Ballina Kuriozitete A flenë oktapodët? Ciklet e tyre shumëngjyrëshe të gjumit mund të japin...

A flenë oktapodët? Ciklet e tyre shumëngjyrëshe të gjumit mund të japin përgjigjen

53
0

Nëse ke menduar ndonjëherë nëse oktapodët shohin ëndrra, shkenca ka një përgjigje shumë interesante. Kur këta mjeshtër të maskimit me tetë krahë flenë, nuk rrinë thjesht qetë. Herë pas here, ata futen në episode të shkurtra ku krahët u dridhen, frymëmarrja u shpejtohet dhe lëkura u mbushet me ngjyra që ndryshojnë vazhdimisht.

Sipas një studimi të botuar në Nature, këto shfaqje të gjalla gjatë gjumit nuk janë thjesht një dukuri e çuditshme. Ato mund të tregojnë se oktapodët përjetojnë një lloj gjumi të ngjashëm me ëndrrat tona.

Si e studiuan shkencëtarët trurin e oktapodëve në gjumë

Për të kuptuar çfarë ndodhte gjatë këtyre shpërthimeve të gjumit, shkencëtarët duhej të siguroheshin fillimisht që oktapodët ishin me të vërtetë në gjumë. Ata i prekën lehtë gjatë fazave të gjumit të qetë dhe atij aktiv, dhe zbuluan se oktapodët kishin nevojë për një stimul më të fortë për të reaguar sesa kur ishin zgjuar. Mosreagimi i tyre tregonte qartë se ata ishin në gjumë të thellë.

Pasi e konfirmoi këtë, ekipi filloi të vëzhgonte aktivitetin e trurit të oktapodëve, si kur ishin zgjuar ashtu edhe kur flinin. Gjatë fazës së quajtur “gjumë i qetë”, u vunë re modele aktiviteti të ngjashme me “boshtet e gjumit” tek gjitarët, një lloj vale të trurit që shfaqet tek njerëzit gjatë gjumit jo-REM. Edhe pse funksioni i tyre mbetet mister edhe tek njerëzit, shumë shkencëtarë besojnë se ndihmojnë në forcimin e kujtimeve. Me një mikroskop me rezolucion të lartë, studiuesit panë se këto valë të ngjashme ndodhnin edhe në zona të trurit të oktapodëve të lidhura me mësimin dhe kujtesën.

Por rreth një herë në orë gjithçka ndryshonte. Çdo oktapod hynte në një shpërthim aktiviteti rreth një minutë, ku modelet e valëve të trurit ishin të ngjashme me ato kur ishte zgjuar, shumë afër fazës REM tek njerëzit.

“Fakti që gjumi me dy faza është zhvilluar në mënyrë të pavarur te krijesa kaq të ndryshme si oktapodët, që kanë tru të madh por krejt ndryshe nga ai i shtazëve kurrizore, sugjeron se kjo fazë aktive, e ngjashme me zgjimin, mund të jetë një tipar i rëndësishëm i mendimit të ndërlikuar,” shpjegon LeenoyMeshulam, fizikane në Universitetin e Washington-it.

A shohin vërtet oktapodët ëndrra?

Një nga gjërat më të çuditshme te oktapodët është lëkura e tyre. Ata kontrollojnë qeliza pigmenti jashtëzakonisht të ndërlikuara, që krijojnë modele të fuqishme për t’u fshehur ose për t’u komunikuar. Për të parë si shfaqeshin këto modele gjatë gjumit, studiuesit i filmuan oktapodët me kamera 8K me rezolucion shumë të lartë.

“Me këto pamje kaq të detajuara shohim se si sillet çdo qelizë pigmenti dhe si krijohet modeli i lëkurës,” thotë Meshulam. “Kjo mund të na ndihmojë të kuptojmë më mirë se si funksionon lëkura gjatë zgjimit dhe gjumit.”

Kur panë pamjet, studiuesit u habitën. Gjatë gjumit aktiv, oktapodët prodhonin të njëjtat modele lëkure si kur ishin zgjuar,duke sugjeruar se mund të jenë duke parë ëndrra që ndikojnë në ndryshimin e ngjyrave të tyre.

Çfarë mund të ëndërrojnë oktapodët?

Një shpjegim mund të jetë praktik: ata ndoshta ushtrojnë kamuflimin, pak a shumë si memorie muskulore. Një shpjegim tjetër thotë se ndryshimet në lëkurë mund të tregojnë se ata po ëndërrojnë vërtet. Në këtë gjendje, oktapodi mund të jetë duke rikujtuar përvojat e ditës, duke sjellë në sipërfaqe modele ngjyrash që lidhen me kujtime si shmangia e një grabitqari apo ndjekja e presë.

“Në njëfarë mënyre, ndërsa njerëzit tregojnë ëndrrat vetëm pasi zgjohen, tek oktapodët modeli i lëkurës është si një dritare vizuale e aktivitetit të trurit të tyre gjatë gjumit,” thotë autori kryesor Sam Reiter.

Zbulimet sugjerojnë se gjumi kompleks, me një fazë të ngjashme me REM-in, mund të jetë më i përhapur në natyrë sesa mendohej dhe nuk është i kufizuar vetëm te gjitarët.