin se ligji, në formën fillestare, cenonte të drejtën kushtetuese të zgjedhjes së lirë të punës dhe penalizonte studentët që tashmë ishin regjistruar në programet e mjekësisë. Gjykata argumentoi se masa, megjithëse synonte të mbante profesionistët e rinj në vend, ishte joproporcionale dhe pa lidhje të mjaftueshme me qëllimin legjitim të forcimit të sistemit shëndetësor.

Pas vendimit të Kushtetueses, Parlamenti miratoi në shtator 2024 një version të rishikuar të ligjit, duke përcaktuar që studentët e mjekësisë duhet të pranojnë punësim të detyruar nga një deri në tre vite, sipas vitit të regjistrimit, ose të paguajnë koston e plotë të studimeve të mbetura. Mbajtja e diplomave deri në përmbushjen e afatit të punësimit vazhdon të jetë pjesë e ligjit.