Gjatë një viti, nga tremujori i dytë 2024 në të dytin 2025, rreth 11,8 mijë të punësuar në sektorin e biznesit u përfshinë rishtas në skemën e sigurimeve duke e çuar totalin e punonjësve me pagë zyrtare në sektorin privat në 574,120.
Në fund të vitit 2018, numri i të punësuarve kontribuues në sektorin e biznesit ishte rreth 508 mijë, ndërsa në tremujorin e parë të vitit 2019 shënoi një ulje të lehtë në 502 mijë. Megjithatë, trendi vijoi në rritje dhe në tremujorin e tretë 2019 arriti mbi 525 mijë të punësuar.
Të dhënat e fundit të vitit 2025 tregojnë se ky numër ka mbërritur në mbi 574 mijë, çka përbën një shtesë prej afro 66 mijë punonjësish krahasuar me fillimin e periudhës së raportuar, 2018.
Ky zgjerim erdhi nga zhvillimet pozitive në sektorin e shërbimeve dhe tregtisë dhe një prirje më e lartë për formalizimin e punonjësve nga ana e bizneseve.
Shqipëria vazhdon të ketë gati një të tretën e fuqisë punëtore që operon pa kontrata, pa sigurime dhe jashtë mbikëqyrjes tatimore më përqendrim më të lartë në sektorët e bujqësisë, ndërtimit dhe shërbimeve.
Megjithatë, diferenca mes treguesve të punësimit formal dhe madhësisë së forcës së punës sipas INSTAT tregon se ende një pjesë e madhe e punëtorëve nuk përfshihet në skemë.
Sipas vlerësimeve të anketës për vitin 2024, rezulton se për grup-moshën 15 vjeç e lart, 45,7 % e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 30,1% janë të vetëpunësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 24,2 % janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.
Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore dhe raporteve të institucioneve vendase, niveli i informalitetit në punësim varion nga 30% deri në 35% të totalit të punësimit. Kjo përqindje është ndër më të lartat në rajon dhe përbën një problem të thellë strukturor për ekonominë.
Sektori i bujqësisë është më i prekuri, ku pjesa më e madhe e punëtorëve punojnë pa kontrata dhe pa mbrojtje sociale. Një fenomen i ngjashëm vihet re edhe në ndërtim dhe turizëm, dy sektorë që kanë përjetuar rritje të fortë vitet e fundit.
Në këto degë, shpesh punonjësit angazhohen në marrëdhënie të përkohshme, me pagesa ditore dhe pa regjistrim në skemën e sigurimeve.
Qeveria ka ndërmarrë disa hapa vitet e fundit për të ulur nivelin e informalitetit. Fushata për regjistrimin e punonjësve në sektorin e shërbimeve, rritja e kontrolleve nga Inspektorati i Punës dhe nxitja e pagesave elektronike kanë dhënë një ndikim pozitiv, por hapësirat për përmirësim mbeten ende të larta./Monitor







