Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka deklaruar sot se shërbimet e Kuvendit janë urdhëruar që të mos fusin në rendin e ditës asnjë projektligj të propozuar nga ministrja Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK.
Sipas tij, ky vendim është marrë me qëllim shmangien e debateve të drejtpërdrejta me opozitën.
Bardhi akuzoi Ballukun se po i ikën qëllimisht seancave plenare për t’iu shmangur përgjigjeve në lidhje me akuzat që, sipas tij, nuk i kanë ngritur vetëm opozita dhe Partia Demokratike, por edhe SPAK.
Gazmend Bardhi: Janë urdhëruar shërbimet e Kuvendit, që asnjë ligj që vjen me propozim të Belinda Ballukut dhe ka si iniciues ministrinë e Ballukut, të mos futet gjatë kësaj periudhe në rendin e ditës në seancë plenare.
Balluku ka vendosur të shmangë seancat plenare, dhe nuk do të përballet me opozitën mbi akuza që nuk ja ka bërë vetëm PD dhe opozita, por ja ka bërë SPAK dhe kam bindjen që do të vijojë të ketë të tjera, se korrupsioni i saj është i pandalshëm. Nuk gjej dot një projekt të iniciuar apo që mban firmën e Ballukut, ku nuk fshihet pas saj një aferë korruptive.







