Ballina Politika Ilir Alimehmeti kundër Berishës: Vendimet për protestat merren individualisht, pa strukturat e...

Ilir Alimehmeti kundër Berishës: Vendimet për protestat merren individualisht, pa strukturat e PD-së

83
0

Ilir Alimehmeti ka kritikuar hapur kreun e Partisë Demokratike, Sali Berishën, duke deklaruar se thirrja për protestën para Kryeministrisë nuk është produkt i një procesi të gjerë konsultimi, por vendim personal i tij. Në një intervistë për “Studio Live” në Report TV, Alimehmeti tha se as vetë nuk ka informacion të qartë mbi mënyrën se si është planifikuar “foltorja”.

“Jam kurioz njëjtë si ju, nuk kam njohuri si do zhvillohet me saktësi. Thjesht nga informacioni që ka rrjedhur nga media”, u shpreh ai.

Alimehmeti theksoi se PD duhet të jetë shumë më inovative në format e protestave, duke kërkuar strategji të mirëfilltë dhe veprime më energjike.

“Protestat duhet të ishin bërë shumë më shpejt, shumë më energjike. Nëse zgjedhjet janë para dhe jeta parlamentare vijon normalisht, ka një problem. Nuk përjashtohet as ngujimi i deputetëve në parlament. Ka shumë opsione”, tha ai, duke shtuar se këto diskutime duhej të kalonin në grupin parlamentar dhe kryesi.

Ai akuzoi Berishën se po “vret” debatin e brendshëm në PD duke marrë vendime pa përfshirjen e strukturave.

“Nuk ka përfshirje të tjerëve. Vendimet duhet t’i marrin strukturat. Unë jam mbështetës i demokracisë nga poshtë lart, jo nga lart poshtë. Ky është rasti i demokracisë nga lart poshtë”, u shpreh Alimehmeti.