Ballina Sport Goditja ndaj Brojës dhe zëvendësimi, Bellingham ‘kryqëzohet’ nga shtypi anglez: ‘Ylli’ egoist

Goditja ndaj Brojës dhe zëvendësimi, Bellingham ‘kryqëzohet’ nga shtypi anglez: ‘Ylli’ egoist

114
0

Shtypi anglez ka shpërthyer sërish kundër Jude Bellingham, pavarësisht se Anglia vazhdon marshimin perfekt në kualifikime me 8 fitore në po aq ndeshje, 22 gola të realizuar dhe asnjë të pësuar.

Mesfushori 22-vjeçar, i shpallur MVP në fitoren 2-0 ndaj Shqipërisë, këtë herë është vënë në shënjestër për tre episode të supozuara: mungesën e festimit të golit të Harry Kane, reagimin e pakënaqur në momentin e zëvendësimit dhe një të ashtuquajtur goditje ndaj një kundërshtari.

Kapiteni Kane reagoi shpejt duke shpërndarë një foto ku feston bashkë me Bellingham, ndërsa gjesti i pretenduar nuk u filmua nga asnjë kamera.

Edhe Thomas Tuchel mohoi hapur çdo lloj agresioni nga lojtari i tij. Megjithatë, kjo nuk e ndaloi median britanike që ta kthejë mesfushorin e Real Madridit në objektiv kritikash.

Ndër titujt më të ashpër spikat ai i “Daily Mail”: “Ylli egoist po tregon ngjyrat e tij të vërteta – duhet të rishikohet pjesëmarrja e tij në Botëror.”

Debati nisi pas interpretimit se Bellingham nuk e pëlqeu largimin nga fusha në minutën e 75-të, pasi mori një karton të verdhë.

Sipas legjendës së Anglisë, Ian Wright, bëhet fjalë për një fushatë të padrejtë: “E sulmojnë sepse nuk munden ta ndikojnë karrierën e tij, ai është i paprekshëm për ta.”

Fakti që Bellingham rrallë del në intervista dhe që nuk luan në Premier League, e bën atë një nga yjet më të lehtë për t’u goditur nga një pjesë e medias angleze, e cila duket se po kërkon çdo detaj për të krijuar polemika rreth tij.