Ballina Sport Paradoksi i madh i Silvinjos, zero minuta në eliminatoret e Botërorit për...

Paradoksi i madh i Silvinjos, zero minuta në eliminatoret e Botërorit për futbollistin që po shkëlqen në Serinë A

106
0

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka mbyllur pjesëmarrjen e saj në grupin eliminator të Botërorit, duke arritur për herë të parë në play-off. Një arritje e shkëlqyer e një grupi futbollistësh që po ecin drejt një ëndrre të pabesueshme për tifozët  shqiptar. Por edhe në këtë rrugëtim, ka një paradoks shumë të madh.

Ai ka të bëjë me Medon Berishën. Mesfushori i talentuar, prej dy sezonesh po aktivizohet me rregullsi në radhët e Leçes në Serinë A dhe në edicionin aktual, është në formën e tij më të mirë me këtë skuadër duke qenë protagonist me lojë, gola, duke u zgjedhur edhe nga ekspertët si “Lojtari i ndeshjes” në elitën e futbollit italian.

Ftesat për të nuk kanë munguar, por minutazhi në fushë, po. Në mënyrë paradoksale, trajneri Silvinjo nuk e ka aktivizuar asnjë minutë talentin i cili po bën emër në Itali. Gjatë të gjithë eliminatoreve, djaloshi 22-vjeçar ka ndjekur ndeshet nga stoli, pa dhënë asnjëherë kontributin e tij në fushë.

Sigurisht, Asllani, Shehu, Laçi, Ramadani dhe Bajrami kanë qenë gjithmonë zgjedhjet e para për Silvinjon për mesfushën. Më pas, ai ka preferuar që të aktivizojë në katër ndeshje zyrtare Pajazitin, por jo Berishën, të cilit i ka rezervuar gjatë gjithë vitit 2025 minuta vetëm për ndeshjen miqësore ndaj Gjibraltarit, ku ishte një nga më të mirët në fushë. Një situatë që duket absurde për një futbollist i cili aktualisht duket në kulmin e formës së tij sportive.